Pas tri ditësh debatesh dhe zvarritjesh, Parlamenti i ri i Serbisë zgjodhi këtë të enjte kryetarin e ri, Aleksandar Çupiç, kandidatin e Listës Studentore, e cila ka shumicën parlamentare. Seanca u shoqërua edhe me përplasje mes ish-presidentit Aleksandar Vuçiç dhe kreut të grupit parlamentar të Listës Studentore, Jovo Bakiç, për Kosovën, sulmin në Banjskë dhe Milan Radoiçiçin.

Çupiç u zgjodh me 140 vota, ndërsa rivali i tij nga opozita, Stojan Radenoviç, mori 97 vota. Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiçit ndodhet tashmë në opozitë pas 14 vitesh në pushtet.

Në fjalën e parë si kryetar i Kuvendit, Çupiç kërkoi rikthimin e dinjitetit të Parlamentit, duke theksuar se dialogu dhe toleranca duhet të bëhen pjesë e kulturës politike. Ai shprehu keqardhje edhe për faktin që studentëve nuk u ishte lejuar të ndiqnin seancën nga galeria.

Pikërisht kjo çështje u bë shkak për debatin mbi Kosovën. Jovo Bakiç kujtoi se studentëve nuk u ishte lejuar hyrja në galerinë e Kuvendit, ndërsa Milan Radoiçiçi, organizatori i sulmit të armatosur në Banjskë në shtator 2023, kishte qenë i pranishëm aty më parë.

Bakiç akuzoi Vuçiçin se kishte ndryshuar qëndrim ndaj Radoiçiçit, duke pretenduar se fillimisht thoshte se nuk e njihte, ndërsa më vonë e justifikonte me argumentin se mbronte serbët në Kosovë.

“Personi, emrin e të cilit nuk e përmendim, fillimisht thoshte se nuk e njihte Milanin, ndërsa më vonë deklaroi se Radoiçiçi nuk ishte ndonjë engjëll, por se mbronte serbët në Kosovë dhe Metohi. Dhe si i mbrojti? Bëri një turp në Banjskë. Kjo është e turpshme. Pas kësaj, ajo u përdor si justifikim që trupat shqiptare të hynin në veri të Kosovës, të pushtonin veriun e Kosovës”, deklaroi Bakiç

Ai ironizoi edhe premtimet e dikurshme të Vuçiçit për liqenin e Gazivodës.

“Nuk e jap Gazivodën, nuk e jap Gazivodën, le të më vrasin, nuk e jap Gazivodën!”, tha Bakiç, duke imituar Vuçiçin.

“Po çfarë ndodhi me Gazivodën? Çfarë ndodhi? Turp, turp për popullin serb! Ky është regjimi i mëparshëm i krimit të organizuar”, vazhdoi ai.

Kreu i grupit parlamentar të Listës Studentore kërkoi gjithashtu të dinte se ku ndodhen Milan Radoiçiçi dhe biznesmeni serb nga Kosova, Zvonko Veselinoviçi, duke ngritur akuza për pasuritë e tyre dhe lidhjet me ish-pushtetin.

“Ku janë sot Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç? Ku janë? Përveç faktit që kanë pasuri të jashtëzakonshme, janë pronarë të mëdhenj tokash në Republikë. Ku janë? Për njërin e dimë se shoqërohej me vëllain e atij, emrin e të cilit nuk e përmend. Ekzistojnë fotografi. Zvonko Veselinoviç, ekzistojnë fotografi për këtë”, deklaroi Bakiç.

Vuçiçi iu përgjigj duke mbrojtur praninë e Radoiçiçit në Kuvend, me argumentin se ai kishte marrë pjesë si nënkryetar i Listës Serbe në një seancë të posaçme kushtuar Kosovës.

"Kur folët për praninë e zotit Radoiçiç këtu, nuk thatë vetëm një gjë: se ai ishte i pranishëm si nënkryetar i Listës Serbe, sepse tema ishte Kosova dhe Metohia. Këtu po zhvillohej një seancë e posaçme e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë dhe për këtë arsye ai ishte ulur aty. Vetëm këtë hollësi nuk e përmendët”, deklaroi Vuçiçi.

Përplasja vjen vetëm dy ditë pasi Radoiçiçi u shpall në kërkim nga autoritetet serbe, më 17 nëntor, pasi nuk u paraqit në polici. Ai ka pranuar organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.