Sensibilizim i jashtëzakonshëm për të ndihmuar pacienten 44-vjeçare Lindita Maloku nga Fieri e sëmurë me kancer, pas publikimit të rastit të saj në A1 Report.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i spitalit privat Hygeia, i cili ka kontaktuar menjëherë me pacienten 44-vjeçare, për t’i ofruar ndihmë për të luftuar sëmundjen.

Por edhe spitale të tjera private kanë telefonuar në redaksinë e A1Report, duke kërkuar kontakte me pacienten nga Fieri. Ata kanë shprehur interesim për gjendjen e të sëmurës e për të vepruar sipas protokollit mjekësor, fillimisht me ekzaminimet e më pas me kurimin e saj.

Nga një situatë mjaft kritike, ku zonja Maloku kishte humbur çdo shpresë për të gjetur mundësi kurimi, ajo gjendet tashmë përballë disa alternativave, falë senzibilizimit në televizionin A1Report. 

Të shtunën e 4 tetorit, 44-vjeçarja apeloi për ndihmë nëpërmjet televizionit A1Report, pasi mundësia ekonomike nuk ia lejonte luftimin e kancerit në gji. Korrespondenti ynë solli pamje nga banesa e zonjës Maloku, ku dukej shumë qartë situata e rëndë ekonomike në të cuilën ajo jetonte, në kushtet kur ajo është e divorcuar dhe i duhet të rrisë dy fëmijë.

Redaksia online
(Shqiptarja.com)