TIRANE- Në burgje mungojnë mjekët psikiatër, pavarësisht se strukturat e këtyre institucioneve e parashikojnë punësimin e tyre, janë bluzat e bardha ata që refuzojnë këto vende pune. Ky fakt është pohuar nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto i cili në një raportim që ka bërë para deputetëve të Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë ndërsa ka treguar ndryshimet që do të bëhen në ligjin për trajtimin e të dënuarve.

Mjekimi
Ndryshimet që po i bëhen ligjit parashikojnë edhe mjekimet, si dhe trajtimet e personave me probleme të shëndetit mendor, të cilët ndodhen në ambientet paraburgimit apo në institucionet ku kryhet dënimi. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve sot haset mungesa të mjekëve psikiatër, kjo është vënë re në burgun e Fushë-Krujës, ndërsa ka theksuar se në të gjitha institucionet e tjera ka psikologë dhe punonjës sociale të cilët punojnë me personat të cilat shfaqin probleme të shëndetit mendor.

“Me ndryshimet që ne po i bëjmë ligjit parashikojmë seksione mjekësore të posaçme, brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, seksone të cilat do të shërbejnë për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve që gjatë qëndrimit në këto institucione shfaqin çrregullime të shëndetit mendor. Në seksionet e mjekimit respektohen të gjithë të drejtat e të dënuarve, sipas ligjit, për aq koha sa gjykata nuk shprehet për trajtimin e tyre në institucion mjekësor të posaçëm.

Por ajo që ne kërkojmë është pajisja me mjekë të specializuar psikiatër të cilët na mungojnë pavarësisht se i parashikon struktura e institucionit” ka pohuar Artur Zoto, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Sipas tij, aktualisht në burgje ka kapacitete si në burime njerëzore, në ambiente por edhe në pajisje dhe medikamente të nevojshme që kërkon kjo kategori personash.

Mbipopullimi
Sa i përket kushteve sot në të cilat ndodhen burgjet dhe qelitë e paraburgimit, drejtori i burgjeve thekson se është një situatë komplekse por që për të mbetet në parametra dhe standarde të kënaqshme. Sipas tij, problem shqetësues tashmë është mbipopullimi, pasi shifrat aktuale i kalojnë kapacitetet në të gjitha institucionet për të menaxhuar këtë kategori personash. “Është e vërtetë që mbipopullimi është një problem aktual, pasi numri i personave që kemi në institucione i kalon kapacitetet që në kemi. Kemi mbipopullim si në institucionet e paraburgimit ashtu edhe në institucionet e ekzekutimit të dënimit.

Bashkimi Evropian ka një raport 80 të dënuar për 100 mijë banore, në Shqipëri kjo shifër është më e lartë dhe shkon nga 100-120 të burgosur për 100 mijë banorë. Nëse flasim me shifra mund të them se sot kemi 5873 të dënuar dhe të paraburgosur, ose 1269 mbi kapacitet” ka pohuar kreu i burgjeve në vend. Ndërkohë një tjetër ndryshim që pëson ligji ka të bëjë edhe me futjen e këtyre personave në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, si dhe në angazhimin e shërbimit mjekësor, jo vetëm në diagnostikimin e trajtimin e sëmundjeve, por edhe për parandalimin e tyre. Kjo do të thotë që personat e burgosur do të përfitojnë pa pagesë të gjitha shërbimet që ofron skema e sigurimit shëndetësor. 
 
Debati në komision
Albana Vokshi: Ju thoni që keni krijuar kushte për trajtimin e të burgosurve, por ajo që unë dua të mësoj është se si paraqitet situata sot në paraburgim? Si jemi me vendet e rajonit, sa është numri a kalohen kapacitetet?

Artur Zoto (Drejtori i Përgj i Burgjeve): Situata në të cilën ndodhen burgjet sot është komplekse. Kemi mbipopullim si në institucionet e paraburgimit, ashtu edhe në institucionet e ekzekutimit të dënimit. Bashkimi Evropian ka një raport 80 të dënuar për 100 mijë banore, në Shqipëri kjo shifër është më e lartë dhe shkon nga 100-120 të burgosur për 100 mijë banorë. Nëse flasim me shifra mund të them se sot kemi 5873 të dënuar dhe të paraburgosur, ose 1269 mbi kapacitet

Miranda Rira: A keni mjekë psikiatër dhe psikologë për trajtimin e të sëmurëve me probleme mendore? 

Albina Dida: Problematike është edhe situata e sigurimit të medikamenteve, ju bëni ndryshimin në ligj por konkretisht kush do të bëjnë furnizimin.
Artur Zoto: Sa i përket psikologëve dhe punonjësve socialë ne i kemi plotësuar të gjitha vendet në strukturë. Ajo që mbetet problematikë sot është gjetja e mjekëve të specializuar psikiatër të cilët nuk pranojnë të vijnë për punojnë tek ne, rasti i tillë është në burgun e Fushë-Krujës. Furnizimin me medikamente e kryejmë si institucion në bazë të buxhetit që kemi.
 
Shkrimi u publikua sot (05.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)