Më 29 mars 2025, kryeministri Edi Rama, artikuloi për herë të parë nismën e ‘Paqes Fiskale’. “Do t'i propozojmë biznesit, qysh në qershor një marrëveshje paqeje të negociuar fiskale për një periudhë 3 vjeçare”, shprehej Rama para 8 muajsh, teksa këtë premtim e ktheu në kartën e fortë elektorale.

Pas shumë konfuzioni të krijuar, më 13 Nëntor 2025, projektligji ‘Për Marrëveshjen e Paqes’ u depozitua në Kuvend, e prej një muaj kritikat nuk kanë të ndalur.

Kjo nismë parashikon negocim të fitimit mes bizneset dhe administratës tatimore. Konkretisht mbi fitimin e deklaruar të një biznesi këtë vit, do të shtohet një marzh 18% në 2026-ën, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%, nga 15% që është tatimi aktualisht mbi fitimin.

Gjithashtu kush hyn në marrëveshje ka të drejtë të korrigjojë pasqyrat financiare të 5 viteve të mëparshme, duke rritur deklarimet deri në 30%, të cilat i nënshtrohen një tatimi me 5%, nga norma prej 15 %.

Pra nëse në vitin 2022, një biznes ka deklaruar 200 mijë euro të ardhura, ai do të mund të ndryshojë pasqyrën financiare, dhe ta rrisë deklarimin deri në 60 mijë euro, kjo pjesë do të tatohet me vetëm 5%.

Por kjo marrëveshje nuk ka sjellë ‘paqe’ brenda parlamentit por edhe përtej Shqipërie. Komisioni Evropian kërkoi të vendosen masa të forta kundër pastrimit të parave. Më herët Fondi Monetar Ndërkombëtarë vlerësonte se përmes kësaj nisme rrezikohej besueshmëria e auditimeve aktuale. Shqetësime këto të mbështetura edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

E teksa pritej reflektim në Kuvend, projektligji kaloi pa ndryshime, dhe pa u shtuar filtrat e kontrollit për të shmangur pastrimin e parave.

Me kontestime është shoqëruar edhe fshirja e borxheve tatimore dhe doganore, që prek më shumë se 2 miliardë euro detyrime ndër vite, prej së cilës përfitojnë 202 mijë subjekte. Të gjitha borxhet deri në fund të 2014-ës do të fshihen, ndërsa borxhet më të reja, lehtësohen me kushte.

Për ekspertët e ekonomisë kjo është ‘amnistia’ më e madhe e bërë ndonjëherë në vend, dhe sipas tyre shqetësimet e ndërkombëtarëve të gjitha qëndrojnë.

Ergis Sefa thotë se më e pranueshme është paqja sesa falja e borxheve, pasi me këto nisma dëmtohen bizneset e ndershme dhe dekurajohen për të paguar detyrimet.

“Rreziku moral ku mesazhi që i dërgohet biznesit, bizneseve në përgjithësi është që nëse nuk ke qenë i rregullt me detyrimet deri më sot, madje jo vetëm pak vite, por në dekada, atëherë do të vijë një ditë, do të vijë një moment që qeveria do ta fali plotësisht atë borxh ose pjesërisht atë borxh. E vetmja arsye që këto elementet kaq të forta amnistie justifikohen në teorinë ekonomike është që nëse do të kemi në thonjëza një vit zero, pra kjo është hera e fundit që e bëjmë”, thotë Sefa.

Ndërsa për negocimin e fitimit, eksperti Sefa thotë se bëhet për të luftuar informalitetin, pra ju jepet mundësia bizneseve që të heqin dorë nga bilancet e dyta.

“Këtu ka një diferencë sepse këtu kemi të bëjmë me luftën ndaj informalitetit. Pra ne po tentojmë të luftojmë informalitetin dhe ky është një nga mekanizmat që përdoret për të luftuar informalitetin dhe ndryshon nga pjesa e parë e faljes, sepse këtu ti po negocion fitimin dhe nuk është se mbi normën e fitimit ti po e le të pa të papaguar.  Pra ka një dallim këtu ti po negocion se sa do të marrësh, se sa do të marrësh në buxhetin e shtetit dhe po jep një incentiv të madhe biznesit për ta paguar këtë gjë. Mos harrojmë që në ligj kjo pjesë shoqërohet edhe me ë sanksione dhe gjoba goxha të forta”, thotë Sefa.

Kurse për ekspertin e ekonomisë asnjëra nga nismat nuk është e ndershme.

"Në mendimin tim tek të dyja imoraliteti është, por ama është amnistia më e madhe që ka ndodhur në vendin tonë më e plotë më e madhe kjo sepse janë 2.3 miliard euro në formën e detyrimeve tatimore dhe doganore të pashlyer gjobave mbi këto detyrime dhe të interesave. Por as tek paqja nuk ka ndonjë moral të lartë”, thaFatos  Cocoli.

“Për të bërë një krahasim që ta kuptojnë qytetarët, janë më shumë se investimet publike që do të bëjmë këtë vit”, tha Sefa.

A i hapet rruga pastrimit të parave?

Ekspertët përgjigjen në Report TV se qeveria duhet të kishte reflektuar për shqetësimet e ndërkombëtarëve, dhe të ngrinte barriera kundër pastrimit të parave.

“Mesazhi që të gjithë përmendën, sidomos FMN-ja dhe Bashkimi Evropian, është pikërisht që rregullat e lojës mbajeni strikte për të gjithë dhe forconi kapacitetet e administratës tatimore. Pra, nuk mundet ti të justifikosh me politika të këtilla në një farë mënyre pa zotësinë tënde për të mbledhur apo për të mbledh, sepse në fakt detyrimet duhet t'i kishe mbledhur me kohë dhe ky është shqetësimi themeltar”, thotë eksperti Sefa.

“Ka rrezik për pastrim parash por nuk hapet plotësisht rruga. Nuk është autostradë. Është monopat. Është monopat për faktin që ne jemi i kemi një çik këllqet tani më të më të forcuara që ta frenojmë”, thotë Çoçoli.