Shoqatat LGBTI do të zhvillojnë paraditën e përvitshme në datën 13 maj në orën 10:00 përgjatë disa segmenteve të kryeqytetit dhe Bulevardit kryesore.

Parada e LGBTI këtë vit korrespondon në të njëjtën ditë me protestën e Partisë Demokratike, këtë të shtunë.

Por dy përfaqësuesit e shoqatave LGBTI, Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj thanë në studion e Report Tv, se ishin ata të parët që vendosën mbajtjen e pedalimit përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" në datën 13 maj.

“Faktikisht aktivitetin me biçikleta e kemi zhvilluar çdo vit të shtunave por në fakt ishim ne që njoftuam datën 13 më përpara, nuk është se e vendosëm ne pas opozitës. Ata kanë vendosur të protestojnë, ne njoftuam kohë më parë. Ne e kishim parashikuar në 11:00 por protesta jonë do të nisë në orën 10:00. Këtë vit kemi ndryshuar itinerarin e pedalimit duke përshkuar më tepër përgjatë lumit të Lanës, do kalojmë përmes bllokut, ndërsa në kthim do të vijmë në këmbë. Këtë vit presim dhe miqtë tanë nga rajoni, nga Kosova dhe Maqedonia", u shpreh Kristi Pinderi. 

Të ftuar në studion e Report Tv, Pinderi dhe Karaj thanë se kanë marrë garanci nga zyrtarët e PD se nuk do të shqetësohen nga protestuesit e opozitës në Bulevard gjatë paradës me biçikleta. 

Pse në 13 dhe jo në 17 maj?
Xheni Karaj: Akvitetet fillojnë në datën 13 dhe vijojnë deri në datën 17 maj. 17 maji është simbolika, pra Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë. Ne kemi mbajtur një komunikim prej 3 javësh tashmë që me letrën zyrtare publike që bëmë për të lajmëruar sepse fillimisht mendonim që do kalonim në një nga segmentet pranë çadrës kemi qenë  në komunikim me zotin Basha dhe sot takuam zotin Agron Kuliçi dhe të dy na siguruan që çdo gjë do jetë në regull për sa i përket paradës dhe masat e sigurisë do jenë të plota nuk do ketë problem mes protestuesve të PD-së dhe pjesëmarrësve të paradës, plus që dy aktivitetet do të zhvillohen në dy segmente të ndryshme të Tiranës dhe besoj që nuk do të ketë në asnjë moment përplasje.

Kristi Pinderi: Ne çdo vit e kemi zhvilluar të shtunave. Këtë vit e shtuna i bie data 13. “Mirëkuptimi gjendet gjithmonë kur ka vullnet por në fakt donim edhe të falënderonim opozitën për këtë mundësi sepse e kuptojmë që nuk është e lehtë ndonjëherë duke ndenjur 70 ditë atje dhe të përmbash mbështetësit radikal sepse çdo parti ka mbështetësit e vet radikal. E rëndësishme është që ne ia bëmë të qartë PD-së dhe partive të tjera që hapësira publike është e të gjithëve dhe nuk mund të ketë askush të drejtë ta zaptojë atë dhe të pengojë qytetarët e tjerë në aktivitetet e tyre.

Parada në të njëjtën ditë me protestën e PD...
Kristi Pinderi: Hapësira publike është e të gjithëve dhe askush nuk ka të drejtë ta zotërojë atë. Ishim ne që njoftuam datën 13 më përpara, kemi një muaj nuk është se e vendosëm ne pas opozitës. Pra, nuk vendosëm ne t'i qepeshim opozitës. 

Ata kanë vendosur të protestojnë, ne njoftuam kohë më parë. Por protesta jonë do të nisë në orën 10:00. Pra, kemi krijuar një lloj mirëkuptimi, se në fillim e kishim për në orën 11:00. Do të nisemi nga stacioni i biçikletave përballë Pallatit të Kongreseve, do i afrohemi çadrës dhe aty do të marrim majtas për nga rruga "Ismail Qemali". 

Do përshkojmë më tepër përgjatë lumit të Lanës, do kalojmë përmes bllokut, ndërsa në kthim do të vijmë në këmbë. Presim miq nga vendet e rajonit, Maqedonia, Kosova etj. 


Xheni Karaj: Kemi njoftuar policinë një muaj më parë. Gjithmonë kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me policinë.

Kristi Pinderi: Policia është bashkëpunuese. Sipas ligjit për tubimet, ne kemi njoftuar policinë dhe i kemi parashtruar sesa vetë do të marrin pjesë, itinerari. Me policinë kemi pasur gjithmonë një bashkëpunim të frytshëm. Në datën 17 maj do të kemi edhe një konferencë të përbashkët me policinë. Jemi në konktakt të ngushtë qoftë me opozitën, qoftë me policinë. Shpresojmë të takojmë dhe edi ramën, do t'i kërkojmë se pse disa nga premtimet e bëra në 2013-ën nuk janë mbajtur. Sepse edhe komuniteti LGBTI është votues.