Papunësia rritje 2% në 2013-ën
Instat publikon të dhënat

Papunësia rritje 2% në 2013-ën<br />Instat publikon të dhënat
TIRANE - Norma e papunësisë në vend në tremujorin e parë të këtij viti, në bazë të një anketimi të kryer nga Instituti i Statistikave, është 14.5 për qind e forcave të afta për punë. Kjo shifër është gati dy pikë përqindje më e lartë se sa norma e papunësisë që është raportuar deri tani zyrtarisht nga ana e këtij institucioni.

INSTAT ka publikuar dje rezultatet kryesore nga Anketa Tremujore e Forcave të Punës 2012-2013 (ATFP). Gjatë tremujorit të parë 2013 në Shqipëri 63.2 për qind e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ishte 55.3 për qind, ndërsa për meshkujt 71.8 për qind. Krahasur me tremujorin e katërt 2012, pjesëmarrja e femrave në tregun e punës është rritur me afro 1 për qind ndërsa pjesëmarrja e meshkujve është ulur me 1.2 përqind.

Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë 2013 shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ishte 41.2 për qind, ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç ky tregues ishte 75.3 për qind.

Për popullsinë në moshë pune (15-64 vjeç) vihet re një rënie në shkallën e punësimit, nga 58.8 për qind në tremujorin e parë 2012, në 54 për qind në tremujorin e parë 2013. Kjo rënie erdhi kryesisht si rezultat i rënies në sektorin e ndërtimit. Shkalla e punësimit për meshkujt është më e lartë sesa për femrat duke shënuar kështu një diferencë mesatare prej 12 përqind. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç gjatë tremujorit të parë 2013 shkalla e punësimit ishte 31 për qind, ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç ky tregues ishte 66.8 për qind.
 
PAPUNËSIA NË RRITJE

Sipas vlerësimeve të marra nga ATFP, gjatë tremujorit të parë 2013 shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç në Shqipëri ishte 14.5 përqind, ku shkalla e papunësisë afatgjatë ishte 11 përqind.

Krahasuar me tremujorin e parë 2012, shkalla e papunësisë është rritur me 1.1 për qind. Shkalla e papunësisë vlerësohet të jetë më e lartë për meshkujt sesa për femrat, duke reflektuar një nivel më të lartë të kërkimit të punës nga ana e meshkujve dhe një nivel më të lartë inaktiviteti në lidhje me tregun e punës nga ana e femrave. Për meshkujt shkalla e papunësisë ishte 15.8 për qind dhe për femrat 12.9 për qind.
 
SHIFRAT
Sipas Partisë Socialiste, në vend ka mbi 1 milion të papunë."8 vjet qeverisje në Shqipëri nuk kanë arritur të ndryshojnë asgjë në drejtim të punësimit. Përkundrazi! Asnjë reformë, gjoja e ndërmarrë nga qeveria, nuk ka rezultuar me rritje të punësimit", është shprehur në një tryezë kushtuar punësimit kryeministri i zgjedhur Edi Rama. "Nuk ka sjellë asnjë rritje të punësimit 'Shqipëria 1 euro'. Nuk ka sjellë asnjë rritje të punësimit 'Shqipëria - superfuqi e vogël energjetike'. Nuk ka sjellë asnjë rritje të punësimit krijimi në letër i 8 zonave të lira ekonomike", - u shpreh ai gjatë fjalës së tij. Sipas Ramës, "shërbimet e punësimit praktikisht nuk janë të dështuara, janë groteske".

Ndërkohë, sipas ministrit të ardshëm të Shëndetësisë Ilir Beqaj, realiteti në qarqe të caktuara dhe sidomos në veri të vendit është shumë shqetësues. Papunësia zyrtare në qarkun Kukës është 30.9%, Lezhë 22.1% dhe Shkodër 24.2%. Rrethi me papunësinë zyrtare më të lartë është Kurbini me 41.2%, ndërsa në Tropojë papunësia zyrtare është 34.3% dhe në Shkodër papunësia sipas shifrave zyrtare është 23.1%", ka thënë ai.

"Ne besojmë se duke vlerësuar edhe rezervuarin shumë të madh të papunësisë në fshat, por edhe potencialin shumë të madh të punësimit në fshat mund të shenjëstrojmë me kurajo objektivin e 300 mijë vendeve të reja pune", ka premtuar gjatë fushatës Rama.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Veliaj në pritjen zyrtare për 112-vjetorin e Pavarësisë: Sot Shqipëria dhe shqiptaria është në ditët e veta më të mira! Nuk kemi kohë për të humbur

Veliaj në pritjen zyrtare për 112-vjetorin e Pavarësisë: Sot Shqipëria dhe shqiptaria është në ditët e veta më të mira! Nuk kemi kohë për të humbur