TIRANE- Rritja e e çmimit të aksizës për  karburantet, duket se po fillon të rëndojë çdo ditë e më shumë në xhepat e qytetarëve. Pas paralajmërimeve të bëra publike pak ditë më parë  në media nga sindikata e taksistëve, duket se shoferët e taksive kanë filluar të praktikojnë pagesa të reja për shërbimin që ofrojnë. Edhe pse çmimi duket se ka ndryshuar me 10-12 lekë për litër, vetë taksistët shprehen se nëse i mbledh në total shpenzimet e shtuara, të gjitha rëndojnë shumë në xhepat e tyre. Shqiptarja.com ka ndjekur nga afër ndryshimet që kanë pësuar çmimet e reja, që kanë filluar të aplikohen nga taksistët.

Rritet çmimi
Përshëndetja me taksistin nuk pasohet asnjëher me ndezjen e taksimetrit prej tij. Nëse e shikon që kjo gjë ndodh, atëherë me siguri keni hipur në një taksi që është në pronësi të një kompanie private. Këto kompani janë të vetmet që aplikojnë taksimetra. Arsyeja pse kjo gjë ndodh, është se kjo është një nga mënyrat më efikasë të kontrollit të shoferëve, nga kompanitë e tyre. Në taksitë me liçensë që përdoren nga privatët, hapi i dytë që duhet bërë pasi të hedhësh këmbën në makinë, është negociata për çmimin që duhet të paguash për udhëtimin me taksi. Një lloj afrofeje që varet nga çmimi që drejtuesi i taksisë, përcakton për udhëtimin që do të kryej. Një prej taksistëve që ndodhet pranë Fakultetit Ekonomik, tregon për Shqiptarja.com se rritja e çmimit për karburantit ka ndikuar shumë në të ardhurat e tij.

“Me mungesën e punës kishim kohë që ishim mësuar, por tani me rritjen e çmimit të karburantit duket se po shkojmë drej shkatërrimit”, tregon taksisti.Të gjithë shoferët e pranojnë se kanë shtuar koston e udhëtimeve që kryejnë, për shkak të rritjes së naftës. Numri i liçensave që ofrohen nga Bashkia e Tiranës, për taksistët është stopuar, në momentin që totali i tyre shkoi në 1000.Shpesh herë me marrveshje mes tyre, taksistët përcaktojnë vendet e qëndrimit në varësi të largësisë që kanë me vendbanimet e tyre.” Nuk janë vetëm shoqatat e shërbimit urban që kërcënojnë me rritjen e çmimit, edhe ne prej momentin që kemi mësuar për rritjen e karburantit kemi deklaruar se kjo do të rëndojë në xhepat tanë dhe të qytetarëve”, sqaron për Shqiptarja.com një tjetër taksist. Ata që e vuajnë këtë situatë, sigurisht janë qytetarët që përdorin çdo ditë këtë shërbim.


Shkrimi u publikua sot (12.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)