Parlamentarë serb dhe kosovarë, diskutojnë për zbatimin e marrëveshjeve

/ATSH/- 9 deputetë nga i gjithë spektri politik i Kuvendit të Kosovës po takohen sot në Beograd me deputetë të Kuvendit të Serbisë.
RTK raporton se paradite palët kanë diskutuar për ndikimin që mund të kenë Parlamenti i Kosovës dhe ai i Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.
Shpëtim Gashi, nënkryetari i Këshillit për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, me seli në Nju Jork, organizator i takimit, i tha Radio Kosovës se në seancën e pasditës do të diskutohet roli i kuvendeve për një kontroll më efikas të qeverive.
"Kemi pasur parlamentarë të Kosovës që i janë referuar Kosovës si Republika e Kosovës, ndërsa nga parlamentarët e Serbisë si Kosova e Metohija. Por kjo ka kaluar në mënyrë miqësore dhe është arritur një mirëkuptim se këto çështje tashmë janë tejkaluar", tha ai për Radio Kosovën.
Gashi tha se në sesionin e pasdites do të diskutohet roli i kuvendeve për një kontroll më efikas të qeverive, ndërsa shtoi se gjatë sesionit të paradites ku është folur për implementimin e marrëveshjes së Brukselit, ka pasur ankesa nga të dyja palët.
"Ka pasur sidomos nga parlamentarët e Kosovës ankesa se Beogradi po vonon në implementimin e disa marrëveshjeve, kurse nga parlamentarët e Serbisë ka pasur ankesa se Kosova nuk po bën sa duhet në implementimin e atyre pjesëve që këta janë të interesuar, sidomos në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe", tha ai.
Gashi flet edhe për takimin e radhës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. "Si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve, ne do të organizojmë një takim tjetër, mes ministrave dhe koordinatorëve të dialogut të Serbisë dhe Kosovës që do të mbahet në Berlin javën e ardhshme", tha Gashi.
Parlamentarët e të dyja vendeve në një konferencë në Qendër të Beogradit, janë shprehur optimistë se normalizimi i marrëdhënieve edhe pse i vështirë ka shënuar përparime.
Fakti që deputetët nga Republika e Kosovës janë pritur zyrtarisht në Beograd, tregon një përparim në vete e që ishte vështirë e paramendueshme të ndodhte vite më parë.
Bardhyl Meta, deputet ka deklaruar se arritja e tyre në Beograd është një shenjë normalizimi dhe thyerje e një tabuje të madhe jo fort për ne sa për Serbinë sepse për ta është ende e vështirë dhe vërehet një shtrëngim te ta edhe kur debatojmë.
Deputetja Blerta Deliu, deklaroi se është vizita e parë e saj ndërsa shprehu mendimin se tashmë është koha që edhe parlamentarët të kontribuojnë në marrëdhëniet midis dy shteteve, sidomos në fushën e të pagjeturve që është ngritur sot gjatë takimit.
Ndërsa deputeti Besim Beqaj, tha se Kosova është ndarë nga e kaluara, Kosova është shtet dhe e orientuar të bashkëpunojë me të gjithë fqinjët. "Ne parlamentarë duhet të kontribuojmë dhe të trajtojmë çështje si personat e pagjetur, lufta ndaj ekonomisë informale, trajtimi i dëmeve të luftës që është element i rëndësishëm e po ashtu, kalimet ndërkufitare dhe marrëveshjet për energjinë dhe ekonomike në përgjithësi", tha Beqaj.
Branko Ruzic, deputet në Serbi, tha se parlamentet kanë ndikimin e vet si në shoqërinë e Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Sipas tij, për shkak të pajtimit dhe heqjes së disa paragjykimeve duhet të komunikohet dhe të ndihmojmë njëri tjetrin, ashtu siç e parashohin edhe marrëveshjet në Bruksel, e që janë me rëndësi, sidomos për pikat që mund të bllokojnë proceset e integrimit në evropian dhe shoqërive tona për në Evropë.
Ndryshe nga deputetët e tjerë, mendon Ilir Deda, i cili qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje e shpalos duke theksuar se njohja duhet të ndodhë para normalizimit të marrëdhënieve.
"Bashkëpunim dhe normalizim nuk ka pa njohje të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, sepse ne nuk mund të themi se po ecim përpara kur Serbia e lufton shtetin e Kosovës në arenë ndërkombëtare dhe se emëron kriminel lufte për udhëheqës të ushtrisë së vet", tha Deda.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të Serbisë në takimin që po mbahet në Beograd janë përfaqësues të të gjitha subjekteve politike parlamentare. Konferenca e cila do të zgjasë dy ditë organizohet nga OJQ-ja Amerikane CIG e mbështetur nga Departamenti Zviceran për Politike te Jashtme./KosovaPress/

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Mbështetësi i Belerit pështyu Tavon, ‘shpërthen’ Braçe: Këta horra që mendojnë se kanë imunitet nga Greqia të ndëshkohen me ligj! Cenuan shtetin dhe zyrtarët shqiptare