Parlamenti turk miratoi një mocion për të dërguar trupa në Libi në mbështetje të qeverisë libaneze të Faiez al-Sarraj, e vetmja e njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila po përballet në luftë kundër milicive të gjeneralit Khalifa Haftar.
Mocioni kaloi me 325 vota pro dhe 185 kundër, falë votave të partisë qeverisëse konservatore të Erdogan, AKP (Partia Drejtësi dhe Zhvillim) dhe aleates së saj në koalicion, Lëvizja Nacionaliste (MHP). Opozita e qendrës së majtë dhe të majtë e Parstisë Social Demokratike votuan kundër.
Mandati për misionin ushtarak është një vjetor dhe u justifikua për mbrojtjen e interesave strategjike turke në Libi dhe Mesdheun lindor.
Zv/Presidenti turk Fuat Oktay i tha agjencisë shtetërore Anadolu se Turqia do të dërgojë "numrin e nevojshëm (të trupave) sa herë që të jetë e nevojshme".
Ndërkohë forcat e gjeneralit Khalifa Haftar kanë qëlluar dhe rrëzuar një aeroplan dronë turk në jug të kryeqytetit libian Tripoli.
Në terren, në Libi, ndodhen tashmë 300 mercenarë rusë të Grupit Wagner që luftojnë për anën kundërshtare, përkrah Khalifa Haftar.
Muajin e kaluar, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se al-Sarraj kishte kërkuar vendosjen e trupave turke pas nënshkrimit të një marrëveshje ushtarake që i lejonte Ankarasë të dërgonte ekspertë ushtarakë dhe personel në Libi.
Jo vetëm kaq: të dy vendet kanë nënshkruar edhe një pakt tjetër, atë mbi kufijtë detarë i cili është kritikuar nga Europa.
"Vota e Parlamentit turk për Libinë rrezikon të rrit tensionet në një kontekst tashmë dramatik," komentoi Zv/Ministrja e Jashtme italiane, Marina Sereni, në Twitter.
"Misioni paqeruajtës i BE i propozuar nga Italia tani është gjithnjë dhe më i rëndësishëm dhe kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë embargon e OKB, të heshtin armët dhe t'i japin zë politikës".
Turqia po përpiqet të kundërshtojë atë që ajo e percepton si një izolim në tabelën e shahut mesdhetar lindor, ku Greqia, Qiprua, Egjipti dhe Izraeli kanë krijuar zona ekskluzive ekonomike për eksplorimin e naftës dhe gazit.
Sipas mocionit, Ankaraja nuk do të dërgojë trupa në Libi nëse Haftar do t'i japë fund ofensivës së tij. Por lufta rreth Tripolit është intensifikuar në javët e kaluara pasi Khalifa Haftar nisi "betejën përfundimtare" për pushtimin e kryeqytetit. Ai ka mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit, Francës dhe Rusisë.