Parlamenti Evropian
përjashton Shqipërinë

Parlamenti Evropian<br />përjashton Shqipërinë
TIRANE- Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian votoi në Bruksel raportet për Bosnjen, Turqinë, Malin e Zi dhe Serbinë, ndërkohë që Shqipëria është lënë jashtë vëmendjes, si pasojë e konflikteve që vijojnë pafundësisht në vend. Ndërkohë që në seancën plenare, këtyre rezolutave do t'i bashkangjiten dhe ato të Kosovës e Maqedonisë, për Shqipërinë ka rreth dy vite që nuk hartohet asnjë rezolutë. "Sot diskutuam progresin në Serbi, Bosnje, Mal të Zi, por fatkeqësisht, mungon Shqipëria. Pse po mungon? Mendoj se raportuesi dhe ne e ndajmë gjerësisht këtë këndvështrim, është i mendimit se s'ka progres në Shqipëri për sa i përket çështjeve kyçe. S'ka shumë gjëra për të shkruajtur pasi atje vijon sherrnaja, përleshja për pushtetin mes qeverisë dhe opozitës dhe si rezultat s'kemi progres", tha Rouçek, ish-raportues për Shqipërinë. Ndërkohë më konkret ka qënë Kukan. "Po është e vërtetë se ne jemi të përfshirë në mënyrë mjaft aktive për të gjithë Ballkanin Perëndimor, me një përjashtim, që është Shqipëria. Seanca plenare e muajit mars do votojë rezolutat për Serbinë, Bosnjen, Malin e Zi e Kosovën. Shqipëria s'është aty dhe mungesa e saj është shumë e zëshme. Kjo do thotë se BE e sheh qartë se në kuadër të këtyre aktiviteteve të mëdha, ka një vend që mungon. Pa bërë shumë filozofi, mund të ndodhë që kur s'ka lajm, është lajm i mirë, por në këtë rast kjo s'është e vërtetë për Shqipërinë. Mendoj se është ende me rëndësi që partitë politike të jenë të angazhuara në një dialog konstruktiv politik për të përmbushur 12 kriteret. Pasi ajo që shohim më shumë tani janë akuzat se kush do jetë përgjegjës për raportin e keq", tha kryetari i delegacionit për Ballkanin, Kukan. Por rezolutat e PE nuk kanë asnjë vlerë ligjore në politikën e jashtme të Unionit, ato hartohen me një frymë më pozitive se raportet e ngurta të Komisionit, në mbështetje të vendeve aspirante për në BE. "Është e vërtetë që ka një lidhje mes progresit të vendit dhe hartimit të një raporti. Siç e kam thënë, nëse s'ka një progres të prekshëm, atëherë raportuesi s'është shumë i gatshëm për të përgatitur një raport, i cili s'do t'i ndihmonte vendit. Pra, këto dy gjëra shkojnë bashkë. Është absolutisht e qartë se nëse ne do të kishim përmbytje nga lajmet e mira që do na vinin nga Shqipëria, atëherë do ishte e rëndë mospasja e një raporti. Por ashtu siç janë gjërat tani, raport apo jo, dialogu në vend, reformat e përmbushja e 12 kritereve duhet të vijojë. Nëse e bëjnë një gjë të tillë, atëherë do të ketë një reflektim nga Parlamenti Europian", tha Kukan, në përgjigjie të interesimit nëse ka faj raportuesi apo mungesa e progresit për mos-hartimin e raporteve të rregullta për Shqipërinë. "Kemi 12 fushat apo rekomandimet për të cilat BE pret progres, e nëse s'gabohem, me përjashtim të njërës, zgjedhjes së Avokatit të Popullit, s'është arritur shumë. Shpresoj e dëshiroj që grupimet kryesore politike të ndërgjegjësohen për situatën, të paktën për çështjet që kanë të bëjnë me integrimin, të bëhen bashkë e të punojnë së bashku", tha Rouçek. Rezoluta e fundit për Shqipërinë është hartuar nga raportuesi Chountis në qershor të 2010. Për nga rëndësia që PE i kushton vendit prej vitesh, nga grupimet e mëdha politike, përzgjedhja e raportuesit i ka kaluar grupimit të ekstremit të majtë, një prej grupeve politike më të vogla në Parlament.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit