Partizani ka pësuar humbjen e dytë në kampionat në javën e katërt të Superligës pasi është mposhtur minimalisht 1-0 në transfertë nga Laçi. Kurbinasit e drejtuar nga Sulejman Starova ishim më këmbëngulës në këtë takim dhe pas pjesës së parë të mbyllur me porta të paprekura në të dytën arritën të zhbllokonin rezultatin.
Ishte Lushkja në minutën e 60 që goditi nga distance duke mposhtur portierin Alban Hoxha pasi e dërgoi topin në cepin e portës. Kjo për Laçin ishte fitorja e parë na kampionat, ndërsa në këtë sfidë vinte vetëm me një pikë pas tre ndeshjesh.
Ndërkohë surprizat kanë vijuar edhe në takimin tjetër të ditës së dielë mes Bylist dhe Kukësit. Skuadra ballshiote pasi mposhti Skënderbeun të njëjtën gjë ka bërë edhe me Kukësin, të cilën e ka ‘likuiduar’ me permbysje me shifrat 2-1.
Të parët që kaluan në avantazh ishin verilindorët të cilët zhbllokuan me Limajn, por vendasit fillimisht në pjesën e parë me Hidin që ekzekutoi një penallti dhe më pas Guindo në fundin e kohës së rregullt përmbysën shifrat.
Pas 4 javësh kampionat udhëheq Tirana me 10 pikë, 2 më shumë se Teuta e vendit të dytë dhe 3 më shumë se Kukësi i vendit të tretë.