Me shfaqjen në atmosferën politike të partive të reja, të krijuara nga  të pakënaqurit me lidershipin e Partisë Demokratike, është shtuar edhe një tjetër pikë në listën e kërkesave  të aleatëve tradicionalë ndaj Lulzim  Bashës. Ata i kërkojnë kryedemokratit që si drejtues i opozitës së Bashkuar, të mos mbyllë dyert e bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare. Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu thotë se opozita është e rrezikuar nëse shkon e fragmentizuar në drejt 25 prillit.

 “Përsa kohë jetojmë në demokraci, secili ka të drejtë të krijojë partinë e tij. Ajo që duhet të na bashkojë të gjithëve është qëllimi për të larguar Edi Ramën, dhe nga pikëpamja elektorale që asnjë votë të mos shkojë dëm. Ato vota që nuk përkthehen në mandate shkojnë dyfish në interes të Ramës, dhe këtu duhet gjetur rruga e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit politik. Askush nuk ka të drejtë të përjashtojë askënd, vetëm nëse ata duan të përjashtojnë veten”, shpreht Fatmir Mediu.

Mediu thotë se opozita duhet tashmë të përcaktojë platformën qeverisëse dhe kandidatët  e saj.

“Është e rëndësishme që të kemi një kohezion të veprimeve politike, përsakohë mendojmë që jemi të bashkuar. Qëllimi politik duhet të na bashkojë dhe mënyra sesi do të qeverisim”, thotë Mediu.

Të njëjtën thirrje, Mediu e përsëriti edhe  gjatë takimit me strukturat në Vlorë. Ai tha se Kryeministri Rama nuk do të ndalet në rrugën e tij të manipulimit të zgjedhjeve,  prandaj opozita duhet të ofrojë alternativën për të rikthyer vendin në rrugën e historisë së tij Europiane .