Pas homazheve, partnerja e tij në skenë, Liljana Cingu, e cila vetëm pak ditë më parë u dekorua nga Presidenti Ilir Meta së bashku me Çelikun, si “Nderi i Kombit” ka dhënë një mesazh plot dhimbje për humbjen e madhe.
“Sa e vështirë është të flasësh për këtë humbje... Kur Rexhepi dhe unë u dekoruam, ishte një ditë shumë emocionuese. Ai iku sot, po fluturon dhe si krenar që ka qenë në skenat e vendit dhe jashtë ka nderuar vendin dhe nderi i kombit i takonte atij. Ai ishte një legjendë, fluturonte kudo që shkelte, edhe gurët e sokakut po qajnë për Rexhepin. Unë i them sot, Rexhep të kam në krahë dhe po kërcejmë akoma vallen e bukur të shqipeve. Kjo është humbje e madhe për vendin, për vlerat e ansamblit”- tha ajo.
Pyetur nga media nëse Rexhep Çeliku kishte ndonjë peng, ajo u përgjigj: “Unë i thosha gjithmonë "vëlla", "vëlla" u lodhe, sa orë punove dhe sa valle do kërcesh, e kisha "vëlla" më tepër se një partner. Largimi i Rexhepit është shumë e rëndë, por Rexhepi nuk është larguar, Rexhepi po fluturon këngën e shqipeve. Pengu më i madh ishte që edhe sot ai po fluturon, që vallja të mos ndalet, të vazhdojë dhe Shqipëria të jetë një shqiponjë ashtu si e meriton”.
Liljana Cingu zbulon gjithashtu se Rexhep Çeliku u ngjit në skenë edhe kur bëntë kimioterapi për të luftuar sëmundjen e rëndë. "Në Parma nuk e besonin që Rexhepi ishte i sëmurë. Rexhepi nuk ka ikur, por po fluturon me vallen e shqipeve për t'iu thënë të gjithëve se vallja e shqipeve kurrë nuk mbaron".
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO









