Pandemia/ Soreca për Report Tv: Rama-Meta dhanë shembull, 180 mln eurot hua në korrik! Basha stimuloi qeverinë me propozime

TIRANE-Ambasadori i BE-së Luigi Soreca në një intervistë për Report tv komentoi ndryshimet në Kodin Penal dhe marrëdhënien konstruktive të Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas ambasadorit të BE, koordinimi mes institucioneve për ndryshimet në Kodin Penal por edhe për çështje të tjera ka qenë shumë i rëndësishëm për të ndihmuar në menaxhimin e duhur të krizës. Soreca foli edhe për ndihmën ekonomike që BE do ti japë Shqipërisë për të kapërcyer krizën financiare që shkaktoi Covid-19.

Soreca u shpreh se deri më tani ndihma financiare e BE për Shqipërinë ka arritur shifrën në 230 milionë Euro, ndërkohë 180 milionë eurot hua planifikuara së fundmi do t'i jepen Shqipërisë në muajin korrik. Një tjetër shqetësim për Shqipërinë është dhe marrja e fondeve nga BE për tërmetin e 26 nëntorit. Ambasadori i BE gjatë intervistës për Report Tv siguroi se situata e krijuar nga pandemia globale nuk do ta vështirësojë këtë proces. Ndërkohë, testet të cilat do të kalibrojnë aftësinë e laboratorit për të testuar koronavirusin do të mbërrijnë në Shqipëri mbrëmjen e së premtes.

Ambasadori tregoi dhe si po e përjeton ai dhe familja e tij këtë situatë. “Kam kënaqësinë të kem partneren time këtu, kështu që po e kalojmë këtë periudhë. Familja ime, siç e thatë, është në Itali, në Romë. Kam një nënë të moshuar dhe ajo është 84 vjeçe, pra është pjesë e kategorisë së cenueshme dhe potenciale për t’u prekur nga Covid”, thotë ambasadori duke shtuar se është në komunikim të vazhdueshëm me të.

Intervista e plotë e Luigi Sorecës për Report TV

-Pandemia e koronavirusit na ka përballur të gjithëve me situata të vështira. Fillimisht doja të dija se si po e përjetoni ju dhe familja juaj, duke qenë se ndodhet në Itali?
Ambasadori Soreca:
Mirëdita, po, si çdo person tjetër po e jetoj këtë situatë izolimi duke respektuar plotësisht rregullat. Jam çdo ditë në zyrë, nga mëngjesi deri pasdite vonë, pastaj shkoj në shtëpinë time. Kam kënaqësinë të kem partneren time këtu, kështu që po e kalojmë këtë periudhë. Familja ime, siç e thatë, është në Itali, në Romë. Kam një nënë të moshuar dhe ajo është 84 vjeçe, pra është pjesë e kategorisë së cenueshme dhe potenciale për t’u prekur nga Covid. Ajo është jashtëzakonisht e kujdesshme. Ne jemi në kontakt nëpërmjet Zoom, Skype, FaceTime, si çdo familje tjetër dhe po mundohemi të jemi të zënë me punë dhe të shkëmbejmë normalitetin tonë të ri të jetës nëpërmjet internetit. Por presim me padurim t’i kthehemi normalitetit të vjetër sa më shpejt të jetë e mundur. Faleminderit që më pyetët, e vlerësoj vërtet.

-BE-ja ka dhuruar paketa për koronavirusin në Shqipëri. Çfarë janë saktësisht këto dhe kur do të na mbërrijnë?
Ambasadori Soreca: Po, ky është një donacion i rëndësishëm, pjesë e një donacioni të madh. Këto paketa do të mbërrijnë nesër mbrëma në Shqipëri, pra të premten më 24 prill dhe do t’i dorëzohen laboratorit të Institutit të Shëndetit Publik. Paketat janë shumë të rëndësishme sepse ato kalibrojnë aftësinë e laboratorit për të testuar në mënyrë të përkryer nëse një test ka qenë negativ apo pozitiv. Ju e dini që ekziston i ashtuquajturi problem i rezultatit negativ fals. Një kërkim i kohëve të fundit thotë se 24 nga 100 njerëz që janë konsideruar negativë, nuk ishin negativë, por në fakt ishin pozitivë, sepse cilësia e testit nuk ishte e mjaftueshme. Kështu që 24 njerëz nga 100 vazhdonin të dilnin duke shpërndarë potencialisht virusin. Dhe kjo është ajo çka këto paketa do t’i mundësojnë Institutit të Shëndetit Publik dhe kjo është shumë e rëndësishme në një moment kur Shqipëria po vendos të rihapë lirinë e lëvizjes, të ketë teste që janë plotësisht të besueshme në mënyrë që të mos kemi rrezikun e të ashtuquajturit rezultat negativ fals.

- Sfida e vërtetë për Shqipërinë dhe shumë vende të prekura do të jetë rimëkëmbja e ekonomisë. A do të ndërhyjë BE-ja me asistencë financiare?
Ambasadori Soreca:
  BE-ja ka qëndruar shumë pranë Shqipërisë. Gjatë dy javëve të fundit, siç mund ta keni parë, unë kam njoftuar, falë vendimit të marrë nga Komisioni Evropian në Bruksel, një paketë prej 230 milionë Eurosh, prej të cilave 50 milion janë grante dhe donacione. 4 milionë prej tyre janë kontraktuar tashmë dhe tani, në bazë të udhëzimeve që marrim nga Ministria e Shëndetësisë, UNOPS po siguron asistencë të menjëhershme. Së shpejti do të mbërrijnë 20 ventilatorë, por do të mbërrijë edhe një listë e gjatë artikujsh të tjerë. 46 milion Euro do të ndihmojnë në gjysmën e dytë të vitit për të mbrojtur qytetarët, veçanërisht pjesën më të cenueshme, si dhe rimëkëmbjen ekonomike. Dje, siç e thashë, Komisioni Evropian ka propozuar të kemi 180 milionë Euro këtë herë në hua, por me përqindje interesi shumë të favorshme si ajo e dhënë shteteve anëtare të BE-së. Ajo do të jetë e disponueshme në korrik. Pra, siç mund ta shihni, ndërhyrje shumë afatshkurtra dhe afatmesme me paketën që gjithsej arrin në 230 milionë Euro. 

- Deri tani 15 milionë Eurot e para i janë dhënë Shqipërisë për rimëkëmbjen nga tërmeti. Kur do të bëhet pjesa tjetër e disponueshme, a do ta vonojë koronavirusi procesin?
Ambasadori Soreca: 
Kjo është pjesa tjetër e madhe e asistencës sonë financiare për Shqipërinë. Siç e dini që prej Konferencës së Donatorëve në Bruksel, më 17 shkurt, ku u premtuan 1.15 miliardë Euro, donacioni më i madh erdhi nga Bashkimi Evropian me 150 milionë Euro grante, çka do të thotë para të vërteta, jo hua. 15 milionë Euro janë dhënë tashmë. UNDP-ja në Shqipëri po punon ndërkaq për të rindërtuar dhe rehabilituar 20 shkolla. Ky është vetëm fillimi. 100 milionë Eurot e tjera janë alokuar tashmë dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse në një moment krize në Bashkimin Evropian, kur shtetet anëtare kanë nevojë për likuiditet për problemet e tyre, Bashkimi Evropian ka konfirmuar zotimin e vet prej 100 milionë Eurosh për Shqipërinë. Ato do të mbërrijnë muajt e ardhshëm me qëllim që të vazhdohet programi “EU4School”. Pra, një numër tjetër i madh shkollash do të rehabilitohen, rinovohen dhe rindërtohen dhe pastaj, një pjesë tjetër e kësaj shume është vendosur së bashku me Shqipërinë që t’i kushtohet rehabilitimit të dëmeve të siteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Pse? Sepse është e rëndësishme trashëgimia kulturore jo vetëm të mbrohet, por edhe sepse kjo është shumë e rëndësishme për turizmin dhe prandaj shumë e rëndësishme që të rifillojë ekonomisë pas krizës.

- I ka paraqitur Shqipëria BE-së ndonjë plan rindërtimi?
Ambasadori Soreca: Siç e thashë ne kemi kontraktuar UNDP-në, kështu që UNDP-ja me një prani të fuqishme në Shqipëri, por edhe në pjesën tjetër të rajonit, do të zbatojë këtë kontratë në emër të Bashkimit Evropian. Sigurisht që kjo do të bëhet në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet shqiptare, por do të jetë UNDP-ja, një organizatë ndërkombëtare, me të cilën Bashkimi Evropian ka marrëveshje kuadër, çka do të thotë se ka kaluar përmes një numri testesh sa i takon transparencës së menaxhimit të fondeve, që do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e fondeve.

- Si është menaxhuar pandemia e koronavirusit dhe çfarë mendoni për qëndrimin e udhëheqësve politikë në luftën kundër koronavirusit?
Ambasadori Soreca: Nuk ka dyshim se vendimi i qeverisë, menjëherë në fillim të marsit, për të imponuar masa të rrepta izolimi ka qenë efektiv. Po të shohim nëpër Evropë dhe në pjesën tjetër të botës, ato vende ku u zbatuan menjëherë masa izolimi, duke imponuar distancimin shoqëror, kanë pasur rezultatet më të mira. Kështu që, nga ky pikëvështrim, masat e marra nga qeveria që në fillim të krizës po japin rezultat dhe tani kurba po bie, siç mund ta shihni nga rezultatet që publikohen çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë. Sigurisht që paketa financiare që ka propozuar qeveria është po ashtu e rëndësishme dhe duhet vënë në zbatim shpejt dhe duhet të mbulojë të gjitha fushat e shoqërisë, sipas mendimit tim, veçanërisht pjesët e cenueshme të shoqërisë dhe sektorin e biznesit. Vendimi i marrë javën e kaluar për ndryshimin e Kodit Penal u konsiderua gjithashtu i nevojshëm.

Unë mendoj se ishte e rëndësishme që qeveria dëgjoi shoqërinë civile, dëgjoi aktorë tjerë ndërkombëtarë, dëgjoi veçanërisht Presidentin Meta, lidhur me mbushjen e boshllëqeve në Kodin Penal. Është e rëndësishme që ndërsa masat lehtësohen, për ata që nuk i respektojnë rregullat, rregulla më të rrepta, por proporcionaliteti i sanksionit në versionin e fundit që u miratua dhe u dekretua menjëherë nga Presidenti, të përmbushë testin e proporcionalitetit sipas mendimit tonë. Dhe mendoj se kjo ka lidhje me pjesën e dytë të pyetjes suaj, koordinimi mes institucioneve ka qenë shumë i rëndësishëm për të ndihmuar me menaxhimin e duhur të krizës. Shembulli i dhënë me miratimin e ndryshimeve të Kodit Penal është shumë i rëndësishëm, kur zyra e Kryeministrit dhe zyra e Presidentit Meta punuan së bashku për të gjetur balancën më të mirë dhe mendoj se roli i luajtur nga Presidenti Meta ka qenë vendimtar për balancimin e ndërhyrjes së gjithë institucioneve të tjera.

Ajo që ka ndodhur në dy takime të Këshillit Kombëtar të Sigurisë është shumë premtuese, ku gjithë institucionet e ndryshme punuan së bashku për një objektiv të vetëm, atë çka duan shqiptarët, siguria publike e qytetarëve. Por edhe opozita ka qenë shumë konstruktive. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri atë që duhet të bëjë opozita: të stimulojë qeverinë me propozime, veçanërisht në fushën e paketës së asistencës financiare dhe kjo është shumë e rëndësishme për qeverinë që të kuptojë pozicionet e ndryshme. Mendoj se ishte një rezultat shumë i mirë bashkëpunimi mes institucioneve. Shpresa ime si Ambasador i BE-së është gjithashtu që ky koordinim dhe bashkëpunim pasi kriza të mbarojë, sepse do të mbarojë, dhe kjo është shumë e rëndësishme të thuhet, do të përdoret edhe për të rinisur vullnetin e procesit të integrimit në BE. Më 25 mars ne morëm një vendim shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, hapjen e negociatave, dhe tani ka punë për të bërë dhe unë mendoj se fryma e koordinimit që u tregua gjatë krizës, shpresoj dhe kam besim se do të përdoret edhe për zbatimin e konkluzioneve të 25 marsit.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 23/04/2020 17:28

    Soreca duhet te informohet mire se pse Shqiperia eshte vendi me i varfër i Europës që prej vitit 1912 kur u bë shtet që të mos nxitohet për paratë sepse pikerisht politikanet e ketij vendi për 108 vjet e kanë rrjepur me dhunë kete vend e kete popull. NË ASNJE MENYRE PARÁ TE THATA 180 MILJONE EURO NË DUART E POLITIKANEVE TANE! Do i vjedhin sic i kanë vjedhur gjithnje! BE nqse kerkon te ndihmoje Shqiperine apo dhe qoftë në forne kredie te mos japë pará por vlere materjale, ndryshe paratë do të vidhen. Shqiptarët vazhdojne per 108 vjet te jenë emigrante ngaqe vendin e tyre , politikanet e tyre nuk duan ta rregullojne. Ju lutem jo pará se do vidhen dhe meqenese eshte kredi do te jete e varur në qafen e femijeve tane. Duam drejtesi te larte, mjaft më!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave