Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, reagoi të enjten kundër miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal, duke e quajtur paketën e re ligjore një “manovër autoritare” që godet qytetarët e zakonshëm dhe mbron zyrtarët e korruptuar.
Në një deklaratë publike, Xhixho akuzoi mazhorancën se i kaloi ndryshimet me “nxitim të qëllimshëm”, duke refuzuar propozimet e opozitës dhe opinionet e ekspertëve, ndërkohë që përdor retorikën e integrimit europian si mbulesë për atë që ajo e cilëson “forcim politik të ligjit penal”.
“Qeveria po përdor retorikën e integrimit dhe të sigurisë për të ashpërsuar dënimet për qytetarët, ndërkohë që vetë shteti mbron Zëvendëskryeministren nga masa e arrestit e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme. Ky është standardi i dyfishtë i kësaj maxhorance: ashpërsi për qytetarët, imunitet për pushtetin,” u shpreh Xhixho.
Ajo veçoi si absurde vendosjen e dënimit deri në një vit burg për parkim të dyfishtë, duke theksuar se në një vend ku mungojnë politikat urbane, kriminalizimi i këtij problemi është tregues i dështimit qeverisës.
"Me Kodin e Ri Penal, Shqipëria bëhet i vetmi vend në Europë që parashikon dënim deri në 1 vit burg për parkim të dyfishtë. Një absurditet ligjor që nuk zgjidh asnjë problem real, por prodhon frikë dhe represion. Sot, parkimi është një makth i përditshëm për qytetarët: nuk ka parkime publike, nuk ka rrugë të reja, nuk ka asnjë politikë urbane për të zgjidhur këtë situatë, as në Tiranë dhe as në qytetet e tjera të vendit. Qeveria dështon të menaxhojë kaosin urban dhe më pas zgjedh ta kriminalizojë atë" tha Xhixho
Në të njëjtën kohë, Xhixho denoncoi ashpërsimin e masave për ndërtimet pa leje, zjarrvëniet apo zënien e tokave, ndërsa, sipas saj , zyrtarët që kanë lejuar dhe favorizuar paligjshmërinë mbeten të paprekur.
Në fokus të kritikës së Xhixhos ishte edhe ndryshimi për çështjen e shpifjes. Sipas Xhixhos, propozimi për dekriminalizim është një mashtrim, pasi përfitues do të jenë vetëm gazetarët e regjistruar sipas një skeme të kontrolluar nga qeveria. Ajo paralajmëroi se ky formulim krijon përjashtim arbitrar dhe hap rrugën për presion politik mbi median e lirë, duke përmendur edhe reagimin kritik të Federatës Evropiane të Gazetarëve.
Sipas saj, Kodi i ri nuk përmban asnjë nen për ndëshkimin e zyrtarëve që shpërdorojnë detyrën apo që abuzojnë me fondet publike. “Mesazhi është i qartë: qytetarët ndëshkohen, shteti korruptiv mbrohet,” përfundoi Xhixho.
Komente












