Parku Kombëtar i Alpeve, zonë e mbrojtur midis tre shteteve

/ ATSH /  - "Parku Kombëtar i Alpeve do të ketë një sipërfaqe të propozuar prej 86 mijë ha dhe do të jetë më i madhi në vend", shprehet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej. Sipërfaqja aktuale e zonave të mbrojtura në vend është 16% e territorit të Shqipërisë, por AZMK veç menaxhimit dhe mbrojtjes së këtyre zonave ka si qëllim edhe zgjerimin e tyre, ndaj dhe ka nisur të marrë jetë ky projekt.
Alpet kërkojnë një mënyrë tjetër zhvillimi pa betonizim dhe pa ndërtime shumëkatëshe sikurse është vepruar deri më sot në zonat urbane. Dedej thotë se tani kanë filluar të rikthehen edhe shumë nga banorët që dikur e braktisën këtë vend, madje kanë ardhur edhe nga Amerika për të investuar në këto zona të veriut të Shqipërisë.
Këtij Parku do t'i jepet jetë dhe do të mbrohet falë një koordinimi dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi dhe ashtu siç natyra është lidhur mes malesh, do të krijohet edhe kjo lidhje infrastrukturore dhe administrative.
"Ajo që kanë fqinjët më shumë se ne, nuk është natyra por sjellja dhe ndërgjegjësimi i njerëzve ndaj natyrës dhe biodiversitetit. Është ky problemi që duhet të ndryshojmë, mentaliteti për t'i bërë njerëzit të kuptojnë se përfitojnë më shumë duke e ruajtur natyrën dhe jo duke e shkatërruar apo dëmtuar atë", thotë Dedej.
Qëllimi i Parkut Kombëtar të Alpeve nuk do të jetë vetëm mbrojtja, por edhe një zhvillim i qëndrueshëm lokal për Valbonën, Thethin dhe Vermoshin. Deri më sot zonat e mbrojtura, sidomos ato malore janë lënë në harresë totale nga pushteti lokal dhe qendror, ndaj ka ardhur momenti që të rikthehet vëmendja për të sjellë një zhvillim më të madh.
Në shkurt të këtij viti u bë një takim mes ministrave të Mjedisit të Shqipërisë dhe Kosovës për të diskutuar për Parkun Kombëtar të Alpeve. Ministri i Mjedisit të Shqipërisë, Lefter Koka dhe homologu i tij nga Kosova, Ferid Agani diskutuan për bashkëpunim në shpalljen e Parkut të Alpeve Shqiptare, planin e menaxhimit të tij, si dhe shpalljen zonë ndërkufitare të mbrojtur trepalëshe me Kosovën dhe Malin e Zi.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën