Ditët e fundit, është vënë re një rritje e çmimit të vezëve në treg. Kjo rritje është shënuar më shumë brenda muajit nëntor, me një diferencë jo të vogël: rreth 4 lekë për kokërr. Por prej tre muajsh, pas mbylljes së kompanisë “Floryhen” për arsye ekonomike, operatorët e sektorit parashikuan vështirësi në plotësimin e tregut me këtë produkt.
 
Deri një vit më parë, vezët “tepronin”, duke u ofruar edhe për eksport, por eliminimi i njërit prej operatorëve kryesorë, shoqëruar edhe me rritjen e çmimit të lëndës së parë, ushqimit për pulat, që importohet, ka bërë që konsumatorët shqiptarë që do t’u drejtohen dyqaneve të shitjes me pakicë të këtij produkti, i cili konsumohet gjerësisht, do ta gjejnë atë më çmimin 18 lekë për kokërr. Por në disa tregje e ka kaluar, madje, nivelin e 20 dhe 30 lekëshit.
 
Ndërkohë, një pjesë e kompanive prodhuese shprehen se ende ka konkurrencë të pandershme apo vështirësi në sigurimin e lëndës së parë në vend. Situatën nuk e kanë rregulluar as masat lehtësuese për agrobiznesin, që janë ndërmarrë nga qeveria.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)