Hungaria duket se ka hyrë në një kapitull të ri politik pas fitores dërrmuese të Péter Magyar dhe partisë së tij Tisza, që ka siguruar një shumicë prej dy të tretash në parlament. Në një konferencë të gjatë për shtyp, që zgjati rreth dy orë, lideri i ri i vendit jo vetëm konfirmoi rezultatin, por dha një panoramë të plotë të asaj që pritet të ndodhë në vitet e ardhshme.
“Tisza dhe me të Hungaria fituan një fitore bindëse dhe dërrmuese në një zgjedhje vendimtare. Populli hungarez na dha një mandat të fortë”, deklaroi ai, duke theksuar se kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një moment që, sipas tij, nuk duhet humbur.
Magyar e nisi menjëherë me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Viktor Orbán, duke e akuzuar për kapje të shtetit dhe deformim të demokracisë.
“Një parti-shtet e ka drejtuar vendin tonë të dashur, ashtu si para ndryshimit të sistemit në vitin 1990. Nëse kjo makineri propagande nuk do të ekzistonte dhe nëse aparati shtetëror nuk do të ishte përdorur në mënyrë të paligjshme për qëllime partiake, si shërbimet sekrete dhe organet hetimore, atëherë nuk do të kishte kaq shumë përfaqësues të Fidesz në parlamentin e ardhshëm. Nuk është rastësi që dje pati një pjesëmarrje rekord në votime – gati 80 për qind e hungarezëve votuan. Hungarezët, nga fshati më i vogël deri në Budapest, si dhe ata që jetojnë mijëra kilometra larg atdheut, e ndjenë peshën e kësaj zgjedhjeje.””, u shpreh ai.
Ai shkoi edhe më tej, duke e përshkruar sistemin e deritanishëm si një strukturë të ndërlidhur interesash kriminale.
“Vendi ynë është drejtuar nga një grup kriminal i organizuar, ku kriminelët politikë janë të ndërthurur me ata ekonomikë dhe, në një farë mase, edhe me elitën mediatike dhe atë ekonomike. Nevojitet një ndryshim sistemi. Nën drejtimin e Tisza-s, ne do të përfaqësojmë çdo hungarez, por sigurisht që nuk do të jemi perfektë. Jemi njerëz, do të bëjmë gabime. Nëse bëjmë gabime, do të ketë përgjegjësi. Vendi ynë nuk do të jetë më një vend pa përgjegjësi, deklaroi Magyar, duke shtuar se për këtë arsye “nevojitet një ndryshim regjimi”.
Magyar e cilësoi si një nga detyrat më të rëndësishme rikthimin e fondeve të Bashkimit Evropian në Hungari dhe bëri me dije se ka zhvilluar tashmë bisedime me Ursula von der Leyen, të cilat do të vazhdojnë edhe më tej. Ai falënderoi Rusinë dhe Kinën për gatishmërinë për bashkëpunim pragmatik, duke theksuar se edhe Hungaria ndjek të njëjtën qasje, “sepse gjeografia është gjeografi, vendi i Hungarisë dhe i Rusisë nuk do të ndryshojë”.
Magyar premtoi gjithashtu se Hungaria nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të asnjë vendi, por në të njëjtën kohë kërkon që edhe ajo të trajtohet si një shtet i pavarur dhe sovran.
“Asnjë fjalë nga gënjeshtrat me të cilat propaganda u përpoq të mashtrojë një pjesë të popullit hungarez nuk është e vërtetë. Viktor Orbán kërcënoi vetë popullin e tij, u përpoq të mbante në frikë fëmijët hungarezë, prindërit dhe gjyshërit tanë. Ai i kërcënoi hungarezët se nëse vjen një qeveri tjetër, familjarët e tyre do të dërgohen në frontin ukrainas-rus. Viktor Orbán po zhytet në nivele të pabesueshme vetëm për të ruajtur pasurinë e tij të grabitur dhe pushtetin. Po jap një mesazh të qartë: askush në Hungari nuk do luftë, Hungaria është në anën e paqes dhe qeveria e Tisza-s do të jetë një qeveri e paqes”, theksoi Magyar.
Ai shtoi se një nga arsyet e humbjes së Viktor Orbán mund të jetë fakti që ai foli për gjithçka, “përveç problemeve që prekin realisht popullin hungarez”.
“Historia hungareze shkruhet nga vetë hungarezët. Ajo nuk shkruhet në Moskë, as në Bruksel dhe as në Uashington, por në rrugët dhe sheshet e Hungarisë”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, ai theksoi se Hungaria është në një situatë të vështirë në çdo aspekt.
“Nuk ka kohë për të humbur. Vendi është grabitur, shkatërruar dhe është bërë më i varfri dhe më i korruptuari në Bashkimin Evropian”, tha ai, duke premtuar se qeveria e tij do të përfaqësojë të gjithë hungarezët, edhe ata që nuk kanë votuar për Tisza.
Një pjesë e madhe e deklaratës së tij iu kushtua reformave të thella që pritet të ndërmerren. Ai bëri të qartë se Kushtetuta do të ndryshohet dhe se në të ardhmen një kryeministër nuk do të mund të qëndrojë më shumë se dy mandate në pushtet. “Një politikan mund të shërbejë si kryeministër maksimumi dy herë”, tha ai, duke lënë të kuptohet se ky ndryshim synon të shmangë përqendrimin e pushtetit.
Magyar kërkoi gjithashtu dorëheqjen e presidentit Tamás Sulyok, duke e akuzuar për mungesë reagimi në çështje të rëndësishme. “Ai duhet të ruajë dinjitetin e mbetur dhe të largohet”, deklaroi ai, duke shtuar se vendi nuk ka nevojë për “kukulla të pushtetit”.
Në fokus të fortë ishte edhe lufta kundër korrupsionit. Lideri i Tisza bëri të ditur se do të ndërmerren masa kundër korrupsionit dhe do të nisë procesi për anëtarësimin e Hungarisë në Prokurorinë Publike Evropiane. Gjithashtu, do të krijohet Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive. Magyar theksoi se do të ndryshohet edhe Ligji Themelor, duke vendosur që në Hungari një politikan të mund të shërbejë si kryeministër maksimumi për dy mandate.
“Në këtë vend do të ketë përgjegjësi. Nuk do të ketë më një shtet pa përgjegjësi”, u shpreh ai, duke paralajmëruar hetime për kontrata të mëdha dhe vendime të dyshimta të së kaluarës.
Në politikën e jashtme, Magyar u përpoq të mbajë një linjë të balancuar mes Perëndimit dhe realitetit gjeopolitik. “Hungaria ka qenë, është dhe do të jetë në Evropë”, tha ai, duke theksuar se vendi do të mbetet pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Megjithatë, ai pranoi se marrëdhëniet me BE nuk do të jenë gjithmonë të lehta. “Do të kemi mosmarrëveshje, por do të kërkojmë kompromis”, u shpreh ai, duke shtuar se çdo vend duhet të mbrojë interesat e veta kombëtare.
Një nga temat më të ndjeshme ishte ajo e energjisë dhe marrëdhënieve me Rusinë. Magyar e bëri të qartë se Hungaria nuk mund të shkëputet plotësisht nga furnizimet ruse.
“Ne nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë. Rusia do të jetë këtu, Hungaria gjithashtu. Do të bëjmë gjithçka për të diversifikuar, por kjo nuk do të thotë që do të shkëputemi”, deklaroi ai.
Ai shtoi se vendi do të vazhdojë të sigurojë energjinë “sa më lirë dhe sa më sigurt”, duke e cilësuar këtë si një çështje thelbësore për ekonominë.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Magyar u shpreh qartë kundër një anëtarësimi të shpejtë të këtij vendi në BE.
“Është e pamundur që një vend në luftë të pranohet në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është çështje aktuale, por shoh që ka lëvizje në këtë drejtim. Shumica dërrmuese e vendeve anëtare nuk e konsiderojnë këtë një skenar të mundshëm. Të gjitha vendet kandidate duhet të kalojnë të njëjtin proces dhe të negociojnë të gjithë kapitujt. Ne kemi thënë gjithashtu se në Hungari do të mbahet një referendum për pranimin e Ukrainës në BE, por kjo nuk do të ndodhë në vitet e ardhshme, as në dhjetë vitet e ardhshme.” tha ai.
Megjithatë, ai theksoi se Ukraina është viktimë e agresionit dhe kundërshtoi çdo ide për t’i imponuar lëshime territoriale. “Askush nuk ka të drejtë t’i thotë një vendi të heqë dorë nga territori i tij”, deklaroi ai.
Magyar foli edhe për emigracionin, duke bërë të qartë se politika e ashpër do të vazhdojë. “Gardhi kufitar do të mbetet dhe do të përforcohet”, tha ai, duke shtuar se Hungaria nuk do të pranojë emigrantë dhe nuk do të paguajë për këtë çështje.
Në fund të fjalës së tij, ai premtoi një mënyrë të re qeverisjeje, më të hapur dhe më pranë qytetarëve.
Politikani foli edhe për mënyrën si do të funksionojë qeveria e ardhshme e Tisza-s.
“Kryeministri nuk do të jetë një ‘mbret ’ si Viktor Orbán, por një kapiten ekipi që koordinon detyrat dhe mbështetet te mendimet dhe sugjerimet e ministrave, te përfaqësuesit dhe te populli hungarez. Kam ndryshuar shumë në këto dy vite dhe kam kuptuar sa i rëndësishëm është kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit, ose, në termat e sotëm, pjesëmarrja. Kjo është vërtet thelbësore, sepse demokracia funksionon vetëm në këtë mënyrë” tha ai
Komente











