TIRANE- Partia e re e Topit po shtrihet dhe në vendet fqinje, për të ngritur dhe bërë gati strukturat e partisë në emigracion, në mënyrë që themelimi i saj në fund të këtij muaji ta gjejë të konsoliduar dhe të gatshme dhe në radhët emigrantëve. Grupi i punës që po udhëheq tërë skemën për krijimin e partisë më të re të spektrit të djathtë nënvizon se kanë filluar kontaktet në vendet fqinje në Itali dhe Greqi, por kanë mbërritur deri në Gjermani, Zvicër e Belgjikë ku jeton një komunitet i madh shqiptar, për të ngritur seksionet e para të kësaj partie, të cilat në një kohë relativisht të shkurtër do të shërbejnë dhe si bërthamat e krijimit të degëve të partisë së re të Topit në të gjitha vendet ku ka emigracion shqiptar. Ndërkohë që kontaktet kanë shkuar deri në Angli, pa lënë jashtë skemës dhe SHBA, vend në të cilin tashmë me efikasitet të plotë, ish-kryetari i PD dhe njëri ndër nismëtarët e krijimit të partisë së re të djathtë, Eduart Selami po e shtrin mbështetjen për të. Një iniciativë e tillë e grupit të punës së partisë së re të Topit ka startuar tashmë për shkak se dhe partitë e tjera kanë degët e tyre në të gjitha vendet ku ka shqiptarë në emigrim. Ndërkohë që anëtarë të PD, të pakënaqur nga qeverisja e demokratëve dhe nga lidershipi i demokrat, pasi nuk e kanë gjetur veten në këtë parti, sipas Biberajt, njërit prej anëtarëve të grupit të punës së partisë së Topit, janë orintuar drejt partisë së re të qendrës së djathtë, duke konsoliduar radhët e saja, pavarësisht se ende nuk është bërë shpallja zyrtare. Dhe për të dhënë përkrahjen e tyre për këtë parti por dhe për të qënë prezent me votën e tyre në ndryshimin e kursit të politikës shqiptare, emigrantët janë në pritje të miratimit të Kodit, ku pritet të përfshihet dhe vota e tyre, duke filluar nga zgjedhjet e adhshme parlamentare. Në të kundërt do jenë të detyruar që të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të hedhur votën e tyre ditën e votimit dhe për t'u kthyer sërish pranë vendeve të punës në vendet ku kanë emigruar. Ndërkohë që partia e re e të djathtës që pritet të drejtohet nga presidenti Topi menjëherë pas mbarimit të mandatit të tij në krye të shtetit është në pritje të ardhjes së ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Eduard Selami. Ai mendohet të vijë në ceremoninë që do organizohet për prezantimin e forcës më të re politike në fund të muajit mars. Grupi i punës së krijimit të kësaj partie thotë se ceremonia pritet të sjellë të tjera surpriza, duke lënë për të kuptuar se do të ketë një numër të madh figurash, pse jo dhe deputetësh të PD që do të jenë pjesë e kësaj partie që në themelimin e saj. Mësohet se që në momentin që të krijohet kjo parti do të depozitojë në Kuvend nismën për hapjen e dosjeve për ish-bashkëpuntorët e Sigurimit të shtetit e të njerzve të lidhur me ish-nomenklaturën komuniste. Nismën do ta dorëzojë deputeti i kësaj partie, Oketa, ku mësohet se projekti që është bërë nga Biberaj, ish-kryeministri Meksi e kryetarja e shoqatës për të drejtat e njeriut, Ballauri është bazuar në praktikat më të mira evropiane.
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)









