Një operacion masiv kundër emigracionit të paligjshëm në Minneapolis, i mbështetur fort nga Donald Trump, ka prodhuar një paradoks: dy nga viktimat janë qytetarë amerikanë, të lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara.
Sipas autoriteteve amerikane, operacioni i quajtur “Metro Surge” ka çuar në mijëra arrestime brenda pak javësh. Megjithatë, prokurori i përgjithshëm i Minesotës, Keith Ellison, e ka cilësuar aksionin si “të paligjshëm, antikushtetues dhe diskriminues”.
Viktima e parë është Renee Nicole Good, 37 vjeçe, mësuese fillore, e cila u vra më 7 janar. Pas shoqërimit të djalit të saj në shkollë, ajo po vepronte si “vëzhguese ligjore” e operacioneve të agjencisë së emigracionit ICE, kur u qëllua tri herë nga afër nga një agjent federal, teksa ndodhej brenda automjetit të saj. Ajo ndërroi jetë pak më vonë në spital.
Viktima e dytë është Alex Jeffrey Pretti, gjithashtu 37 vjeç, infermier i terapisë intensive, i cili u vra më 24 janar nga një agjent federal. Sipas autoriteteve, Pretti dyshohet se iu afrua agjentëve të Border Patrol me një armë zjarri gjysmëautomatike. Megjithatë, pamjet e publikuara në rrjetet sociale nuk tregojnë armë, por një telefon celular në dorën e tij.

Dy viktimat e Minneapolis: Renee Nicole Good dhe Alex Jeffrey Pretti
Ngjarjet kanë shkaktuar reagime të forta politike. Kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, ka pyetur publikisht se “sa amerikanë të tjerë duhet të vriten apo të plagosen rëndë që ky operacion të ndalet”. Deputetja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez ka deklaruar se “amerikanët po vriten në rrugë nga qeveria e tyre”.
Në pamjet që qarkullojnë në rrjet dhe në media, dëgjohen protestues që bërtasin se janë qytetarë amerikanë dhe se po rrezikojnë jetën gjatë ndërhyrjeve të forcave federale.
Bilanci i viktimave nuk ndalet vetëm te dy qytetarët amerikanë. Në fillim të janarit, Geraldo Lunas Campos, 55 vjeç nga Kuba, humbi jetën në një qendër paraburgimi të ICE në Teksas. Sipas autoriteteve, ai vdiq pas një përplasjeje me agjentët gjatë një tentative vetëvrasjeje, por autopsia tregoi se shkaku ishte asfiksia nga kompresioni në qafë dhe kraharor. Pak ditë më vonë, në të njëjtën strukturë, vdiq edhe Victor Manuel Diaz, një shtetas nga Nikaragua, i arrestuar më 6 janar në Minneapolis. Për të dy rastet janë hapur hetime./Corriere
Komente









