TIRANË- Sali Berisha mblodhi militantët e tij në protestën e përjavshme para Kryeministrisë, vetëm 3 ditë para revoltës që demokratët kanë paralajmëruar brenda dhe jashtë Kuvendit të enjten kur do të votohet raporti për imunitetin e Belinda Ballukut. Kreu i PD, tha gjatë fjalës së tij se PS po kthehet në mburojë për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku pasi duan të mblulojnë vjedhjet që sipas tij, ka bërë Edi Rama.

“Sot, deputetët e partisë së krimit me në krye kreun e organizatës kriminale, Edi Rama, njoftuan atë, të cilën e priste dhe e dinte çdo shqiptar se ata do përdorin si mburojë Lubi Ballukun për vjedhjet që ka bërë Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të organizatës kriminale. Ky është akti më i rëndë, më sfidant, më poshtërues, më fyes për çdo qytetar shqiptar”, tha Berisha.

Duke e quajtur një akt fyes dhe poshtërues vendimin e PS për të mos lejuar arrestimin e Ballukut, Berisha adresoi edhe kritika në drejtim të intelektualëve shqiptarë, duke u kërkuar që të dalin nga konformizmi dhe t’i bashkohen protestës të enjten në orën 10:00 para Kuvendit të Shqipërisë.

“Unë kam një thirrje të veçantë, në radhë të parë për çdo intelektual shqiptar, të dalë nga guaska e konformizmit të tij. Të mos harrojë kurrë se ai investim i madh që kanë bërë shqiptarët për shkollimin e tij, që kanë bërë prindërit e tij për shkollimin e tij, ka qenë para së gjithash dhe mbi të gjithë që ai të jetë, pavarësisht nga profesioni, të jetë një avokat i pamposhtur i interesave të kombit të tij, i interesave të shoqërisë së tij, i interesave të publikut”, tha Berisha.

Edhe në këtë protestë, siç shihet edhe në pamjet me dron që sjell Report Tv, Berishës iu bashkuan vetëm një grusht militantësh, të cilët sa vijnë dhe tkurren nga java në javë.

 

R.Xh/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 9 Mars, 15:01

    PS nuk jep aprovimin për arrestimin e Ballukut, si e vlerësoni?