Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me paralajmërimin për marshim kombëtar të shtunën kundër rritjes së çmimeve. Me një postim në Twitter, Rama shkruan se janë Sali Berisha dhe Ilir Meta që kanë organizuar këto protesta, teksa thotë se marshimi u shty për të shtunën në mënyrë që të mund të sjellin militantët nga rrethet.

"Shtyrja e protestave të turpit për të shtunën lidhet me mobilizimin financiar dhe partiak të foltoreve e fallxhoreve për të sjellë militantët nga rrethet, që përpëlitjet e fundit të marrin befas pamjen e një dallge televizive, të cilën vetëm Kremlini mund ta shohë me admirim!", shkruan Rama.

Për 7 ditë me radhë, disa qytetarë janë ngritur në protesta në Tiranë, por edhe në qytetet të tjera të vendit, duke kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe të produkteve të shportës. Ditën e sotme një numër i vogël protestuesish u mblodhën para kryeministrisë, ku qëndruan për më shumë se një orë.

Qeveria i është përgjigjur krizës së krijuar nga pushtimi i Ukrainës duke miratuar paketën e rezistencës sociale për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve, ndërsa kryeministri Rama ka dënuar më shumë se njëherë këto protesta.

Sipas Ramës ato janë pa kuptim, në një kohë kur nuk e nisi qeveria jonë luftën në Ukrainë dhe nuk mund ta përfundojë ajo, teksa ka shtuar se pamje të tillë kënaqin vetëm Rusinë.