Partia e Lirisë dhe PD e Sali Berishës kanë kërkuar mocion me debat në Kuvend me drejtuesit e ERE për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për fashën mbi 800 kWh. Kërkesa drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, është firmosur nga 15 deputetë, 4 deputetët e Partisë së Lirisë dhe 11 deputetë të Berishës.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili thotë se drejtuesit e ERE duhet të vijnë në Kuvend dhe të japin llogari pesëfishimin e çmimit të energjisë pas fashës 800 kWh. Sipas Vasilit, duhet të shpjegojnë edhe përse ju bind urdhrit të kryeministrit Edi Rama për të rritur çmimin, pasi ERE është një institucion i pavarur.

“Llogaridhënia nuk ndalet, kemi thirrur ERE-n ne Parlament për pesëfishimin e çmimit të energjisë! Kemi thirrur ERE-n ne Parlament, që të japë llogari per vendosjen çmimit të energjisë pesë fish më të larte pas 800 KË për qytetaret. 15 deputetë të Partisë se Lirisë dhe të Partisë Demokratike së bashku, kemi thirrur ERE- n të tregojë publikisht në Parlament se pse ju bind urdhrit politik të Edi Ramës për të pesëfishuar çmimin për qytetarët.

E kemi thirrur të tregoje se si shkeli pavarësinë e saj të garantuar me ligj për t'ju bindur urdhrit të çmendur të Edi Ramës, i cili ishte pa asnjë baze, por thjesht një provokim ndaj qytetarëve. E kemi thirrur të tregojë se çfarë i mbetet ERE-s, kur vete Edi Rama e hedh poshtë po vete Vendimin e ERE-s të një ditë më parë.

Menaxhimi mafioz i energjisë nga Edi Rama dhe qeveria është fakt që nuk e luan topi dhe i provuar me dokumente dhe të dhëna pa fund, te cilat vetëm ERE bëri sikur nuk i pa dhe sikur harroi. Provokimet e neveritshme të Edi Ramës ndaj qytetarëve dhe presioni i tij me energjinë gjeten mbështetjen e ERE-s, e cila me Ligj duhej të ishte barrierë dhe jo ortak i tij. Aksioni i opozitës për llogaridhënie dhe nxjerrjen e përgjegjësive në emër të qytetarëve nuk do të ndalet”, shkruan deputeti Petrit Vasili.

Për shkak të krizës energjetik, ERE miratoi fasha 800 kWh që për të gjitha ato familje që e kalojnë këtë fashë do e paguajnë energjinë me çmim 2 lekë kilovati plus Tvsh. Por, qeveria vendosi të shtyjë pa afat hyrjen në fuqi të faturimit të energjisë elektrike me fashën 800 kilovat që pritej të niste nga 1 tetori. Me këtë vendim, konsumatorët familjarë do të vazhdojnë të paguajnë 9.5 lekë për kilovat.