TIRANE- Procesi gjyqësor ndaj biznesmenit Arben Frroku, i cili dyshohet për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, është në një fazë të “nxehtë”. Sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë shfaqur pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë së bizneseve në zonën e “Vasil Shantos”, aty ku edhe ndodhi ngjarja janarin e 2013-s. Trupi gjykues ka vendosur që të pranojë kërkesën për shfaqjen e videos, ku shihet momenti i vrasjes së komisarit.

Pas shfaqjes së videos me pamjet e vrasjes së kryepolicit Dritan Lamaj, seanca ka patur dhe debate të ashpra midis të pandehurit Arben Frroku dhe Prokurorit Anton Martini. “A1 Report” ka mundur të zbardhë debatet, ku siç dëgjohet edhe nga regjistrimi audio, Frroku i drejtohet prokurorit me fjalët, “E vështirë me e fitu gjyqin, pasi do përballemi deri në fund e do e shohim kush do fitoj unë apo ti?”.

Debatet në sallën e gjyqit
Arben Frroku: Është e vështirë me e fitu gjyqin.
Prokurori Anton Martini: Unë nuk fitoj gjyqe.
Ndërhyn gjykatësi, kërkon qetësi
Prokurori Anton Martini: Në gjyq edhe po je i pafajshëm do të shpallesh i tillë.
Arben Frroku: Me m’pru edhe gjakun të shpija, me ke cënu me gjithë familjen. Nuk bën vaki në këto rrethana. Vetëm këtu ndodh, se s’ka drejtësi. Po do të përballemi me drejtësinë deri në fund, e do ta shohim kush do të fitoj unë apo ti?
Do përballemi me drejtësinë se më ke kalbur nëpër burgje.
Gjykatësi: I pandehur është vërejtia e fundit që ju jap.

Frroku: Nuk jam unë vrasësi
Ndërkohë gjatë seancës Frroku ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me botën e krimit.

“Ky është vendi i çudirave, në dokumente shënohet se me vendim gjykate 24.2.2013, thuhet të përgjohen numrat e Arben Frrokut, Mark frokut, dhe këta me kanë pas në përgjim 2 orë para se të kaloj kufirin. Unë kam 17 muaj në burg për faj të prokurorit ose të Ministrisë së Brendshme”, ka thënë Frroku.

Prokurori i çështjes Anton Martini ka hedhur poshtë fjalët e Frrokut dhe ka theksuar se nuk është bërë asnjë shkelje ligjore.

"Prokuroria s’ka lidhje me datat që thotë i pandehuri, s’ka lidhje as me partinë apo lidhjet e ndarjet e zotrisë, këto janë aludime. Përgjimet ndaj Frokut kanë nisur pas ores 22:00 me dt.24 e me pas ai fiku telelefonin”, ka thënë Martini.

Në seancë Prokuroria paraqiti edhe pamjet filmike kur ka ndodhur vrasja e komisar Lamajt. Prokurori Martini tha se momenti i vrasjes është fiksuar në orën 18:24, nga 3 kamera sigurie; lokali, biznesi, shtëpi private.
 
“Në kamera duket makina dhe Dritan Lamaj që vrapon e rrëzohet”, tha Prokurori Martini.
 
Në reagimin e tij, Arben Frroku i është drejtuar prokuror Martinit duke u shprehur se “E ke marrë personale me mua. Ti më ke kalb në burgje”.
 
Ndërsa në përgjigje, prokurori Martini tha se “s’kam asgjë me ty dhe unë po respektoj ligjin, s’të kam borxh!”