Parlamenti i Kosovës miraton rezolutën që fajëson Serbinë për gjenocid

 Parlamenti i Kosovës miraton rezolutën që fajëson Serbinë për gjenocid

Me 79 vota për dhe asnjë kundër, parlamenti i Kosovës miratoi rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

“Në vitin 1999 forcat serbe kryen mbi 100 masakra në Kosovë madje në disa vende edhe i dogjën për së gjalli njerëzit, si në Breznik, Mitrovicë, Podujevë, Randobravë, Krushë e vogël dhe të madhe, Gjakovë, Matiqan, Izbicë, Llashticë e Gjilanit, Rrezallë. Gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë ushtruan dhunë seksuale ndaj 20 mijë personave. Gjatë këtyre viteve dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë duke konfiskuar çdo dokument zyrtarë në mënyrë që të zhduket çdo dëshmi”, tha duke paraqitur rezolutën, kryetari i komisionit për hartimin e saj, Bilall Sherifi.

Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës miratojnë një rezolutë të tillë, megjithëse për të është diskutuar që nga përfundimi i luftës.

Parlamenti pritet të themelojë edhe një komision shtetëror që do ketë mision hulumtimin e siç thuhet, gjenocidit gjatë luftës së fundit në Kosovë, që do të shërbente si bazë për themelimin e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, një nismë kjo e kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli.

Po ashtu në këtë seancë do të votohet edhe për ngritjen e një muzeu dhe një qendre përkujtimore për krimet e luftës.

Votimi i rezolutës pasoi një debat të gjatë të në parlamentin e Kosovës. Partitë politike shqiptare dhe ato të minoriteteve jo serbe i dhanë mbështetje nismës për të dënuar krimet e Serbisë në Kosovë.

“Më lejoni që në emër të LDK-së t’i jap përkrahje kësaj projekt rezolute. Duke renditur së pari konventat ndërkombëtare që janë miratuar për parandalimin e krimit dhe gjenocidit, ajo çka na ka bashkuar për të kryer një obligim të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që 20 vite ta sjellë një rezolutë të tillë”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare, që flasin për të drejtat e njeriut, kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

“Sot e kemi tekstin e një rezolute që merret me krimin më të tmerrshëm që është bërë në Kosovë. Në tekstin e rezolutës janë marrë parasysh të gjitha dokumentet kryesore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Teksti i referohet të gjitha raporteve ekzistuese ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krimet e gjenocidin”, tha deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Ideja për themelimin e një gjykatë ndërkombëtare, ka ngjallur debate mbi vështirësitë dhe kushtet që kërkohen për themelimin e një institucioni të tillë. Ekspertët thonë se themelimi i një gjykate të tillë kërkon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha sot gjatë një vizite në qendrën për ruajtjen e eksponateve të rrobave të të vrarëve, se gjykata ndërkombëtare do të ndodh.

“Është papërgjegjësi dhe do të jetë e pafalshme në qoftë se bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrahin iniciativën tonë për gjykatë ndërkombëtare. Do të përgjigjen edhe para Kosovës, por gjithsesi edhe gjykata ndërkombëtare jam shumë i sigurt se do të ndodh edhe drejtësia edhe gjykata për gjenocidin serb”, tha zoti Veseli.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Toxic Vaccines: 17/05/2019 04:34

    Pas 19-te viteve. Sikur mos te ishte e vertete, do te ishte shume qesharake! Thaqi e Veseli kan HARRUAR kur mshifeshin mes rrefugateve ne traktor duke ikur per Shqiperi! Valle, pse te kemi nje (pa) fate te tille??? Katundart e drenices heroike!!! Ku din katundari cka eshte qeveria apo shteti? Shiko njerezit e Sales qe sulmojn institucinet shteterore, se e quajn veten "demokrat"! "Trimi i mire me shoke shume", !!! Do te doja te di nje gje: C´fare te keqe kane bere baballaret tane, qe neve te na denoj Zoti (natyra, kushdo qofte)ne kete menyre??? ntm

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm