Itali-Një 32-vjeçar shqiptar i cili me sa duket nuk e ‘kapërdiu’ dot ndarjen nga ish-partnerja e tij tentoi që ta vriste me makinë në Itali.
Raportohet se 32-vjeçari pasi e ndoqi me makinë në rrugën Taranto-Bari 100 e goditi dhe më pas u largua nga vendi.
Vetëm pak orë pas incidentit, Karabinierët e Njësisë Operacionale në Massafra njoftuan se e arrestuan gjatë orëve të vona të së enjtes të shqiptarin që po përpiqej të arratisej pas krimit.
Ai akuzohet për tentativë vrasjeje dhe përndjekje të ish-partneres, ndërkohë gruaja ndodhet në spitalin e San Pio në Castellaneta, jashtë rrezikut për jetën, shkruan Ansa.
Gjatë hetimeve dhe dëshmisë së vajzës thuhet se motiv i krimit ka qenë xhelozia dhe mospranimi i ndarjes.
Madje sipas rrëfimit, një ditë para ngjarjes ai e kishte dhunuar të renë dhe kërcënuar me jetë, teksa më pas ka vijuar përndjekjen edhe me anë të telefonatave dhe mesazheve, për të bindur që të ribashkoheshin.
I akuzuari pas ndalimit u la sot nga gjykata në arrest shtëpiak, teksa pret procesin e hetimit dhe gjykimit.