Parku “Rinia” po transformohet tërësisht në një mjedis më të gjelbër, më argëtues e më funksional për qytetarët, teksa punëtorët po mbyllin edhe detajet e fundit.

Sipas zyrës së shtypit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet në parkun që do të shërbejë jo vetëm si vend çlodhje për të rriturit, por edhe si një hapësirë për argëtimin e fëmijëve.

“Më duket më e mirë kjo balta e punës këtu, se balta që hidhet përditë sa herë që bëjmë një projekt transformimi. Tirana ka hyrë në 100-vjetorin e dytë të saj dhe besoj se në këtë vit jubilar i shkon një bizhu si Parku ‘Rinia’”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se mezi pret që të hapet, për t’i dhënë fëmijëve përpara 1 qershorin, një nga dhuratat më të bukura në zemër të qytetit dhe se parku ‘Rinia’ është realisht kartolina e këtij 100-vjetori.

Si një nga qytetet më miqësore për fëmijët, hapësira kryesore e këtij parku u është kushtuar të vegjëlve, me një kënd lodrash të posaçëm për ta.

Një vëmendje të veçantë, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar edhe moshës së tretë, ndërkohë që nuk mungojnë as hapësirat ku shumë mirë mund të improvizohen aktivitete apo koncerte.

“Një risitë është se kemi gërshetuar edhe një hapësirë për të moshuarit, për ata që luajnë domino, shah. Është një kërkesë që na e bëjnë vazhdimisht. Më vjen mirë që edhe për gjyshin dhe për gjyshen, kemi një hapësirë të dedikuar. Kemi një hapësirë tjetër e cila është vetëm për aktivitete; kemi improvizuar gjithmonë aktivitete, ose koncerte, ose konkurse, lojëra për fëmijët, tani do të kemi një hapësirë të dedikuar si amfiteatër vetëm për aktivitetet”, deklaroi ai.

Për herë të parë, Parku ‘Rinia’ do të ketë edhe një hapësirë kushtuar kafshëve, duke ofruar edhe më shumë siguri për frekuentuesit e tjerë të këtij parku.

“Për të gjithë ata që janë dyshues, cinikë, ironikë me punët që bëhen, u them më mirë ruajini fjalën edhe notën për ditën që do të hapet, sesa harxhoni fishekët bosh ndaj Bashkisë së Tiranës dhe punës që po bëjmë, sepse besoj që kjo do jetë një tjetër histori suksesi”, theksoi ai.

Krahas hapësirave të gjelbra dhe trotuareve moderne, Parku Rinia ka tashmë edhe një reliev të ndryshëm në sipërfaqe të caktuara, çka do të nxisë edhe një aktivitet më fizik dhe intensiv për fëmijët.