Deputetja e PS, Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me sherret dhe kaosin e një dite më parë në parlament duke e quajtur krizë të vetë republikës. Ajo shprehet se parlamenti nuk po ushtron më rolin përfaqësues dhe kontrollues dhe rreziku i vërtetë është dobësimi i republikës parlamentare.
“Kriza e parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare.
Dje në parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.
Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.
Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim.
Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare.
Sepse një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi.
Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje.
Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë”, shkruan Spiropali.
Një ditë më parë në parlament pati një përplasje fizike mes Flamur Nokës e Taulant Ballës, më pas ky i fundit u konfrontua edhe me deputeten e PD, Elda Hotin. Pati gjithashtu përplasje mes Albana Vokshit dhe Bora Muzhaqit, ndërsa opozita, nën dirigjimin e Nokës, zaptoi foltoren.
Reagimi i Spiropalit për Kuvendin vjen pas kritikave lidhur me mbledhjen e grupit parlamentar të PS dhe disa mesazheve ‘të koduara’ që dukeshin se i referoheshin kryeministrit.
Komente










