Kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi ne mbledhjen e këshillit bashkiak të kësaj të enjteje fokusin e punës për tre vitet e ardhshme, ndërsa u ndal veçanërisht tek zona e lire ekonomike dhe projektet e mëdha në kryeqytet.
Shkollat digjitalë te Piramida e Tiranës synojnë që t’u japin mësim 20 mijë fëmijëve në vit, deklaroi kryetari i Bashkisë ndërsa sqaroi se vetëm 14% e ambienteve të Piramidës janë dhënë me qira për bizneset, me ofertën më të lartë, të ardhurat e të cilave shkojnë për të ofruar bursa falas për fëmijët që marrin kurse digjitale.
“Jetojmë në një vend me lajme të rreme dhe më në fund, pashë që ishte arrestuar një nga këta që vinte gjoba duke sajuar lajme. Por, një nga lajmet e rreme së fundi ishte se Piramida është dhënë e gjitha me qira. Si metra katrorë, me qira janë dhënë vetëm 14% e ambienteve të Piramidës, kurse 86% janë në përdorim publik. Me këto 14% paguhen që fëmijët e Tiranës, të majtë dhe të djathtë, t’i marrin falas kurset digjitalë sepse vetë kursi kushton 150 euro. Që t’i kenë falas kurset, kemi dhënë me qira 14% të ambienteve, me çmimin më të lartë sot në treg. Nuk i kemi falur, përkundrazi ia kemi dhënë ofertuesit më të lartë, dhe me ato para po paguhen bursat e fëmijëve. Kjo për të sqaruar ata që kanë shqetësim kafet dhe shërbimet. Njerëzit duhet të shkojnë edhe në tualet, duhet të pijnë edhe një kafe, do konsumojnë edhe një gotë ujë. Raporti më duket jashtëzakonisht i favorshëm, dhe financat jashtëzakonisht të favorshme për fëmijët që i kanë kurset falas. Ne kemi 1600 fëmijë në muaj që mësojnë te Piramida. Në qoftë se vazhdojmë me këto ritme, do të kemi 20 mijë fëmijë në vit. Të kesh 20 mijë fëmijë në vit në një qytet që mësojnë punët digjitale, unë besoj se është një nga punët më të mira që kemi bërë”, u shpreh Veliaj.
Duke u ndalur te projektet e radhës që pritet të zbatohen te Piramida, Veliaj tha se janë marrë dy angazhime të reja me Fondin Shqiptaro-Amerikan në dy grupmosha të caktuara.
“Dy angazhimet janë që Qendra TUMO do të mësojnë fëmijët nga mosha 12-18 vjeç. Nga mosha 18-22 vjeç do të bashkëpunojmë me “Ecole 42”, që është “Shkolla 42” e Francës, për trajnim dhe edukim më të avancuar digjital. Për moshën mbi 22 vjeç, që le të themi që futet edhe historia e Start Up-eve, atyre që krijojnë një biznes, do të bashkëpunojmë me “Plug & Play” nga San Francisco”, tha kryebashkiaku.
Ndërkaq Veliaj foli për zonën e lirë ekonomike e Tiranës një projekt që ka filluar, pasi tashmë e ka marrë licencën nga Qeveria. Që tani sipas kryebashkiakut Veliaj ka një interesim të lartë nga kompani gjermane, izraelite, japoneze.
"Kemi disa vendime të natyrës sociale, nuk meritojnë shumë sqarime. Zona e lirë ekonomike është një projekt që ka filluar, kemi marrë licencë nga qeveria, kemi bërë regjistrimin në fazën e parë. Mbi Kashar shumë pranë impiantit të ujërave të zeza ka filluar përgatitja e të gjithë lotëve ku do jenë kompanitë e reja. Kemi filluar dhe një fushatë promovimi edhe në Gjermani...Interesimi i kompanive gjermane, izraelite, japoneze është bërë thuajse me listë pritje për tu futur te zona e lirë ekonomike. Tani kemi marrë licencë, kemi filluar investimin në terren. Kemi interes të shprehur nga shumë kompani por bëhet fjalë për teknologji të reja.Në këtë fazë ne na duhet të krijojmë një agjenci të bashkisë Tiranë që t’u bjerë pas këtyre punëve dhe detyrave të tjera që lindin nga marrja e kësaj licence", shtoi Veliaj.
Në fund Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi ditën e sotme vendimin për dhënien e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, si dhe vendimin për trajtimin me subvencionin e qirasë të disa familjeve në nevojë, që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë. Gjithashtu, u miratua bonusi i qerasë për familjeve që preken nga projekti i Unazës së Madhe, si dhe bonusi i qerasë për familjet e Kombinatit e prekura nga projekti i rindërtimit të Kombinat. Për të hyrë në mbledhjen e këshillit bashkiak, këshilltarëve iu desh të kalonin një detektor metalik për kalim zone. Ishin këshilltarët e opozitës ato që publikuan një video në rrjetet sociale teksa po kontrolloheshin për ndonjë send të pa ligjshëm por refuzuan t’i nënshtroheshin kontrollit fizik.
Të gjitha automjetet e braktisura nga pronarët e tyre apo ato të cilat janë të bllokuara për efekt hetimi, do të largohen nga rrugët e kryeqytetit. Kështu tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili deklaroi në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak vendimin për të pastruar rrugicat e Tiranës nga këto mjete.
“Makinat e aksidentuara, për efekt hetimi, duhet të ruhen disa muaj. Disa mund të kenë edhe vite, në varësi si kanë shkuar ato gjyqe. Momentalisht komisariatet nuk i mbajnë dot, ka një mbingarkesë aty dhe parkohen në Kinostudio, buzë “Marubit”, që sa herë që ka një festival filmi, apo qoftë dhe kalimi i autobusëve dhe i mjeteve, duket si një zonë lufte. Bëhet fjalë për të hequr nga Tirana edhe ato makina që mund t’iu jetë bërë pluhuri nga 3 gisht dhe nuk i del njeri për zot sepse o janë braktisur, ose mund të jenë në emigracion, dhe rrinë poshtë pallateve.
Bëhet fjalë për të pastruar jo vetëm atë segment të rrugës “Aleksandër Moisiu” në Kinostudio, por për të pastruar nga të gjitha rrugicat e Tiranës makina dhe mjete të braktisura. Sapo të kalojë ky vendim, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake do të bëjnë një pastrim total të Tiranës, sidomos në këtë fazë ku kemi mbërritur, ku na duhet çdo vendparkim dhe me turistët e shumëfishuar, dhe me makinat me qira, që janë tërë kohën në lëvizje, është bërë vërtetë një emergjencë”, deklaroi Veliaj.
Zona e Lirë Ekonomike e Tiranës (TEDA) pritet të punësojë 5-7 mijë krahë pune. Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se fokusi i bashkisë në 3 vitet e ardhshme do të jetë tek ekonomia.
“Me bumin që ka pasur aeroporti, me aksesin që na jep Porti i Durrësit, me afërsinë që ka tek krahu i punës në Tiranë, ne parashikojmë që të ketë 5-7 mijë punësime te zona e lirë ekonomike. Kemi mbërritur te një fazë ku, shumë prej vendimmarrjeve shkaktojnë energji të mirë në ekonomi. Kjo do të thotë se gjithmonë e më shumë, në një moment që kanë mbaruar projektet kryesore, Sheshi, Pazari, Liqeni, Parku, Unaza, Bulevardi, fokusi i bashkisë në 3 vitet e ardhshme do të jetë tek ekonomia dhe te çfarë investimesh mund të bëjmë ne që prodhojnë punë nga ato që paguhen mirë”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se Zona e Lirë Ekonomike e Tiranës është një projekt që tashmë ka filluar dhe shumë shpejt do të nisë dhe faza e dytë e investimit. “Ne tashmë kemi marrë licencën nga qeveria, kemi bërë investimin për fazën e parë. Kemi një interes të shprehur nga shumë kompani, por bëhet fjalë jo për kapanone ku do punohet në fasoneri. Bëhet fjalë për teknologji të reja, kryesisht automotive, digital, cloud computer, pra që janë punët e të ardhmes dhe që paguhen shumë më mirë se ato rrogat modeste të fasonerisë. Jemi në një situatë ku do të duhet shumë shpejt fazën e dytë të investimit që ka të bëjë jo vetëm me terrenin aty, por edhe lidhjen me autostradën, lidhjen me Kombinatin që krahu i punës të vijë edhe nga zona e Kasharit, Vorës, deri dhe në Durrës dhe në Kamëz, njësia 6 , njësia 13”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Pas dhunës së dy ditëve më parë me molotovë, ku u rrezikua seriozisht edhe jeta e gazetarëve dhe efektivëve të policisë, opozita ka heshtur në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ndryshe nga mbledhjet e mëparshme, asnjë nga këshilltarët e PL dhe ata të Rithemelimit nuk mori fjalën për të debatuar me kryebashkiakun Veliaj.
Kujtojmë që protesta e së martës solli reagimin e të gjitha shoqatave të gazetarëve, të cilat në bllok dënuan opozitën për aktet e dhunës dhe u bënë thirrje organeve të drejtësisë nxjerrjen para ligjit të autorëve që hodhën molotovë.