Presidenti amerikan Barak Obama ka pritur Papa Franceskun në një ceremoni të veçantë në Shtëpinë e Bardhë duke iu uruar mirëseardhjen në SHBA. Mbërritur në bordin e një Fiati 500 Ati i Selisë së Shenjtë është pritur nga presidenti Obama dhe zonja e parë Mishele.

papa dhe mishel

Para ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë Papa Françesku ka zhvilluar një takim kokë më kokë me presidentin Obama në dhomën ovale që ka zgjatur rreth 27 minuta. Në fjalën përshëndetëse e ndjekur live nga miliona amerikanë, Ati i Shenjtë ka dashur të ngrejë zërin për ato grupe të përjashtuar njerëzish që bërtasin fort dhe trokasin në shtëpitë, qytetet dhe shoqëritë tona.

Duke iu referuar fjalëve të urta të Martin Luther King, Papa Francesku u ka kërkuar të gjithë liderëve të superfuqive të botës të përfaqësuar nga presidenti Obama që të pranojnë se nuk janë përfshirë siç duhet në disa detyrime dhe që tani është koha për t’i respektuar ato.

papa dhe obama

Papa Françeksu ka bërë apel për një angazhim më të madh ndërkombëtar për të mbrojtur njerëzit në nevojë dhe më të dobëtit.

Në një pjesë tjetër të fjalës së tij Papa Francesku e cilëson vetën si një bir i një familje emigrantësh.

“Si një djalë i një familje emigrantësh jam i lumtur të jem mik në këtë vend që në pjesën më të madhe është ndërtuar nga familje të tilla”- theksoi Papa i cili i ka kushtuar një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij pikërisht çështjes së emigrantëve sot në botë.

Edhe presidenti amerikan Obama i është përgjigjur apelit të Papa Françeskut në lidhje me këtë çështje .

“Ju na kujtuat që mesazhi më i rëndësishëm i Zotit është mikpritja e të ardhurve dhe të huajve me simpati dhe zemër të hapur “, -theksoi Obama.

Madje shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka nguruar ta cilësojë Papa Bergoglion si “njeriun e shpresës”.

Në një atmosferë mjaft të ngrohtë Obama ka theksuar se asnjëherë më parë kopshti i Shtëpisë së Bardhë nuk ka qenë kaq i mbipopulluar.

Ndërkaq pjesë e diskursit të Papa Franceskut ka qenë dhe Kuba ku ai ka falenderuar presidentin amerikan për normalizimin e marrëdhënieve të SHBA-së me shtetin komunist.

Temë ë diskutimit të tij ishte dhe ambienti duke theksuar se ndryshimet klimaterike duhen trajtuar menjëherë dhe jo ti lihen gjeneratave të ardhshme.

papa dhe obama

Redaksia online
(Gre.M/Shqiptarja.com)