TIRANË- Muharrem Zilija, njeriu që kërcënoi me jetë Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili është marë i pandehur dhe dërguar në gjykatën e Tiranës, për gjykim. Zilija në muajin nëntor 2019 i ka dërguar një mesazh kërcënues Drejtorit të Burgjeve Ismaili duke i shkruar:"…të kam nisur dy herë fjalë me njerëzit e tu, ti vazhdon me na ra në qafë, ky është paralajmërimi i fundit, nëse do të vazhdosh ty dhe familjarët i pret një fund i tmerrshëm, po deshe provoje nuk do gëzohesh një minut".

Muharrem Zilija, dyshohet se është shtyrë nga një grup kriminal për kërcënimin e Agim Ismailit. I arrestuari rezulton i dënuar më parë për shpërndarje drogë në Tiranë. Autori mësohet se nuk ka pasur asnjë konflikt me Ismailin, pasi dënimin në burg e ka kryer para se ky i fundit të bëhej drejtor i burgjeve.

Zilija është identifikuar, nëpërmjet numrit të IMEI-t të telefonit, pasi kartën me të cilën ka kërcënuar Ismailin e ka hedhur dhe më pas në të njëjtën telefon, ka vendosur numër tjetër të gruas. Gjatë marrjes në pyetje Zilija nuk ka pranuar autorësinë e krimit. Kërcënimi me jetë dyshohet se vjen si reagim i personave të dënuar për masat e rrepta që po aplikohen në sistemin e burgjeve shqiptare, sistemi “41 bis”. Prej disa muaj Agim Ismaili ka vënë në zbatim në dy burgje 313 Tiranë dhe në Peqin, rregullat e izolimit që parashikon ligji "41 bis".