Komisioni i Ekonomisë i dha dritën jeshile projektligjit për ‘Marrëveshjen e Paqes Fiskale’, pa ndryshime i cili parashikon lidhjen e një marrëveshje mes bizneseve dhe tatimeve. Përfituese do të jenë bizneset e mëdha, me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë, të cilët do të pranojnë të dakordësojnë fitimin e tyre me tatimet. Konkretisht mbi fitimin e deklaruar të një biznesi këtë vit, do të shtohet një marzh 18% në 2026-ën, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.

Por kjo lehtësi që favorizon sipas deputetëve ato subjekte që kanë fshehur deri më tani të ardhurat reale duhet të bëhen nën kushte të rrepta kontrolli për të mos ligjëruar pastrimin e parave.

“Përfitimi nga marrëveshja bëhet vetëm pasi tatimpaguesi ka kaluar verifikimin e burimit të fondeve dhe të pronarit përfitues. Pra, duam verifikim të burimit të fondeve dhe së dyti të pronarit përfitues. Më duhet të identifikoj se kush po e bën këtë marrëveshje, dhe kush është përfituesi kryesor. Me këtë provojmë që po vij me 50 lekë të të ardhurave personale, apo po vij me 100 lekë që i kam nga korrupsioni dhe që dua ti pastroj përmes kësaj forme. Pra nëse ne kemi 20 vite me një biznes që deklaron vit pas viti vetëm 3% fitim, hyn në marrëveshje dhe deklaron 25% fitim, kjo nuk shkon dhe kërcet fort, duhet hetuar patjetër burimi”, propozoi Braçe.

“Nëse shoh që ka devijime në deklarime, tatimet do ta referojnë tek njësia e Inteligjencës Financiare”, Ariana Dyrmyshi.

Deputeti i PS-së Erion Braçe kërkoi që të vendosen kritere kontrolli në bashkëpunim me Inteligjencën Financiare, që të mos jenë përfitues të kësaj ‘Paqeje’ bizneset e hetuara apo të dyshuara për pastrim parash.

“Subjektet me nivel të lartë rreziku për pastrim parash përfshihen në marrëveshje vetëm pas hetimit të thelluar të burimit të pasurisë”, tha Braçe.

“Janë të përjashtuar, e kemi parashikuar në nenin 7 të projektligjit”, tha zv.ministri.

“Marrëveshja nuk zbatohet për subjekte të Agjencia e Inteligjencës Financiare, përveç rasteve kur Agjencia e Inteligjencës Financiare e mbyll hetimin pa gjetje”, tha Braçe.

“Askush nuk do të përfitojë nëse është marrë në hetim nga Agjencia e Inteligjencës Financiare”, tha zëvendësministri.

“Një gjë që nuk ndalohet me ligj, lejohet”, tha Brace.

“Po duke e shkruar në ligj këtë gjë, do të shmangim edhe këtë gjë”, tha Bozdo.

“Të gjitha këto që thoni janë të reflektuara në projektligj, s’kemi ç’të reflektojmë”, përgjigjet Yzeiraj.

Duke qenë se këto propozime nuk u pranua nga Ministria dhe u rrëzuan në komision socialisti Braçe kërkoi informacion se si do të vërtetohet që fitimi i deklaruar i bizneseve është nga burime të ligjshme.

“Çfarë verifikimi do të bëni ndaj bizneseve?”, pyet Braçe.

“Në nenin 9 thuhet se do të ketë monitorim periodik”, përgjigjet Yzeiraj.

“A ju thoni monitorim, unë kërkoj verifikim. Me monitorim nuk verifikoni dot shkelje dhe as nuk e prishni dot marrëveshjen. Të ndani qëllimin e mirë nga keqdashja. Masat e parashikuara janë të pamjaftueshme për të ndaluar pastrimin e parave”, tha Braçe.

Kështu siç është i shkruar ligji thotë Braçe lihet hapësirë për të bërë pastrim parash, pasi duhet të kushtëzohet me ligj që për çdo para që deklarohet shtesë duhet të vërtetohet edhe burimi.

“Tatimpaguesi duhet të sjellë letra sesi e ka rritur fitimit ai me 18% kur për vite me radhë ka deklaruar 3%. Pra si do ta rrisë ai fitimin, pa justifikuar burimin. Një fitim i deklaruar më shumë dhe i padokumentuar, që hapësira për keqpërdorim”, thekson deputeti i PS.

“Çfarë kërkohet për dokumentim, në cilin nen të ligjit thuhet që s’ka dokumentim”, u shpreh Yzeiraj.

“U them ta shtoni që duhet dokumentim”, tha Braçe.

“Janë faturat”, thotë Milva Ekonomi.

“Fatura të pres unë nga mëngjesi deri në darkë”, i përgjigjet Braçe.

Kurse PD-ja kërkoi që nga Paqja Fiskale të jetë i përjashtuar sektori i ndërtimit, si dhe tatimi për ata që deklarojnë mbi 18% të fitimit të dakordësuar të jetë 10%. Asnjëra nuk u aprovua.

“Nuk duam që kompanitë që janë në sektorin e ndërtimit të përfitojnë nga marrëveshja e paqes fiskale. Norma tatimore e propozuar 5% duhet te zëvendësohet me normën 10%, për deklarimet e korrigjuara të pasqyrave financiare, por edhe për ata që deklarojnë më shumë të ardhura."

“Nuk jemi dakord. Masa synon formalizim të ekonomisë, dhe nuk duam te diskriminojmë asnjë sektor. Ne do i qëndrojmë normës 5% për të formalizuar një herë e mirë ekonominë”, tha zv. Ministri i Financave."

Pika tjetër që u kundërshtua në Komisionin Ekonomisë por pa rezultat ishte ‘korrigjimi i pasqyrave financiare’. Kush hyn në marrëveshje me tatimet, ka të drejtë të korrigjojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të mëparshme, duke rritur deklarimet, të cilat i nënshtrohen një tatimi me 5%, nga norma prej 15 %.

Braçe tha se me këtë pikë, pra me këtë korrigjim po bëhet një amnisti.

“Po bëhet një amnisti në pasqyrat financiare, ndaj atyre që kanë mashtruar me bilancet kontabël të kompanisë, të hiqet me ligj se na merr fytyrën si parlamentar. Kontrollet tatimore ndonjëherë shërbejnë për të legjitimuar mashtrimin tatimor. Nëpunësit e shtetit dhe audituesit nuk duhet të amnistohen. Hiqeni këtë nen, siç e ka kërkuar”, tha Braçe.

“Nuk është e drejtë që ne të pastrojmë bizneset dhe të ngarkojmë audituesit me përgjegjësi”, tha ZV.ministri.

Subjektet e kësaj marrëveshje do të mund të rrisin deklarimet e 5 viteve të fundit deri me 30%. Pra nëse në vitin 2022, një biznes ka deklaruar 200 mijë euro të ardhura, ai do të mund të ndryshojë pasqyrën financiare, dhe ti rrisë të ardhurat maksimumi deri në 30% ose +60 mijë euro, kjo pjesë do të tatohet me vetëm 5%.