Të shtunën do të luhen katër ndeshjet që mbyllin edhe javën e 23 të Superligës, me Partizanin që në ‘Air Albania’ do të presë ekipin e Bylisit, ballshiotët të cilët në ndeshjet e para i kanë marrë një fitore dhe një barazim skuadrës kampione në fuqi. Partizani gjithsesi vjen nga një moment i mirë pasi ka tre fitore radhazi, ndërsa në prag të këtij takimi trajneri Adolfo Sormani është shprehur:
“Në foksuin tim është vetëm sfida me Byslin pavarësisht se javën e ardhshme është derbi. Mendoj se kundër Bylisit do të jetë tepër e vështirë. Është një skuadër shumë agresive. Ne do të hyjmë në fushë me kokën ulur dhe do të përqendrohemi të marrim rezultat pozitiv.”
Ashtu si Partizani në orën 17:00 Skënderbeu do të presë ekipin e Teutës në shtëpi. Korçarët vijnë pas një barazimi me Tiranën dhe synojnë të mos zbresin më në vendin e tetë, ndërkohë që në prag të takimit trajneri Ilir Daja ka deklaruar:
“Kemi patur dy përballje ku njërën e kemi fituar dhe tjetërn e kemi humbur me të njëjtën rezultat. Kjo do të thotë se nesër është një përballje e vështirë, por nëse duam të bëjmë mirë duhet të kemi kujdes me finalizimin që të marrim fitoren.”
Ndërkohë në Vlorë Flamurtari që mori fitoren e parë në këtë kampionat do të presë Laçin, skuadrën që u mposht nga Partizani. Sa i përket Flamurtarit ka optimizëm pas zhbllokimit të merkatos dhe ndeshjet në vijim do të jenë jetë a vdekje.
Takimi tjetër i kësaj jave do të jetë mes Vllaznisë dhe Luftëtarit, me shkodranët të cilët do të kërkojnë me patjetër fitoren.
Erdenis Gurishta, futbollist i Vllaznisë: “Fitorja është detyrim sepse tani nuk ka më justifikime pasi kampionati po shkon drejt futndit. Duhet të marrim patjetër fitoren në ndeshjet brenda pasi na duhen pikët e plota.”