TIRANE- Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se ka emëruar në krye të Zyrës së Punësimit në Kavajë një person i cili dy vite më parë u shpall në kërkim nga prokuroria për kontrabandë. Por mjaftuan pak orë, që kreu i Zyrës së Punësimit në Kavajë, Sajmir Kurti paraqiti dorëheqjen e tij nga posti i sapo marrë, me argumentin se ai u përgojua nga Partia Demokratike. Por ky nuk është rasti i parë që PD bën akuza dhe më pas shkarkohen personat e akuzuar. Konkretisht, dy ditë më parë, PD akuzoi kreun e AKU-së në Vlorë se është një person i cili është arrestuar më parë, për prodhim të lëndëve të rrezikshme për shëndetin, gjë që solli edhe shkarkimin e tij.

Ditën e djeshme, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti shkarkoi Aleksandër Kalemaj, i cili ishte në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Vlorë pas akuzave që Partia Demokratike bëri ndaj tij. Pavarësisht qëndrimeve të mbajtura nga krerët e Ekzekutivit, PD vijoi dje që të akuzonte sërish qeverinë, se nuk po bën asnjë gjë për të larguar personat e inkriminuar nga postet e larta drejtuese. Sipas zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi theksoi se rilindja e qeverisë është vetëm rilindja e personave të inkriminuar.

“Mund ta dalloni në këtë foto, personin e shpallur në kërkim për kontrabandë, që qëndron para kryeministrit dhe në krah të ministrit. Nuk do mend e kalem për ta kuptuar se sa boshe është retorika e Kryeministrit për merita e profesionalizëm. Me emërimin që po denoncojmë ne sot, del qartë se rilindja e Edi Ramës, është thjeshtë e vetëm, rilindje e personave që kanë probleme të rënda me ligjin, por që i shërbejnë interesave klienteliste të partisë, Kryeministrit dhe Ministrave të linjës.

Një ditë më parë, ne denoncuam një tjetër rast të rëndë, siç ishte emërimi si përgjegjës i AKU-së i një personi të arrestuar për prodhim të paligjshëm të mallrave të rrezikshëm për shëndetin. Heshtja e Kryeministrit vetëm e zmadhon skandalin dhe e trash më shumë qeverisjen e tij”,- theksoi zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.

Shkrimi u publikua sot (20.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)