Rënia e temperaturave të nxehta që uli edhe kërkesën nga 17 mijë kwh në 11 mijë kwh , ndërgjegjësimi i qytetarëve për të kursyer si dhe përmirësimi i nivelit në Fierzë kanë qenë elementët që kanë ndikuar në vendimin e qeverisë për fashën 800 kwh. Pas një analize të gjerë, qeveria ka marrë vendimin për të shtyrë hyrjen në fuqi të fashës 800kËh për energjinë elektrike.

Lajmin pozitiv e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama i cili komunikoi me qytetarët lajmin e mirë se fasha 800 kwh për të gjithë konsumatorët familjarë të energjisë elektrike nuk do të hyjë në fuqi më 1 tetor.

Përafërisht 1 muaj pas vendimit të qeverisë për taksimin për çdo kilovat mbi 800 KwH që shpenzohet nga familjet, kreu i qeverisë u shpreh se ndërgjegjësimi i qytetarëve, uljes së kërkesës nga 17 mijë në 11 mijë, hyrja në fuqi e këtij vendimi është shtyrë. Si faktorë pozitiv ndikuan padyshim qasja pozitive e familjarëve, ulja e temperaturave, ulja e kërkesës nga 17 në 11 mijë por edhe prurjet e mira në Fierzë, aplikimi i kësaj fashe nuk do të hyjë në fuqi më 1 tetor.

‘Siç e kemi njoftuar, nga 1 tetori, d.m.th nga nesër është planifikuar hyrja në fuqi e fashës së konsumit 800 Kë mbi çmimin e mbrojtur nga qeveria për konsumatorët familjarë. Kjo fashë synon nga njëra anë mbrojtjen në vazhdimësi të 96% të familjeve, të cilat edhe gjatë dimrit nuk e kalojnë kufirin e 800 Kë. Nga ana tjetër, fasha synon që 4% e abonentëve, të cilët e tejkalojnë këtë kufi dhe konsumojnë afro 20% të të gjithë sasisë së energjisë, të paguajnë me çmimin real çdo kë mbi kufirin e 800 Kë.

Kjo nuk është një shpikje e jona, por një metodë e ndjekur nga plot vende për të nxitur kursimin e energjisë në këtë kohë kaq të zymtuar botërisht prej inflacionit të luftës, si dhe për të mos paguar nga taksat e të gjithëve, mbrojtjen e çmimit për konsumin e lartë të një pakice. Kursimi i energjisë është arma kryesore për ta kaluar këtë dimër pa kufizime energjie! 

Këtë nuk e them unë, por e thotë logjika e kësaj krize globale të shkaktuar nga lufta mes dy prej furnitorëve më të rëndësishëm të botës me energji, grurë e jo vetëm, dhe e përsërisin të gjitha qeveritë e Europës.

Disa ndër ne këtu në  Shqipëri thonë se vendi ynë s’ka lidhje me krizën energjetike, sepse ka ujë dhe ka hidrocentrale sa të duash, por as e para dhe as e dyta nuk janë të vërteta.

Burimet ujore varen nga reshjet, por edhe sikur ky vit të jetë ndryshe nga tre vitet e fundit rresht që kanë qenë vite rekordesh negative për sasinë e reshjeve, sistemi ynë energjetik, me hidrocentralet plot e përplot, plotëson vetëm 75% të nevojave për energji.

Ne siç e keni parë po ecim, dhe po ecim sipas planit që të arrijmë të plotësojmë 100% të nevojave me prodhim të brendshëm energjie brenda këtij 10 vjeçari, dhe për ta bërë Shqipërinë një vend energjitikisht sovran si dhe eksportues neto të energjisë.

Por pikërisht se hë për hë nuk i plotësojmë dot të tëra nevojat, duhet të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar, aty ku goditen të gjitha vendet e Europës nga çmimet çmendurake të energjisë në këtë kohë lufte.

Megjithatë unë dhe kjo qeveri, jemi këtu, jo vetëm për të garantuar mbrojtjen e çmimit të energjisë së konsumatorëve familjarë e të bizneseve dhe furnizimin e pandërprerë të tyre me energji, por edhe për të mos lënë asgjë pa bërë, që barra faktike dhe psikologjike e kësaj lufte, dhe e inflacionit që ajo ka sjellë, të lehtësohet sa më shumë.

Pa dashur t’ju marrë kohë e t’ju lodh me shumë fjalë, jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë. Në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kë, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 Kwh, sot është rreth 11, 000 Kwh.  Në 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 Këh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë.

Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetë ditëshit të parë të tetorit.

Prandaj në këto kushte, bazuar sigurisht në një analizë shumë më të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, si dhe me angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që krijohet që ta lehtësojmë sadopak barrën faktike, por dhe atë psikologjike të kësaj situate, mbi të gjitha familjet, të cilën s’e ka krijuar qeveria, po qeveria e ka barrën ta menaxhojë sa më mirë të jetë e mundur, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 Kwh të mos hyjë në fuqi në muajin tetor.- tha Rama.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se situatën inflacioniste e sjell lufta dhe jo qeveria e cila ndodhet në krye të detyrës. Rama gjithashtu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të jenë sa më të kujdesshëm dhe të kursejnë energji.

‘E ndërkohë që të gjithë duhet të jenë sa më të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë, askush nuk duhet ta verë në dyshim se unë dhe kjo qeveri do të bëjmë më të mirën.

Inflacionin e ka sjellë lufta, nuk e ka sjellë qeveria, por qeveria do të jetë në krye të detyrës, që njësoj siç ia dolëm më së miri me tërmetin dhe me pandeminë, t’ia dalim edhe me këtë fatkeqësi të re që ka rënë mbi botën, e veçanërisht mbi Europën ku jetojmë.’- përfundoi Kryeministri.

Kujtojmë se vendimi i qeverisë për fashën 800 kwh u miratua nga ERE më 23 shtator. Elemente pozitivë ndikuan në skemën e parashikuar nga qeveria për përballimin e krizës gjë ndikoi në shtyrjen e taksimit të fashës 800 kilovat vetëm një javë pas miratimit nga Enti Rregullator i Energjisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:01
Shtyrja e fashës 800 kwh, Tabaku: Nuk bëri nder! Tregoi që argumentet tona ishin të sakta, vendim arbitrar

 

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar mbi shtyrjen e vendimit për qeverisë ndaj fashës 800 kilovat. Sipas Tabakut, vendimi i Ramës është thjesht tregues se argumentet e opozitës ishin të sakta.

‘Dorëheqja e qeverisë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për fashën mbi 800 kËh për një muaj nuk është një nder I madh që I bëhet. Vendosja e kësaj fashe dhe aplikimi I saj ndoshta muajin tjetër, kjo është barra më e madhe për shtresën e mesme në Shqipëri.

100.000 familje të cilët do të paguajnë një çmim 4 herë më të lartë, çmim më I lartë në mënyrë absolute në rajon, por njëkohësisht dhe në të gjithë vendet e Europës, krahasuar me pagën që kjo shtresë e mesme merr.

Nëqoftëse kësaj rritje të trafiës së energjisë elektrike I shtojmë tatimin mbi të ardhurat personalë 23%, rritjen e çmimit të karburantit, transportit publik, ushqimeve, çdo rritje tjetër, sot shtresa e mesme e Shqipërisë bëhet shtresa e mbitaksuar.

Nuk bëri nder që e tërhoqi me një muaj, thjeshtë tregoi që argumentat tona ishin të sakta, thjeshtë tregoi që vendimi ishte arbitrar, abuziv. Është shumë mirë që qeveria I kërkon qytetarëve të kursejnë. Duhet të kursejmë sepse është periudhë krize, duhet ta menaxhojmë më mirë buxhetin familjar. Ore po kjo qeveria vetë a po kursen? A po shtrëngohet qeveria? A po ul shpenzimet e kontratave korruptive konçensionare dhe PPP? Qeveria shqiptare a po vendos prioritete për shpenzimet e luksit? A po heq qeveria shqiptare dorë nga gjitha projektet abuzive? A po vazhdon të paguajë faturat e arbitrazhit?

Këto janë kursimet që duhet të bëjë buxheti I shtetit që të kalojmë krizën energjitike. Këto kursime që ka për detyrë çdo qeveri e përgjegjshme të bëj. Ndërkohë që qeveria jonë të gjithë koston e këtyre vendimeve korruptive, arbitrare, të keqmenaxhimit, të arrogancës po I'a kalon qytetarëve shqiptarë. Po rrit çmimin e energjisë elektrike!

E theksoj edhe njëherë, nuk po bën nder që nuk po e rrit me 1 tetor! Do e rrisi me 1 nëntor, po njësoj është. çmimi I energjisë elektrike është fakt që po rritet!

Unë besoj që sot ne duhet të ishim duke diskutuar për alternativa! Sot duhet të ishin duke diskutuar se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. Si do ta diversifikojmë energjinë? Si do të mundemi ne që të jemi një portë hyrse në rajon për gazin e lëngshëm? Pse qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë investim për të lidhur TAP-in, një aset strategjik që ne kemi fatin dhe luksin që të kaloj në Shqipëri? Me tubacione, me portin e Vlorës ose dhe me tecin e Vlorës? Pse nuk është bërë asnjë investim për ta vendosur në punë tecin e Vlorës? Për dy kullat, por njëkohësisht për sistemin e ftohjes? Pse nuk kemi absolutisht asnjë investim, përveç nji investimi strategjik në energjinë solare, parqet fotovoltaike? Pse 35 investime strategjike, hotele, resorte dhe vetëm 1 për energjinë solare?

Pse qeveria shqiptare në 8 vite dështoi që ta bëj Shqipërinë të aftë që të tërheq investime të huaja në fushën e energjisë elektrike dhe për të shfrytëzuar më mirë atë që na ka falur Zoti, ato burime që Shqipëria I ka dhe që duhej të ishte lider në rajon. Pse? Ka shumë pyetje, ka shumë pse, të cilat të gjitha e kanë përgjigjjen tek keqmenaxhimi I sektorit, tek abuzimet me sektorin. Dhe prandaj sot detyrohemi që rrisim çmimin e energjisë elektrike për familjet shqiptare.

Sot krizën e buxhetit, krizën e menaxhimit, krizën e korrupsionit, krizën e arrogancës e bëjmë krizën e familjeve shqiptare!

Nuk duhet që të rritet çmimi I energjisë elektrike, as më 1 nëntor!

Shqipëria I ka mundësit, buxheti I shtetit I ka mundësitë. Nuk duhet në mënyrë absolute barra t’i kalojë 100.000 familjeve të mesme shqiptare!’- shkroi Tabaku.