TIRANE - Në një seancë me dyer të mbyllura Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e ish-kryeprokurores Ina Rama ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke lënë në fuqi vendimin e KLD-së i cili kushtëzon znj.Rama me konkurim nëse ajo dëshiron të rikthehet në sistemin e drejtësisë si gjyqtare.

Gjykatësi i çështjes së sotme Emiljano Ruli vendosi të rrëzojë kërkesën e Ina Ramës. Kjo çështje mund të përfundojë dhe në gjykatën e Strasburgut. Këtë e konfirmon avokati mbrojtës i znj.Rama Fatmir Brraka i cili e cilëson politik, vendimin e Gjykatës Administrative

Më 24 shkurt të këtij viti Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi kërkesën e ish kryeprokurores për tu rikthyer në detyrën e mëparshme duke argumentuat se ajo duhet ti nënshtrohet konkurimit.

Në padinë civile të depozituar në sekretarinë e Gjykatës Administrative, ish-kryeprokurorja Ina Rama, bënte përgjegjës, kryetarin Bujar Nishanin, dhe nënkryetarin Elvis Cefa, për refuzimin e kërkesës për futjen e saj në punë, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Në padi Rama, pretendonte se është shkelur ligji për funksionimin e Prokurorisë së Përgjithme dhe më konkretisht neni 7, si dhe ligjin për funksionimin e KLD-së. Rama pretendon se qëllimisht dhe në mënyrë të paligjshme është mbajtur në sirtarë prej një viti, kërkesa e saj për rrifillimin e punës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)