VATIKAN - Katër ditë para vizitës së tij historike në Shqipëri, këtë të dielë më 21 shtator, Papa Françeksu duke folur nga selia qëndrore në Vatikan, theksoi se do të vizitojë vendin tonë për shkak se siç u shpreh Ati i Shenjtë ka vuajtur shumë nga regjimi ateist, referuar regjimit komunist, ndërsa nënvizoi se tashmë Shqipëria është një shembull i tolerancës ndërfetare.

Ati i Shenjtë, teksa përshëndeti popullin shqiptar, falenderoi popullin tonë për organizimet e pritjes që po bëhen në Shqipëri, në kuadër të ardhjes së tij Ditën Botërore të Paqes.

“Të djelën e ardhshme, me ndihmën e zotit, do të vizitoj Shqipërinë. Vendosa të vizitoj këtë vend sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi ateist të tmerrshëm, ndërsa tani po realizon një bashkëjetesë paqësore midis komponentëve fetarë të ndryshëm. Deri atëherë përshëndes me dashuri popullin shqiptar dhe e falenderoj për përgatitjet e kësaj vizite. U bëj thirrje të gjithëve të më shoqërojnë në lutje, për ndërmjetësimin e Zojës së Këshillit të Mirë. Faleminderit.” theksoi Papa Françesku

Deklaratat Papa Françesku, i bëri nga mesha në sheshin San Pietro në Vatikan ku përpos lutjeve bëri dhe një rifreskim të idealit dhe mesazhit që duhet të përçojë Kisha katolike në Botë. Sipas Papës feja katolike është universale dhe e përçueshme në vazhdimësi në të gjitha vendet dhe kohërat historike pasi në zemër ka shpëtimin e njerëzimit.

Në fund të fjalës së tij, Papa Françesku bëri një sër përshëndetjesh dhe falenderimesh, ku nuk harroi së përmenduri vendin tonë dhe vizitën e së djelës.

Shqipëria do të mirëpresë Papa Françeskun, këtë të dielë, Ditën Botërore të Paqes, në një vizitë e cilësuar historike, ku edhe do të mbajë një meshë të madhe në sheshin Nënë Tereza, i cili kohët e fundit po restaurohet për këtë vizitë. Gjithashtu, gjatë kësaj vizitë janë parashikuar një sërë aktivitetesh të Atit të Shenjtë.

Redaksia Online
(e.c/e.n/shqiptarja.com)