Të mërkurën, Kuvendi shtyu pa afat mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për çështjen e Belinda Ballukut, dje për avokatin Ndue Pjetri, situata tregon se parlamenti dhe gjykata po ia “hedhin topin” njëra-tjetrës.

Gjatë një interviste për Studio Live në Report TV, Pjetri tha se palët po tentojnë të negociojnë një zgjidhje: nëse Kuvendi heq imunitetin e Ballukut, atëherë pritet që gjykata të vendosë një masë më të lehtë sigurie, siç mund të jetë detyrim paraqitjeje ose arrest në shtëpi.

“Nuk është problemi i drejtë apo jo. Problemi është që gjykata dhe parlamenti po ia hedhin topin njëra tjetrës. Gjykata Kushtetuese nuk shprehet për çështjen por vetëm për veprimet nëse janë të drejta dhe në kompetencë të tyre. Edhe sikur tia heqin mandatin, edhe sikur prokuroria të kërkojë arrest me burg është gjykata ajo që vendos. Ata po kërkojnë të negociojnë mirë nëse parlamenti ia heq imunitetin do të marrë në garanci që gjykata të japë detyrim paraqitje” tha ai.

Avokati parashikon se Gjykata Kushtetuese do të shprehet shumë shpejt për çështjen Balluku dhe renditi tre skenarë të mundshëm:

“Varianti i parë është që të thotë që SPAK dhe as GJKKO nuk ka gabuar. Kësisoj do kthehet menjëherë masa e pezullimit. Varianti i dytë është që Gjykata Kushtetuese do të thotë që janë shkelur të gjitha parimet dhe cënon qeverisjen, atëherë parlamenti e ka më të lehtë që ti thotë ‘jo’ masës së kërkuar nga SPAK për heqjen e imunitetit. Varianti i tretë është që do të kemi një rrisk të madh politik në mbrojtjen e Ballukut sepse nëse bie Balluku bie qeveria. Janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme. Është një trysni e madhe në popull për këtë çështje” tha Pjetri.

“Mendoj që deri në fillim të javës tjetër, do të ketë një vendimmarrje dhe do të përfundojë kjo situatë” shtoi ai.


Pjetri komentoi edhe ndryshimet e miratuara në Kodin Penal, përfshirë faljen e shpifjes për gazetarët dhe dënimin me burg deri në një vit për parkimin të dyfishtë.

Sipas tij se ligjet po miratohen pa vizion dhe se parkimi i dyfishtë është pasojë e keqqeverisjes. Pjetri gjithashtu sugjeroi që shkeljet për vepra të tilla duhen konvertuar në gjoba. Duke sjellë në vëmendje faktin që 90% e të burgosurve në vend janë sipas tij ‘hallexhinj”, Pjetri tha se vendimarrjet ligjore duhet të reflektojnë realitetin social, e jo të vijnë masa të nxituara penale.