Udhëheqësi i zakonshëm i marshimit nga sheshi ‘Skënderbej’ deri te kryeministria, Arben Kola, një ndër organizatorët e protestës, u kujdes t’i kërkonte manifestuesve të mos binin pre të provokimeve
Edhe në shesh, fjalimet nisën me një komunikatë që sqaronte pozicionin e protestuesve ndaj përplasjes së dhunshme me policinë. Në emër të organizatorëve gazetari Klevin Muka tha se parlamenti nuk duhet të funksionojë më dhe se kishin shkuar aty "për t’u thënë deputetëve se nuk janë përfaqësuesit tanë dhe se çdo seancë parlamentare duhet të pezullohet deri në një moment të dytë, për shkak se populli është në rrugë."
Sipas tij, provokimet e policisë kishin nisur që me arrestimet e disa prej protestuesve për shkak të përplasjeve me deputetin Ulsi Manja, e kishin vijuar me ndërhyrjen e dhunshme sipas tij të policisë ndaj protestuesve të ulur në shesh, ndonëse në këtë interval kohor, ndaj policëve ishin lëshuar dhe gurë.
“Një grup prej nesh, i cili ishte mbledhur më herët pranë Parlamentit, ishte ulur në një kafene, ku po priste orën 10:00 për fillimin e protestës. Në atë moment, pa pritur, është shfaqur ish-ministri i Drejtësisë, i akuzuar për blerje votash në Dibër, konkretisht në dosjen 184, Ulsi Manja, së bashku me badigardët e tij. Në atë moment, protestuesit kanë reaguar dhe më pas janë dhunuar nga policia private e Ulsi Manjës, ku njërit prej protestuesve dyshohet se i është thyer edhe hunda. Që në këtë moment dukej sikur sot policia kriminale ishte bërë gati për dhunë dhe arrestime ndaj qytetarëve”, tha ai ndër të tjera.
Muka tha se përplasjet e kësaj të enjte ishin dëshmi se qeverisë i kishte humbur durimi. Megjithatë “Ne do t’i themi se kjo protestë është gjëja më e bukur”.
Mes thirrjeve nga sheshi ‘lironi cunat’, organizatorët e protestës përsëritën se ata nuk tërhiqen.
“Çdo grusht i tyre shton 100 vetë më shumë në shesh. Jemi më të fortë. Ne nuk ndryshojmë pavarësisht se çfarë bëjnë ata”, tha Edison Lika.
“Ne jemi ndryshe nga ata. Ne nuk duam gjak shqiptari. Do të luftojmë paqësisht derisa ky regjim të zhduket”, tha Ilir Xhemalaj.
Një mesazh nga sheshi iu drejtua edhe drejtorit të përgjithshëm të policisë Skënder Hita, nga një ish zyrtar i policisë.
“Ai do të mbetet me shkronja të arta në historinë e Shqipërisë së re, nëse mbron popullin e tij”, tha Krenar Ahmetaj.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit marshuan drejt komisariatit nr.3 ku ndodhen 11 prej 19 të arrestuarve si pasojë e dhunës të ndodhur sot përpara Parlamentit, duke thirrur në kor ‘Lironi çunat’.

Me thirrjen “Lironi çunat”, protestuesit qëndruan deri pas mesnate para Komisariatit numër 3 në Tiranë, ku mbahen të arrestuar 11 prej të rinjve që morën pjesë në tubimin e zhvilluar gjatë paradites te Kuvendi.
Protestuesit që morën pjesë në marshimin përgjatë rrugëve të Tiranës pas fjalimeve të Kryeministria, ndaluan para Komisariatit numër 3, ku mbahen disa prej të rinjve që protestuan sot para Kuvendit. Në kor, protestuesit e ulur këmbëkryq në rrugë, thërrasin "lironi çunat:.

Foto e publikuar nga Taulant Balla
Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka postuar një foto nga pjesëmarrja në protestën përpara kryeministrisë. Balla i referohet dhunës së ushtruar përpara Parlamentit të Shqipërisë duke thënë se qytetarët janë distancuar përfundimisht nga dhuna e talebanëve të maskuar si flamingo.
Reagimi i Taulant Ballës
Po si kujtoni ju se populli është budalla? Po shqiptarët e njohin ujkun edhe kur maskohet si mama dhia, lëre më si flamingo. Nuk e fshehët dot egërsinë talebane nën pendët e bukura rozë. Qytetaria e bukur e bulevardit të flamingove u distancua përfundimisht nga dhuna e këtyre mbeturinave politike e sociale që morën peng protestën
Edhe pak dhe do të vije natyrshëm koha e dialogut me ata që kishin arsyet e tyre legjitime për të protestuar. Që nga shqetesimet për natyrën deri tek zemërimi ndaj atyre që shpërdorojnë besimin mbi karrigen e pushtetit, dëgjimin dhe reflektimin tonë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në protestat e mbajtura në Tiranë, duke akuzuar organizatorët dhe mbështetësit e tyre se po nxisin dhunën.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u shpreh se kalimi në dhunë fizike është, sipas tij, "e vetmja gjë që mund të prodhojë tanimë korja e zezë e dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës".
"Kalimi në dhunë fizike është e vetmja gjë që mund të prodhojë tanimë korja e zezë e dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, koleksionistëve të precedentëve kriminalë dhe duarve të huaja pas tyre!
Duhet akoma durim e pastaj i vjen radha reflektimit",- shkruan Rama.
Një pensionist mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku ironizoi bonusin e paralajmëruar nga qeveria për pensionistët, duke deklaruar se do ta përdorë atë për të udhëtuar nga Elbasani në Tiranë për të marrë pjesë në protesta.
Gjatë fjalës së tij, ai lëshoi akuza në adresë të qeverisë dhe u bëri thirrje pensionistëve të tjerë t'i bashkohen protestave në mbështetje të të rinjve.
“Mesazhin e parë do t’ia jap banditit të Surrelit. Na kanë dhënë 50 mijë lekë bonus. Mos u mërzit, sepse me ato para do të vij pesë herë në protestë. U bëj thirrje pensionistëve të vijnë në protestë dhe të mbështesin rininë e mrekullueshme. Ndryshe, ato 50 mijë lekë të qelbura le t’ua japin lëpirësve”, u shpreh pensionisti.
Ambasada e SHBA-vë u bën thirrje qytetarëve amerikanë në Tiranë të kenë kujdes nga protestat e përnatshme që po zhvillohen në kryeqytet.
Sipas deklaratës, edhe pse tubimet shpesh nisin në mënyrë paqësore, ato mund të përshkallëzohen dhe të shtrihen në zona të tjera, përfshirë institucione shtetërore. Po ashtu, pritet prani e shtuar e policisë, bllokime rrugësh, devijime trafiku dhe kufizime lëvizjeje gjatë zhvillimit të protestave.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin demonstratat, të jenë të kujdesshëm dhe të mbajnë gjithmonë një plan emergjence në rast përshkallëzimi të situatës.
Njoftimi i plotë i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:
Vendndodhja: Në të gjithë vendin; Tiranë, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", segmenti mes Sheshit "Skënderbej" dhe Sheshit "Nënë Tereza", përpara Kryeministrisë.
Data/Koha: Në vijim.
Njoftimi: Protestat e përnatshme vazhdojnë përpara godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", mes Sheshit "Nënë Tereza" dhe Sheshit "Skënderbej". Protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera.
Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi. Tubimet mund të shtrihen edhe në zonat përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Në orët para zhvillimit të protestave dhe gjatë tyre pritet prani e shtuar e forcave të policisë, bllokime rrugësh, devijime të qarkullimit dhe ndërprerje të trafikut.
Nëse ndodheni në një qytet ku po zhvillohet një protestë, tregohuni vigjilentë dhe vendosni në prioritet sigurinë tuaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve të rendit për informacionet më të fundit.
Masat e rekomanduara për sigurinë:
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin pjesëmarrjen në protesta.
Tregohuni të vetëdijshëm për mjedisin përreth jush dhe kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve në vende publike.
Ndiqni vazhdimisht mediat lokale për zhvillimet e fundit.
Keni gjithmonë një plan emergjence ose një strategji daljeje nga zona.
Mbani një profil të ulët dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes.
Organizatori i protestës Ilir Xhemalaj akuzoi Policinë e Shtetit për ushtrim dhune ndaj qytetarëve gjatë protestës së zhvilluar paraditen e së enjtes para Kuvendit, ndërsa theksoi se tubimet do të vijojnë në mënyrë paqësore.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestën e 33-të para Kryeministrisë, Xhemalaj deklaroi se protestuesit u përballën me forcën e policisë, por nënvizoi se nuk do t’i përgjigjen dhunës me dhunë.
“Sot ky regjim gjakatar kërkoi të bënte kurban qindra protestues paqësorë që ishin ulur. Janë tërhequr zvarrë, janë dhunuar dhe dhjetëra janë arrestuar. Sot bisha komuniste donte gjak, por ne nuk do t’ia japim. Ne jemi ndryshe nga ata. Ne nuk duam gjak shqiptari. Do të luftojmë paqësisht derisa ky regjim të zhduket”, u shpreh Likaj.
Aktivisti Edison Likaj ishte i pari që mori fjalën në nisje të protestës së 33-të para godinës së Kryeministrisë, ku komentoi edhe përplasjet e ndodhura më herët gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit.
Duke iu referuar tensioneve mes protestuesve dhe forcave të policisë, Likaj deklaroi se përdorimi i forcës nuk i frikëson qytetarët, por përkundrazi, sipas tij, forcon rezistencën dhe rrit pjesëmarrjen në protesta.
“Dhuna e tyre është shumë e panevojshme për demokracinë, por është e nevojshme për rezistencën. Çdo grusht i tyre shton 100 vetë më shumë në shesh. Jemi më të fortë. Ne nuk ndryshojmë pavarësisht se çfarë bëjnë ata,” u shpreh aktivisti.
Gazetari Klevin Muka foli sot para Kryeministrisë si i autorizuar i Grupit Koordinues të 33 protestave të zhvilluara në Tiranë, në lidhje me protestën që u zhvillua paraditen e sotme para Kuvendit, ku pati përplasje mes qytetarëve dhe policisë, dhunim të bluve dhe arrestim të qytetarëve.
Komunikatë!
Në emër të grupit koordinues të protestës, jemi të detyruar që sot, në ditën e 33-të, të mbajmë këtë komunikatë sqaruese, si për ata që janë në protestë, ashtu edhe për ata që po na ndjekin nga e gjithë Shqipëria ose diaspora.
Siç kemi njoftuar edhe publikisht ditën e djeshme, sot, meqë kishte seancë plenare, kemi vendosur që të jemi përpara Parlamentit për t’u thënë deputetëve se nuk janë përfaqësuesit tanë dhe se çdo seancë parlamentare duhet të pezullohet deri në një moment të dytë, për shkak se populli është në rrugë.
Në protestën e ditës së sotme, kishim lajmëruar qytetarët që të pajiseshin me vezë dhe miell, me qëllim bërjen pis të deputetëve që nuk përfaqësojnë votuesit, por krimin e organizuar, oligarkinë dhe kryetarin e partisë.
Kështu, një grup prej nesh, i cili ishte mbledhur më herët pranë Parlamentit, ishte ulur në një kafene, ku po priste orën 10:00 për fillimin e protestës. Në atë moment, pa pritur, është shfaqur ish-ministri i Drejtësisë, i akuzuar për blerje votash në Dibër, konkretisht në dosjen 184, Ulsi Manja, së bashku me badigardët e tij. Në atë moment, protestuesit kanë reaguar dhe më pas janë dhunuar nga policia private e Ulsi Manjës, ku njërit prej protestuesve dyshohet se i është thyer edhe hunda. Që në këtë moment dukej sikur sot policia kriminale ishte bërë gati për dhunë dhe arrestime ndaj qytetarëve.
Më pas, pas arrestimit të djemve, protesta vijoi normalisht, sigurisht me qytetarë të revoltuar për shkak të padrejtësisë që kishte ndodhur. Kjo vijoi derisa, në një moment, qytetarët, të cilët ishin ulur pranë Parlamentit, filluan të dhunoheshin nga Policia në mënyrë të menjëhershme dhe joproporcionale. Policia e Shtetit ndërhyri me dhunë, me shkopinj gome, gaz lotsjellës, pepper spray e me radhë, duke shpërndarë qytetarët dhe duke arrestuar shumë prej tyre.
Dita e sotme na tregoi se kryeministrit Rama dhe shtetit të tij kriminal i është sosur durimi. Ai po tenton me çdo kusht që këtë protestë, e cila ka qenë një protestë shembull për sa i përket qytetarisë, etikës, kreativitetit dhe nivelit të lartë të demokracisë, ta bëjë pis. Pikërisht në këtë moment, ne do t’i themi se kjo protestë është gjëja më e bukur që i ka ndodhur këtij vendi dhe ne do të jemi këtu derisa ti të largohesh në mënyrë paqësore dhe qytetare.
Nëse argumenti juaj është dhuna, argumenti ynë është rezistenca dhe qëndresa. Ne nuk dorëzohemi, ne nuk bëhemi si ju!
Prej sot e tutje ne do të vazhdojmë protestën në mënyrë paqësore, në bulevard deri sa shqiptarët të fitojnë!
Komente












Hiqni flamuret kuq e zi nga duart o bajga antishqiptare. O plehra te Ajatollahut e te Putinit.
Përgjigju