TIRANË- Opozita ka filluar një sulm të orkestruar kundër shefes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Calavera. Pas ish- kryeministrit Sali Berisha, tanimë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila është "kapur" me rrogën e saj.

Kryemadhi u shpreh se shefja e ONM-së merr 26 mijë euro dhe vjen vetëm 1 herë në 3 muaj, ndërkohë që paguhet nga buxheti që është planifikuar për t’ia dhënë Shqipërisë.

"Calavera merr 26 mijë euro dhe vjen njëherë në 3 muaj këtu.Ajo paguhet si pjesë e ONM-së me një pagë shumë të madhe dhe paguhet te buxheti që është plabnifikuar për t’ia dhënë Shqipërisë”, tha Kryemadhi në Vizion Plus.

Më herët ishte ish- kryeministri Sali Berisha i cili pak ditë më parë referuar një artikulli të publikuar nga 'New Europe' ku shkruhet se Calavera- si bashkëpunëtore e kryeministrit Edi Rama i ka kërkuar Komisionit të Venecias të mos shqyrtojë Kodin Zgjedhor, edhe pse kjo kërkesë nuk iu mor parasysh. Nisur nga kjo, ish-kryeministri duke cilësuar "ndrikull", thotë se ajo duhet të largohet nga detyra dhe BE-ja duhet të nisë hetimet për lidhjet e saj me kryeministrin Rama. Lidhur me këtë reagoi edhe Komisoneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi i cili i hodhi poshtë këto akuza duke theksuar se beson te bashkëpunëtorët e tij.