Në ambientet e shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela ” në Durrës u zhvillua panairi i aftësive të nxënësve, ku u prezantuan disa prej projekteve dhe punimeve më të mira. Mes tyre evidentohen ato të degëve të informatikës, automekanikës, elektro-teknikes dhe hidraulikes.
Spikatin mes këtyre projekteve ai i energjisë së rinovueshme, sistemi dixhital i vaditjes i vënë në funksion në shkollë si dhe projektet për inovacionin, mos braktisjen e shkollës etj.
Një aset i kësaj shkolle janë dhe vajzat, numri i të cilave është gjithnjë në rritje për arsimin profesional dhe ato shprehen optimIste për zgjedhjen e tyre.
“Unë studioj informatikë. Në shkollë bëjmë shumë praktika dhe e shoh veten shumë mirë tek informatika, tek editimi tek kodimi dhe tek të gjitha. Stafi më trajton shumë mirë. Jam shumë e kënaqur” thotë nxënësja Ines Zako
Shkolla “Beqir Çela” është ndër shkollat profesionale diploma e së cilës studentëve u njihet dhe jashtë vendit, por pavarësisht mundësisë, të rinjtë e kësaj shkolle zgjedhin të punojnë brenda vendit.
"Ne kemi ndërtuar projektin e derës elektrike e ndërtuar e gjitha me dorë. Pjesa kryesore është e programuar në shqip. Zgjodha arsimin profesionale sepse është një hap më i mirë drejt së ardhmes sepse shumë gjëra po i zëvendëson AI-ja dhe ky pozicion nuk zëvendësohet nga asgjë. Kjo shkollë njihet edhe jashtë shtetit. Veten në të ardhmen e projektoj këtu sepse këtu kam familjen” tha Joni Sinameta
Sakaq drejtuesi i kësaj shkolle tregon për mikrofonin e Report Tv se interesi çdo vit ka qenë në rritje për arsimin profesional dhe se shkolla vjen çdo herë me risi.
“Ne si çdo vit mblidhemi për të zhvilluar këtë panair të aftësive ku të gjithë nxënësit prezantojnë punimet që bëjnë gjatë vitit shkollor dhe perceptojmë aftësitë profesionale që marrin në shkollë. Veç këtij panairi, ne kemi dhe 2 aktivitete të tjera, siç është Dita e Vajzave dhe takimet për partneritetin e shkollës me bizneset. Këto marrëdhënie ndihmojnë në zhvillimin e praktikës së nxënësve që në përfundim të studimeve, nxënësit të punësohen në këto kompani. Aktualisht punësimi i këtyre nxënësve është në nivelin 77%” tha drejtori i shkollës Fatmir Mërkuri
Panairi i kthyer tashmë në traditë për këtë shkollë duket se po u jep më shumë mundësi të rinjvë të qytetit dhe rrethinave të drejtohen mga arsimi profesional si një mundësi e pazëvendësueshme nga zhvillimet e inteligjencës artificiale.
Komente










