Pas apelit të Kishës Katolike në Shqipëri, edhe Komuniteti Mysliman ka reaguar për çështjen e shitblerjes së votës. KMSH apelon se vota është shumë e shtrenjtë ndaj ajo nuk duhet të shitet, as të blihet

"Të dashur qytetarë, urojmë që të keni një agjërim të lehtë dhe të pranuar te Zoti i Gjithësisë! Ne gjendemi në Muajin më të rëndësishëm të vitit, Muajin e Bekuar të Ramazanit, muaji i pastrimit, faljes, mëshirës dhe begatisë së pafundme Hyjnore.

Motra dhe vëllezër, vendi ynë ndodhet gjithashtu në një proces tepër të rëndësishëm, siç është fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Qëndrimi ynë për përkatësitë politikë është si gjithmonë, neutral, por ajo që është e rëndësishme për ne, është procesi.

Ne dëshirojmë që fushata elektorale të kalojë e qetë dhe korrekte.  Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti. 

VOTA është shumë e shtrenjtë, ajo nuk duhet të shitet, as të blihet.  Shprehni qëndrimin tuaj ndaj alternativës që dëshironi, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa intimiduar ju askënd!

Ne urojmë dhe dëshirojmë që zgjedhjet e 25 prillit të jenë një hap përpara për Shqipërinë drejt integrimit europian, të jenë të lira dhe të ndershme dhe verdikti i popullit të lexohet e të pranohet nga të gjitha palët! I lutemi Zotit që produkti i këtyre zgjedhjeve të jetë legjitim, i drejtë dhe i hajrit për popullin tonë", thuhet në deklaratën e Komunitetit Mysliman.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:44
'Shitja apo blerja e votës, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin', Yuri Kim përshëndet apelin e KMSH

1581322725_youri.jpg

Apeli i Komunitetit Mysliman se vota është shumë e shtrenjtë ndaj ajo nuk duhet të shitet, as të blihet, është përshëndetur nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim.

"Nga Qëndrimi i Komunitetit Mysliman: “Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti. VOTA nuk duhet të shitet, as të blihet”, shkruan Kim