Seanca e sotme parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua me debate sa i përket paralajmërimit të bërë dje nga Ambasada Amerikane në Tiranë për sulme të mundshme që grupe të lidhura me regjimin iranian mund të ndërmarrë ndaj vendit tonë.

Opozita e ka cilësuar si një paralajmërim serioz dhe kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa mazhoranca nga ana tjetër thotë njëzëri se nuk ka vend për panik dhe aktualisht ndaj Shqipërisë nuk kanoset asnjë rrezik.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi në Kuvend prezencën e kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se duhet të japë llogari se çfarë masash janë marrë për të garantuar sigurinë vendase. PD ngre në pikëpyetje koordinimin e shtetit shqiptar me Amerikën pas deklaratës së djeshme të dhënë nga qeveria se njoftimi i Ambasadës së SHBA është një hamendësim.

“Ne kërkojmë që Rama të paraqitet në seancë dhe të japë shpjegime për deputetët për 3 çështje, pse e cilësoi hamendësim paralajmërim e SHBA për synimet me vullnet të keq me Iranin, a ka koordinim mes partnerëve ndërkombëtare për çështjen dhe çfarë informacionesh ka shkëmbyer qeveria shqiptare me SHBA, a ka një vlerësim zyrtar të institucionet shqiptare për situatën e sigurisë në lidhje me çështjen e Iranit dhe çfarë masash parandaluese janë marrë dhe cilat janë strukturat e angazhuara në këtë çështje”, tha Bardhi.

Bardhit iu përgjigj Taulant Balla, i cili tha se Shqipëria është një aleate e palëkundur e SHBA dhe se ka pasur mbështetjen e tyre sa herë Shqiëpria ka qenë shënjestër i Iranit.

“SHBA e ka mbështetur Shqipërinë kur ne kemi qenë shënjestër e sulmeve të regjimit  iranian, jemi shumë krenarë që në Kuvend kemi miratuar një deklaratë që për turpin tuaj nuk morët pjesë he pastaj për turpin tuaj dolët e i shpallët lutë Iranit” tha Balla.

Fjalën e mori dhe ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, i cili tha se Shqipëria është një kontakt të vazhdueshëm me SHBA dhe NATO dhe se nuk ka asnjë arsye për të ngritur alarm apo për të përhapur panik te qytetarët.

"Janë çështje që ministria e jashtme merren më mënyrë të posaçme, siguroj që ne i ndjekim me shumë vëmendje deklaratat e partnerëve tanë, jemi në kontakt me ata këtu dhe në Uashtington, jemi në kontakt me NATO-n. Dua të them vlerësimi që kemi sot, është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar", tha Hoxha.

Për mediat foli dhe ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, i cili tha se njoftimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë, është një njoftim i zakonshëm dhe nuk ka vend për shqetësim.

“Nuk ka vend për shqetësim. Ambasada Amerikane ka bërë thirrjen për të gjithë qytetarët e saj, e bën për të gjithë Evropën. Nuk e ka specifike për Shqipërinë”, tha ndër të tjera Nufi.

Sakaq, Njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka intensifikuar planin e masave dhe ka rritur gatishmërinë me kontrolle në terren pas paralajmërimit të SHBA-së. Në fokus të masave janë kryesisht ambasada amerikane, izraelite, kampi e muxhahedinëve në Manzë, si dhe sheshe e hapësira të mëdha publike në vend ndërsadhe pritet shtimi i forcave policore në terren. Gjithashtu strukturat e Antiterrorit kanë ka zhvilluar takime me përfaqësues të ambasadës amerikane dhe asaj izraelite.

Dje Ambasada Amerikane në Shqipëri, u bëri thirrje shtetasve të saj që ndodhen në vendin tonë, për të treguar kujdes të shtuar dhe të shmangin vende të mbipupulluara apo turistike pasi grupe të lidhura me Iranin, mund të sulmojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.

Ky paralajmërim i Ambasadës Amerikane vjen disa javë pasi Irani kreu sulme kibernetike ndaj sistemeve elektronike dhe faqes zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë dhe pasi parlamenti shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:36
Opozita kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Presidenca: Jemi në kontakt me institucionet, situata po ndiqet me vigjilencë

Pas kërkesës së opozitës për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA në Tiranë për sulme të mundshme adresuar Shqipërisë nga grupe të lidhura me regjimin iranian, zyra e shtypit të presidencës sqaron se:

- Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor në mbështetje të Presidentit të Republikës për ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të veta kushtetuese dhe ligjore. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime për çështjet që diskuton. Këshilli përbëhet nga drejtues të organeve të larta shtetërore dhe titullarë të institucioneve të rëndësishme.

Këshilli i shërben Presidentit të Republikës, si rregull, për diskutimin e rekomandimeve për masat që Presidenti i Republikës përpilon për institucionet ligjzbatuese dhe përgjegjëse për sigurinë lidhur me përballimin e rreziqeve që i kanosen Republikës së Shqipërisë.

- Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm  me institucionet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informohet prej tyre për çdo situatë dhe skenar, si dhe për të gjitha masat që merren në kuadër të protokolleve të sigurisë.

- Presidenti i Republikës ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës. Mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka konstatuar se bashkëpunimi institucional dhe ai me partnerët e huaj e ndërkombëtarë është në nivele tejet të larta.

- Presidenti i Republikës vijon komunikimin me institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare, të cilat janë në koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me partnerët tanë, si dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore.

Ora 11:44
‘Shko jep hesap para drejtësisë, ke vrarë 26 veta’, Balla përplaset me Mediun në Kuvend: Mos hajde këtu (VIDEO)

Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me deklaratat e ambasadës amerikane për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin.

Balla, teksa iu përgjigj opozitës, pati edhe një moment tensioni me deputeti Fatmir Mediu, të cilit i tha se duhet të japë hesap para drejtësisë, pasi ka vrarë 26 persona në Gërdec.

“Jep hesap para drejtësisë, mos më hajde këtu fare! Ti shko jep hesap para drejtësisë ke vrarë 26 veta. Na bën si përfaqësues i amerikanëve ka 20 vjet. Mjaft na bërë sikur je përfaqësues i kongresit”, iu drejtua Balla, Mediut.

Ndërsa Mediu dëgjohet të thotë “boll o boll”.

Edhe Fatmir Mediu u rreshtua krah deputetëve të PD që kërkuan të mblidhet Këshilli i SIgurisë Kombëtare pas paralajmërimit të SHBA.

Ora 11:14
Irani shënjestër Shqipërinë? Njoftimi i SHBA ‘ngre në këmbë’ Antiterrorin, rrit praninë te ambasadat dhe te kampi i MEK

Pas paralajmërimit të ambasadës amerikane, e cila një ditë më parë ngriti alarmin në rrjetet sociale se grupe të lidhura me Iranin mund të sulmojnë objekte të lidhura me SHBA-në, si edhe sheshe apo hapësira publike në Shqipëri, strukturat e Antiterrorit kanë intensifikuar planin e masave. Burime bëjnë me dije se njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka zhvilluar takime me përfaqësues të ambasadës amerikane dhe asaj izraelite.

Edhe pse plani i masave kishte nisur më herët, pas këtij paralajmërimi është rritur niveli i gatishmërisë dhe janë shtuar kontrollet në terren. Në fokus të masave janë kryesisht ambasada amerikane, izraelite, kampi e muxhahedinëve në Manzë, si dhe sheshe e hapësira të mëdha publike në vend.

Në kuadër të këtij plani pritet të ketë edhe shtim të forcave policore në terren. Pjesë e grupit të punës është edhe SHISH, i cili në bashkëpunim me Antiterrorin do të ketë në fokus të shtuar sigurinë e objekteve diplomatike.

Ora 10:39
Paralajmërimi i SHBA për sulmet iraniane, Braçe: Paniku mund të godasë ekonominë, turizmi po shënjestrohet prej muajsh

Deputeti socialist Erion Braçe tha se njoftimi i ambasadës amerikane është çështje që duhet trajtuar në komisionet parlamentare dhe nuk duhet përhapur panik. Kjo godet sektorin ekonomik të turizmit, tha ai ndërsa vërejti se është një përpjekje që vijon prej muajsh.

“Këto janë çështje që diskutohen në komisionet parlamentare, konsumohen atje dhe me vëmendje për të mos shkaktuar panik mbi të ardhurat ekonomike. Turizmi është degë e ekonomisë që zhvillohet vetëm me besimin dhe prej muajsh ka një përpjekje shumë të madhe për ta goditur, boll me kaq!”, tha Braçe.

Braçe solli në vëmendje edhe interpelancën e kërkuar që në shkurt me ministrin e Bujqësisë, i cili kësaj here s’ndodhet i pranishëm për shkak të një angazhimi në Kosovë.

“Çështja që e kam thirrur ka të bëjë me ushqimin. Ministri i Bujqësisë duhet të jetë këtu dhe t’i përgjigjet Kuvendit. Ky instrument s’mund të relativizohet dhe të dalë nga axhenda siç kërkon një ministër. Axhendën time s’e bën dot një ministër. Nuk mund të ndodhë më. Më janë dashur 6 javë për të marrë informacione, tani më duhen 6 javë për të folur me ministrin”, tha Braçe.

Ora 10:34
Opozita e shqetësuar për njoftimin e SHBA, Balla: Mjaft me teatër, përshëndesim Trump për ndërhyrjen asgjësuese në Iran

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, tha se opozita po bën teatër duke shprehur shqetësim lidhur me deklaratën e bërë dje nga Ambasada e SHBA në Tiranë për sulme të mundshme që Irani mund të ndërmarrë drejt Shqipërisë.

Balla thotë se Shqipëria përshëndet vendimin e presidentit Donald Trump për të sulmuar më fort deri në asgjësim të infrastrukturës së regjimit të Iranit.

“E mbështes ndërhyrjen e ministrit të Jashtëm. Më vjen keq që për hesap të debatit politik përdoret një njoftim rutinë si në të gjitha ambasadat e SHBA, përfshirë këtu edhe DASH i cili në mënyrë të përditshme në kom publike në rrjetet sociale të DASH, pjesa e zyrës konsullore prej njoftimit të marsit i njofton në mënyrë të përditshëm qytetarët e vet se mund të jenë traget i sulmeve të regjimit iranian, ndërkohë që ajo që duhet të themi sot me të njëjtin zë, Shqipëria është aleat i ShBA, Trump në të gdhirë ka qartësuar hapat e mëtejshme në të cilat ShBA do të ecin në këtë drejtim. Përshëndesim Trump në atë ndërhyrje historike sa i përket asgjësimit.

SHBA e ka mbështetur Shqipërinë kur ne kemi qenë shënjestër e sulmeve të regjimit  iranian, jemi shumë krenarë që në Kuvend kemi miratuar një deklaratë që për turpin tuaj nuk morët pjesë he pastaj për turpin tuaj dolët e i shpallët lutë Iranit.  Sa i bëni këto teatër këtu, lërini teatrat, por bëni atë që duhet të bëjë një politikan i përgjegjshëm. Shqipëria aleate e SHBA vend anëtare e NATO, nuk ka sot informacion zyrtar për t qenë target i sulmeve, por natyrshëm që SHBA...”, tha Balla.

Ora 10:34
Njoftimi i ambasadës amerikane për sulme nga Irani, Lamallari: Kemi komunikuar drejtpërdrejt, s’ka rrezik real

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se lidhur me njoftimin e ambasadës amerikane ka pasur komunikime të drejtpërdrejta të strukturave të dedikuara të policisë me ambasadën amerikane dhe s’ka një rrezik real. Ai tha se Shqipëria ka marrë masa të shtuara sigurie në raport me zhvillimet ndërkombëtare.

“Jo më larg se mbrëmjen e djeshme u kam strukturave të antiterrorit, sigurisë publike dhe policisë kriminale të jenë në komunikim me ambasadën amerikane që është komunikuar se nuk ka informacione konkret për një rrezik real.

Fakti i dytë është që Shqipëria ka marrë masa të shtuara sigurie dhe kjo bazuar në zhvillimet ndërkombëtare që ndodhin ku janë të angazhuar maksimalisht strukturat e shtetit duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend. Ky është fkat që ka shumë kohë më parë dhe ka një vlerësim nga Policia e Shtetit, ka edhe një plan veprimi që bën bashkë me detyra specifike çdo strukturë përgjegjëse. Fakt është që Shëipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët dhe ata që e vizitojnë, përtej postimeve që ju për fat të keq i lexoni kur vijnë nga Irani, por jo për protestat e dhunshme me molotovë”, tha Lamallari.

Ora 10:30
‘Kërkojini presidentit të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë’,  Mediu: Naive deri idioteske që anëtarësia në NATO na garanton nga çdo gjë

Deputeti Fatmir Mediu i kërkoi kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi që t’i bëjë kërkesë Presidentit të Republikës për të thirrur urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare për njoftimin e ambasadës amerikane lidhur me kërcënimin iranian në territorin e Shqipërisë.

“Unë i kërkoj Presisdentit të Republikës të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar një situatë që smund të kapërcehet thjesht me deklarime në Kuvend, as me politizimin e kësaj çështjeje. Ju kërkoj edhe ju z. kryetar që ti kërkoni presidentit të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, tha Mediu.

Mediu tha se ka 3 arsye kryesore pse duhet të realizohet kërkesa: prania e opozitës iraniane në Shqipëri, shkëputja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe miratimi i rezolutës që shpall Iranin shtet financues të terrorizmit.

“Deklarata e djeshme e ambasadaës nuk është vetëm thirrje që ka të bëjë me qytetarët amerikanë, por ka të bëjë me territorin e Shqipërisë dhe vjen nga shërbime inteligjente sau përket kërcënimeve në territorin e Shqipërisë. Them të kthehemi dhe ta mendojmë veten  si vend anëtar i NATO-s, i vetmi vend që nuk arrin të mbledhë Këshillin e Sigurisë. Është naive deri idioteske që të dalim me qëndrime që duke qenë vend anëtar i NATOS-s e kemi garantuar vendin tonë nga çdo gjë”, tha Mediu.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi i tha Mediu të mbajë përgjegjësi për fjalët e tij, të cilat mund të shkaktojnë panik në opinionin publik.

“Edhe unë ju bëj thirrje shumë serioze që si politikan i vjetër, me eksperiencë, të ngriheni në lartësinë e përgjegjësisë të fjalëve që thuhen këtu nga ne sepse shumë shpesh mund të jenë të frymëzuara edhe për qëllime të kapitalit politik, por kanë pasoja shumë të mëdha në opinionin publik sepse merren seriozisht, mund të shkaktojë panik dhe efekte anësore. Mirë është që thirrje të tilla serioze t’i konsultojmë në biseda jo publike”, tha Peleshi.

Ora 10:29
‘Siguria kombëtare nuk është çështje twitteri’, Bardhi kërkon Ramën në Kuvend: Pse e quajti hamendësim njoftimin e SHBA për sulme nga Irani?

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar në sallën e Kuvendit kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij duhet të vijë të përgjigjet pas paralajmërimit të ambasadës së SHBA për sulme të mundshme ndaj Shqipërisë nga grupe të lidhura me Iranin. Bardhi tha se Rama duhet të përgjigjet përse e quajti hamendësim njoftimin e ambasadës dhe duhet të japë llogari se çfarë masash janë marrë.

“Çështjet e sigurisë kombëtare nuk janë çështje twitteri, as qëndrime të qeverisë, as kafenesh, janë çështje të rëndësishme, për të mos e përdorur për politikë dhe për të mos ngjallur shqetësim, më duhet të nënvizoj se ne si deputetë nuk kemi informacion mbi çështjet që trajtoni njoftimi i SHBA. Qëndrimi që iu referuar ministri i qeverisë ishte përtej të qenurit skandaloz, një qeveri që nuk arrin dot me radar të kontrolloj naftën që futet kontrabandë, një qeveri që s’ka kapur një gramë kokainë edhe pse i kalon para syve, një qeveri që për vite të tëra nuk pa 98% të sipërfaqe të mbjella me kanabis, nuk mund të jetë e besueshme. Përpjekjet për të diskredituar informacion zyrtar të SHBA si hamendësim e bën Shqipërinë qesharake në rastin më të mirë, në rastin më të keq jep mesazhin se Shqipëria s’ka bashkëpunim me aleatin tonë strat në fushën e sigurisë, apo nuk ka besim mes njëri-tjetrit. Mesazhi politik që dha dje Rama, përmes zyrës së shtypit është që shqiptarët s’duhet t’i besojnë SHBA për çështje të sigurisë dhe se nuk duhet t’i kushtojnë vëmendje njoftimeve të tyre. Tentativë për të diskredituar SHBA. Ne kërkojmë që Rama të paraqitet në seancë dhe të japë shpjegime për deputetët për 3 çështje, pse e cilësoi hamendësim paralajmërim e SHBA për synimet me vullnet të keq me Iranin, a ka koordinim mes partnerëve ndërkombëtare për çështjen dhe çfarë informacionesh ka shkëmbyer qeveria shqiptare me SHBA, a ka një vlerësim zyrtar të institucionet shqiptare për situatën e sigurisë në lidhje me çështjen e Iranit dhe çfarë masash parandaluese janë marrë dhe cilat janë strukturat e angazhuara në këtë çështje”, tha Bardhi.

Ora 10:20
Paralajmërimi i SHBA për sulme të mundshme nga Irani, PD: Të mblidhet Këshilli i Sigurisë! Hoxha: S’ka vend për alarm

Opozita ka ngritur në Kuvend shqetësimin pas deklaratës së ambasadës amerikane për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin. Deputeti i PD, Tritan Shehu bëri thirrje që Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në përgjigje ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha deklaroi se situata në Shqipëri është e sigurt dhe nuk ka vend për panik. Hoxha tha se janë në kontakt me të gjithë partnerët, përfshirë edhe me NATO-n.

“Nuk mund ta kalojmë me mendje lehtësi, ashtu siç ishte një reagim i qeverisë. Sot Rama duhet të referojë para Kuvendit, të dëgjojë pyetjet e deputetëve shqiptarë në lidhje me këtë çështje, për të sqaruar këtë [parlament, çfarë po ndodh, çfarë masash janë marrë. Nuk po shoh reagim as nga qeveria, as nga presidenca për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. E konsideroj serioz njoftimin e ambasadës amerikane, lidhje me pasigurinë në territorin shqiptar. Ishte serioz dhe tregon për diçka të rëndësishme që ne si deputetë duhet ta marrim në konsideratë. Nuk mund ta kalojë qeveria duke thënë se ishte hamendësim", tha Shehu. 

"Janë çështje që ministria e jashtme merren më mënyrë të posaçme, siguroj që ne i ndjekim me shumë vëmendje deklaratat e partnerëve tanë, jemi në kont me ata këtu dhe në Uashtington, jemi në kontakt me NATO-n. Dua të them vlerësimi që kemi sot, është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar. Ka pasur një komunikim dje nga Kryeministria, duhet t’i qëndrojmë dhe për çdo gjë të re, ministria e jashtme apo ministritë e tjera do të informojnë në kanalet e duhur, natyrisht duke qenë në kontakt me Kryeministrin dhe Presidentin", tha Hoxha. 

K.B/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Qytetari: 02/04/2026 15:04

    U harrua Balluku

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 31 Mars, 11:25

    A besoni se Drejtori i ri Policisë, Hita do luftojë krimin dhe korrupsionin?