PARIS - Shtetasi francez me origjinë Serbe Serge Lazareviç, i cili ishte rrëmbyer nga anëtarët e al-Kaedës në 2011. në vendin afrikan Mali, u kthye në vendin e tij pasi u lirua me iniciatvën e qeverisë së Nigerit dhe Malit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në bazën ushtarake Villacoublay afër Parisit, Lazareviç u prit nga familja e tij, presidenti francez Francois Hollande dhe ministri i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Lazareviç tha se kishte harruar se çfarë do të thotë të jetë një njeri i lirë, duke shtuar se kjo është "diçka me vlerë", që një njeri mund ta ketë.

Presidenti francez Hollande shprehu kënaqësinë me rastin e lirimit të Lazareviçit, ndërsa falënderoi qeveritë e Nigerit dhe Malit.

Ai vuri në dukje se aktualisht nuk ka asnjë peng francez në botë, duke shtuar se ushtria franceze po bën përpjekje të mëdha në luftën kundër terrorizmit.

Hollande paralajmëroi qytetarët Francëz që të mos udhëtojnë në vendet ku ka numër të madh rastesh të rrëmbimeve.

Organizata terroriste AQMI, degë e Al-Kaedës në Afrikën e Veriut, muajin e kaluar publikoi një video ku shihej Lazareviç dhe holandezi Sjaak Rijkea, në të cilin francezi, tregon gjendjen e rënduar shëndetsore dhe bëri thirrje presidentit Hollande për ndihmë.

Pas vrasjes së alpinistit francez Herve Guordel pak kohë më parë në Algjeri, Lazareviç ishte pengu i fundit francez i Al-Kaedës.

Pas publikimit të videos, Pallati Elysee ka njoftuar se në bashkëpunim me qeverinë e Malit do të bëjë gjithçka për të liruar Lazareviçin.

Lazareviç u rrëmbye më 29 nëntor 2011 në Nombori të Malit, me atë u rrëmbye edhe francezi Philippe Verdon, i cili u ekzekutua më vonë.