Liqeni i Prespës së Vogël prej vitesh ishte kthyer në kënetë me kallamishte. Banorët e fshatrave të Devollit e kanë djegur kallamishten nga Shpella e Trenit e deri në afërsi të kufirit grek, duke zhdukur çdo gjurmë të liqenit të kënetezuar. Sipërfaqja e zhuritur shkon në rreth 40 hektarë.

Ekspertët e mjedisit ngrenë alarmin se zjarret kanë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin duke zhdukur habitatin e pelikanit kaçurrel dhe shpendëve e gjallesave të tjera.

Llazo Stojani, ekspert mjedisi tha se “pelikanët kur vinin për herë të parë në shkurt bënin folenë në Prespë të Vogël dhe në Prespën shqiptare, tani pelikani ka ikur se i është djegur shtëpia, foleja. Shumë shpend, rosa, lejlek, zogj të ndryshëm me djegien e kësaj hapësire mendoj se do ta braktisin”.

Ndërsa Enver Llomi, kryetar i fshatit Zagradec shprehet se thuajse çdo vit në këtë periudhë është djegur kallamishtja ne vjeshte. Njerëz të papërgjegjshëm i vënë shkrepsën. Sipërfaqja e djegur është 30-49 hektarë”.

Rastet e zjarreve në liqenin e Prespës së Vogël janë të përvitshme, sidomos gjatë vjeshtës, ndërsa ndërhyrja e institucioneve inekzistente. Qëllimi i banoreve është hapja e tokave të reja bujqësore.

“Pellgu i Prespës do varfërohet në aspektin e biodiversitetit, por ata (banorët) mendojnë se me tharjen e liqenit do shtohet sipërfaqja e tokës së mbjellë. Ky liqen ka qenë pjesë e pellgut të Prespës së Madhe e të Vogël. Pelikanët kur vinin bënin fole, me djegien e sipërfaqes ai ka ikur, i është djegur foleja. Ka shpendë të ndryshëm si rosa, lejlekë, por me djegien do largohen. Prespa e Vogël do varfërohet, jeta natyrore do zvogëlohet, do pakësohet dhe si pasojë do ndihet më vonë dhe kjo është diçka negative”, tha Stojani.

Liqeni i Prespës së Vogël ishte kthyer në një kënetë për shkak të devijimit të rrjedhës së Vëntrokut, pjesë e lumit Devoll në vitet ‘70. Sic shihet në pamjet nga ajri sipërfaqja e liqenit ishte mbuluar nga kallamishtet. Sot nuk ka mbetur më asgjë, pasi kallamishtet janë bërë shkumb e hi, duke sjelle deme të pakthyeshme në Parkun Natyror të Prespës.