Përtej zhurmës, trazirave politike që marrin një tjetër dimension në alegoritmin e rrjeteve, ka një problem, në realitet një “stand off” politik që është kyçi i zhvillimit politik shqiptar.
Aq sa mund të jetë barometri i një ndryshimi politik jo vetëm në statusquo-në e asaj që politikanët e quajnë “rrotacion”, por një ndryshim real në formë, e sidomos në përmbajtjen e cilësisë së bërit politik për ndryshimet në territor.
Ngërçi politik real i politikës shqiptare nuk është ajo që po ndodh me flamingot, pasi shansi u humb herët, apo me lëvizjet në boshllëk për të prodhuar politikë nga “masa” e revolucionit, apo një ndryshim konceptual i klasës politike të opozitës.
Ky ngërç përbën realisht nyjën gordiane jo vetëm të politikës shqiptare, por edhe një udhëkryq i zhvillimit të vendit.
Bëhet fjalë për Tiranën, e cila duke qenë në realitet më shumë se gjysma e Shqipërisë, jo vetëm në aspektin demokrafik, por edhe ekonomik, social e teknologjik, rrezikon të kthehet nga një mundësi e artë në një shans zhvillimi.
Përkatësisht në një viktimë politike, që do të ndikojë rëndë në cilësinë e jetës jo vetëm të banorëve të kryeqytetit, por mbarë vendit.
Fushata për kryebashkiakun e ri të Tiranës është realisht sfida më e rëndësishme politike, por edhe më tej e nivelit të shoqërisë.
Duke qenë se këtu politika është e përqendruar dhe e polarizuar në duart e liderëve kryesorë, polarizimi politik i zakonshëm i betejës politike të ardhme të Tiranës, ku opozita kërkon “hakmarrjen” e humbjeve duke bombarduar kundërshtarin, e mazhoranca mbrojtjen e mandateve të saj, rezultati mund të jetë drastik e i rëndë.
Ku helmi i fushatës negative mund të mbizotërojë në një betejë ku fusha është e pamatë për të ngritur nivelin e një debati që i përshtatet zhvillimit dhe nivelit të shoqërisë së Tiranës.
Një fushatë negative me sulme e kundërsulme, natyrisht që nuk mund të shmanget, pasi kemi zhvillime aq të forta, duke nisur me rastin e Erion Veliajt. I cili ka për të qenë një argument shumë i rëndësishëm i fushatës, ku përveç agresionit politik të pritshëm të opozitës në tërësi, mazhoranca, përkatësisht PS e lidershipi i saj s’mund ta mbajë gojën mbyllur më për trashëgiminë e tre mandateve të kryetarit të saj të bashkisë.
Ka shumë gjasa që deri atëherë, vetë Veliaj të kthehet në protagonist i kësaj beteje, natyrisht jo për tu zgjedhur më, pasi do të thirret në kauzë. Megjithatë, edhe dominimi i këtij argumenti do të rezultojë sipas të gjitha gjasave një grackë, ku nuk fiton as opozita, e as vetë ngjarja-pra Tirana e sfidës së re.
Ndërkaq, argumenti i përdorur tej mase këto vite e dilemës së zhvillimit apo konservimit të vlerave urbane të vjetra është i tejkaluar.
Tirana, është në një rrugë pakthim zhvillimi drejt një metropoli që prodhon ekonomi e pasuri, ngaqë këtu është zemëreku i ekonomisë, demografisë, e sidomos modernizimit të saj. Ku teknologjia e turizmi kryesisht i të rinjve nga Europa dhe vende të zhvilluara të botës është një pasaportë shumë e rëndësishme për një të nesërme edhe më premtuese në këtë zhvillim.
Ndaj, sfida e Tiranës është beteja e një niveli më të lartë të debatit mbi të gjitha për Tiranën e së nesërmes. Pasi kryeqyteti ka sfida problematike sidomos për modernizimin urgjent të transportit publik dhe zgjidhjes së kësaj çështjeje që është bërë gangrenë për qytetarët, e mobilitetit në tërësi.
Pasi Tirana ka një mungesë simetrie në raportin zhvillim-demografi, ngaqë sot numri më i madh dhe dendësia e banorëve është në zona me probleme të rënda infrastrukturore. Zona të mbipopulluara si blloqet e Komunës së Parisit, Yzberishit, Astirit e Freskut kanë sot një peshë më të madhe jo vetëm demografike, por edhe politike, pasi janë zonat që prodhojnë më shumë deputetë në zgjedhjet parlamentare dhe janë kyçe në zgjedhjet e bashkisë.
Një debat serioz për një modernizim dhe investime kolosale në infrastrukturën e rrugëve, transportit publik dinamik, e European në të gjithë kuptimin e fjalës, është një shans që avancon dhe ngre nivelin politik përfundimisht drejt një steke që i shkon një kryeqyteti që pret të hyjë në BE.
Deri më sot janë vetëofruar si kandidatë: Erion Braçe, Ilir Alimehmeti, Arlind Qori, e gjasat janë edhe të tjerë. Emra që kanë potencial për një diskutim civil dhe mbi përmbajtjen që rrit cilësinë e jetës së qytetarëve, jo thjesht një polarizim politik që mund ta shkatërronte fushatën.
Shansi i debatit për Tiranën, argumentet reale mbi idetë e zhvillimin, mund të jenë realisht edhe çelësi i një ndryshimi real të statusquo-së politike, jo thjesht për rrokadë, por për një transformim real dhe që i përgjigjet statit të bërjes së një kryeqyteti i një vendi të Bashkimit Europian. Përndryshe, mund të jetë një tjetër shans i humbur që natyrisht nuk është i pari.











Komente
Komento