Një duartrokitje e gjatë priti Papa Françeskun ndërsa hynte ne sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku mbajti një fjalim me rastin e 70-vjetorit të krijimit të organizatës. Reformimi OKB-së, kontrolli i borxhit për vendet më të varfra dhe lehtësimi i pjesëmarrjes në vendimmarrje janë pikat e një instrumenti të ri që punon për paqen në botë. Është pikërisht ky vizioni i Atit të Shenjtë i cili i dedikoi shumë vëmendje të varfërve në fjalimin e tij.

Askush të mos shkelë mbi të tjerët duke u ndjerë i plotfuqishëm. Të mos harrojmë se sot në botë ekzistojnë të drejta false dhe përjashtim social, ndërsa është e nevojshme të konfirmohet me forcë e drejta e më të dobëtëve. Organizmat financiarë duhet të mbikëqyrin zhvillimin e qëndrueshëm sepse edhe degradimi i ambientit ku janë detyruar të jetojnë të përjashtuarit, përbën kulturën e margjinalizimit.

papA

Fjalimi i Papës u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e sallës, ndërsa kreu i Kishës Katolike kërkoi aksione konkrete nga liderët botërorë duke u bërë thirrje të jenë të frymëzuar gjithnjë nga drejtësia. Papa Françesku mbështeti fort edhe të drejtën e arsimimit që garanton respektimin dhe përforcimin e të drejtës së çdo familje për të edukuar fëmijët e tyre. Ndërkaq Papa nuk mund të linte pa përmendur të krishterët që persekutohen nga ISIS.

Nuk mund të mos theksoj apelet e mia të përsëritura lidhur me situatën e dhimbshme në të gjithë Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe vende të tjera ku të krishterët bashkë më grupe të tjera etnike apo kulturore janë detyruar të jenë dëshmitarë të shkatërrimit të shtëpive, pronave, trashëgimisë së tyre kulturore e fetare ndërsa ata janë detyruar të ikin apo edhe më keq të paguajnë me jetën e tyre.

papa

Ati i shenjtë apeloi për një botë pa armë bërthamore duke aplikuar plotësisht traktatin që ndalon shumimin e tyre, deri në arritjen e ndalimit të plotë të armëve. Ai foli edhe për mbrojtjen e ambientit dhe keqpërdorimin e pushtetit që po shkatërron natyrën. Kjo vizitë e Papës në OKB përbën etapën e tretë të udhëtimit të tij në SHBA pas mbërritjes dy ditë më parë në Uashington, pritjes nga presidenti Obama në Shtëpinë e Bardhë dhe fjalimit që mbajti në kongresin amerikan. Nesër Papa do të jetë në Filadelfia në takimin botëror të familjeve, ku e pret edhe një koncert i Aretha Franklin dhe Andrea Bocelli.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Papa do të vizitojë memorialin e 11 Shtatorit ku do të mbahet një shërbesë fetare e shumë besimeve. Mesha do të mbahet në spanjisht dhe pritet të marrin pjesë 20 mijë njerëz. SHBA ka rreth 80 milionë katolikë. 31% e kongresit dhe 22% e popullsisë janë të këtij besimi. Në histori ka pasur vetëm një president katolik, Xhon Kenedi dhe një zv.presidenti, Xho Bajden.

papa okb

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)