57-vjeçari Mirash Gjikola po lëvizte me makinën e tij në rrugën Shëndëlli-Vrinë në Sarandë mbrëmjen e së enjtes, kur dëgjoi një zhurmë të pazakontë kërcitëse.
Ndaloi dhe në sediljen e pasme të automjetit konstatoi një sasi lëndë eksplozive. Në çast njoftoi policinë, e cila nuk vonoi për në vendngjarje dhe neutralizoi lëndën shpërthyese, e lidhur me një celular që mendohet se do shërbente për të krijuar shpërthimin nga distanca.
Ekspertët e RENEA-s gjetën të plasur kapsollën, e cila çuditërisht nuk ka ndezur eksplozivin. Nga këqyrja paraprake, dyshohet që lënda shpërthyese të jetë e prodhuar në mënyrë artizanale me nitrat, i njëjti që përdoret përgjithësisht për peshkim të paligjshëm. Burimet thonë se nga dukja, i ngjan më shumë një dore amatore se sa një “profesionisti” që niset për të vrarë.
Deri në këtë fazë të hetimit, policia po verifikon në 2 pista. E para lidhet me një ngjarje të regjistruar 14 vjet më parë në fshatin Spitën të Lezhës. Mirash Gjikola është autor i dënuar i plagosjes së Dedë Kovaçit, 54 vjeç, i njohur edhe me mbiemrin Gjoni, prej një konflikti për pronësinë. Pavarësisht se llogaritë me drejtësinë i ka përfunduar, Gjikola dhe Gjoni nuk janë pajtuar prej asaj kohe. Për këtë, për të shmangur një hakmarrje të mundshme, 57-vjeçari u largua nga fshati bashkë me familjen, në Shëndëlli të Konispolit. Ky fshat njihet për strehimin e shumë familjeve me probleme të ngjashme, që ikin për t’i shpëtuar përballjes me persona dhe familje që kanë pasur hasmëri.
Mbi këtë dyshim, në kallëzimin në polici Gjikola pretendon se është i vetmi person ku dyshon për lëndën plasëse në makinë. Dedë Gjoni u shpall në kërkim nga policia, për të sqaruar ku qëndron në këtë situate. Pista e dytë që po hetohet është një sajim i mundshëm i ngjarjes.

Lënda eksplozive që u gjet në makinën e Mirash Gjikolës në Sarandë është artizanale me nitrat, e cila përgjithësisht përdoret për peshkim. Eksplozivi ishte vendosur në sediljen e pasme bashkë me celularin që dyshohet se do të përdorej për të krijuar shpërthimin. Në momentin që është konstatuar nga RENEA, është gjetur e plasur vetëm kapsolla.
Policia e Vlorës po heton në 2 pista për momentin. E para lidhet me plagosjen e Dedë Kovaçit në tetor 2012 në Spitën të Lezhës. Sipas burimeve, Gjikola nuk i ka sheshuar muhabetet me familjen Kovaçi që pas ngjarjes, dhe për t’i shpëtuar një hakmarrjeje të mundshme, bashkë me familjen është zhvendosur në fshatin Shëndëlli të Konispolit, i cili njihet për strehimin e shumë familjeve me probleme të ngjashme, që ikin për t’i shpëtuar përballjes me persona dhe familje që kanë pasur probleme.
Dedë Gjoni është i njëjti person që në 2012-ën është plagosur nga Mirash Gjikola. Deri në këtë fazë, policia nuk ka prova të qarta nëse është autor i ngjarjes, por është emri i vetëm që Mirash Gjikola ka dhënë në kallëzim, me pretendimin si me të vetmin person që ka pasur më herët konflikt, ende të pazgjidhur.
Pista e dytë që po hetohet është një sajim i mundshëm i ngjarjes, pasi Mirash Gjikolës, pak kohë më parë, i është refuzuar viza amerikane. Ngjarjen dyshohet ta ketë përdorur me qëllimin për të aplikuar sërish.
Vetë Gjikola nuk është treguar shumë bashkëpunues me hetuesit, çfarë ka sjell dyshime për vërtetësinë e ngjarjes.
Komente









