Administrata e Donald Trump po shqyrton mundësinë që grave shtatzëna nga vendet e huaja t'u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, pasi Gjykata Supreme rrëzoi përpjekjen e presidentit për t'i dhënë fund praktikës së dhënies së nënshtetësisë automatike për foshnjat që lindin në territorin amerikan.
Shtëpia e Bardhë po e sheh këtë si një tjetër mënyrë për të kufizuar atë që e quan "turizëm i lindjeve", praktikë për të cilën administrata Trump thotë se u lejon të huajve të udhëtojnë drejt SHBA-së në muajt e fundit të shtatzënisë, me qëllim që fëmija i tyre të lindë në tokë amerikane dhe të përfitojë nënshtetësinë. Edhe pse kjo praktikë ekziston, ekspertët thonë se ajo përbën vetëm një pjesë shumë të vogël të numrit total të lindjeve në vend.
Administrata Trump ka argumentuar prej kohësh se shtetësia automatike nxit emigracionin e paligjshëm dhe, sipas saj, "shpërblen emigrantët e paligjshëm, të cilët jo vetëm shkelin ligjet e emigracionit, por dalin edhe përpara atyre që ndjekin rregullat".
Stephen Miller, zëvendësshef i stafit të Shtëpisë së Bardhë për politikat dhe sigurinë kombëtare, tha se administrata do ta shqyrtojë me shumë seriozitet mundësinë e ndalimit të hyrjes për gratë shtatzëna.
"Duhet të mendosh me shumë kujdes kë lejon të hyjë në vend, edhe përkohësisht, për shkak të mundësisë së turizmit të lindjes. Njerëzit vijnë këtu vetëm për të lindur në tokë amerikane dhe ai fëmijë bëhet qytetar amerikan për gjithë jetën", deklaroi ai.
Miller tha se një grua që hyn në SHBA në muajin e nëntë të shtatzënisë mund të lindë pas pak javësh dhe fëmija i saj të fitojë shtetësinë amerikane për gjithë jetën.
"Nëse dikush vjen këtu në muajin e nëntë të shtatzënisë, shëtit për disa javë dhe lind, ai fëmijë bëhet qytetar amerikan për gjithë jetën dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me fondet publike dhe përfitimet sociale amerikane gjatë gjithë jetës së tij. Ka shumë gjëra që duhet t'i shqyrtojmë me kujdes", u shpreh ai.
Deklaratat e Miller erdhën pasi Gjykata Supreme rrëzoi urdhrin ekzekutiv që Donald Trump nënshkroi ditën e parë të mandatit të tij të ri. Urdhri parashikonte që fëmijët e lindur në SHBA nga prindër që ndodheshin në vend në mënyrë të paligjshme ose me qëndrim të përkohshëm të mos përfitonin automatikisht shtetësinë amerikane.
Me një vendim 6 me 3, shumica e gjyqtarëve vendosën se mohimi i shtetësisë automatike për foshnjat e lindura në territorin amerikan bie ndesh me Amendamentin e 14-të të Kushtetutës.
Sipas mediave amerikane, ky ishte testi më i rëndësishëm për Amendamentin e 14-të në më shumë se një shekull, ndërsa Trump kërkonte të përdorte kompetencat presidenciale për të ndryshuar mënyrën se si përcaktohet shtetësia amerikane.
Pas vendimit të gjykatës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, deklaroi se Trump mbetet "plotësisht i përkushtuar për të mbrojtur vlerën e shtetësisë amerikane të fituar me lindje".
Ajo tha se presidenti i ka kërkuar Kongresit të ndërmarrë veprime të menjëhershme për këtë çështje.
"Departamenti i Drejtësisë do t'u japë përparësi hetimeve ndaj skemave të turizmit të lindjes. Administrata Trump ka shumë mjete për të mbrojtur shtetësinë amerikane", deklaroi Jackson.
Qeveria amerikane nuk mban statistika zyrtare për numrin e foshnjave që lindin nga vizitorë të huaj, por vlerësimet flasin për rreth 20 mijë deri në 26 mijë lindje të tilla çdo vit.
Edhe Markëayne Mullin tha se kufizimet për gratë shtatzëna janë pjesë e diskutimeve që po zhvillohen në Shtëpinë e Bardhë pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Në një intervistë për Fox Neës, ai deklaroi se disa gra marrin vizë turistike dhe udhëtojnë drejt SHBA-së vetëm pak javë para lindjes.
"Ato vijnë në muajin e tetë të shtatzënisë, ndonjëherë kur u kanë mbetur vetëm një, dy ose tre javë për të lindur. Lindin këtu dhe më pas fëmija bëhet qytetar amerikan", tha ai.
Mullin shkoi edhe më tej, duke pretenduar se në disa raste këta fëmijë rriten jashtë SHBA-së dhe më vonë rikthehen në Amerikë.
"Mund të kthehen në Kinë, të rriten në një regjim komunist dhe më pas të rikthehen këtu. Në disa raste shkojnë në universitete dhe vjedhin pronën intelektuale. Kjo ka qenë absolutisht një çështje e sigurisë kombëtare", deklaroi ai.
Sipas Mullin, pas vendimit të Gjykatës Supreme është zhvilluar një diskutim i gjatë në Shtëpinë e Bardhë për hapat që mund të ndërmerren në vijim.
Mediat sjellin në kujtesë edhe shembullin e futbollistit amerikan Folarin Balogun, i cili fitoi shtetësinë amerikane sepse lindi në Brooklyn të Nju Jorkut nga prindër nigerianë që jetonin në Londër, por kishin udhëtuar në SHBA kur nëna e tij ishte shtatë muajshe shtatzënë.
Stafi i linjës ajrore nuk e lejoi nënën e tij të udhëtonte me avion për t'u kthyer në Britani për shkak të fazës së avancuar të shtatzënisë. Balogun u kthye në Mbretërinë e Bashkuar me prindërit kur ishte dy muajsh, por ruajti shtetësinë amerikane, çka i dha të drejtën të përfaqësojë kombëtaren e SHBA-së.
Edhe futbollistë të tjerë të përfaqësueses amerikane, mes tyre Yunus Musah, e kanë fituar shtetësinë amerikane përmes të njëjtit parim të shtetësisë me lindje.
Komente





