A ekzistojnë, në terrenin ushtarak dhe atë gjeopolitik-diplomatik, kushtet për një “paqe të mirë” në Ukrainë, domethënë një paqe të drejtë, e cila të rivendosë parimet e së drejtës ndërkombëtare? Me shumë gjasë, jo. Donald Trump po e menaxhon në mënyrë të rrëmujshme, të paqartë dhe shqetësuese një situatë tashmë tragjike dhe të dëshpëruar, të cilën shumë të tjerë e kishin krijuar përpara tij: qeveritë evropiane të njëzet viteve të fundit (me Angela Merkel në krye) të nënshtruara ndaj Putinit, dhe tre presidentë amerikanë të paaftë për të ndalur agresivitetin rus (Bush, Obama, Biden).
Nëse nisim nga ky konstatim realist – se një armëpushim, një paqe e përkohshme, nëse do të shfaqet ndonjëherë, do të bazohet mbi koncesione të rëndësishme ndaj agresorit – atëherë duhet të përgatitemi për të “pasmesmen”: pra për planet e ardhshme të Putinit. Nëse ai merr edhe gjysmën e asaj që deklaron se dëshiron, do të forcohet në bindjen se “krimi shpërblehet”. Ekspansionizmi rus mund të drejtohet diku tjetër. Dhe ne, çfarë bëjmë për t’u mbrojtur? Ja tre tema. E para: skenarët e agresioneve të ardhshme, ashtu siç diskutohen si nga rusët ashtu edhe nga ata që do të duhej të mbronin Evropën. E dyta: një lajm i raportuar nga korrespondenti i Corriere-s në Paris, Stefano Montefiori: tmerri i shkaktuar nga fjalët e një gjenerali francez lidhur me sakrificat e mundshme të jetëve njerëzore që mund të kërkohen për t’u mbrojtur. E treta: modeli rus i ndërtimit të një industrie efikase dronësh në pak kohë — një rast që duhet studiuar, nëse teknologjia është shpresa e vetme për të mbrojtur një Evropë pacifiste…
Pika e parë. Në qershor 2025, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke folur në think-tank-un Chatham House, lëshoi këtë paralajmërim: “Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën ushtarake kundër nesh brenda pesë vjetësh.” Perëndimi është i detyruar të përballet me një “të ardhme të njohur”, domethënë një skenar lufte që sot hyn në sferën e planifikimit konkret. Moska po e mendon, gjeneralët e saj e diskutojnë hapur dhe po përgatiten. Të nisim nga kjo: ajo që nga disa trajtohet si paranojë perëndimore (apo edhe më keq, si skenar i ushqyer nga forcat luftënxitëse të brendshme) është në realitet një lexim që gjen konfirmime të forta. Analistët Florence Gaub dhe Andrew Monaghan, në një studim të fundit me titull “Si e sheh Rusia luftën e ardhshme” (Engelsberg Ideas), theksojnë se Kremlini, larg së konsideruari luftën si një eventualitet ekstrem, e sheh atë si një shprehje të konfliktit total në periudhë afatgjatë. Moska po përgatitet jo vetëm për operacione të kufizuara ose “speciale”, por për një luftë kontinentale ose me shkallë të gjerë kundër koalicionit perëndimor, pra kundër vetë NATO-s ose aleatëve të saj. Siç shkruajnë Gaub dhe Monaghan, objektivi rus mund të përfshijë të gjithë teatrin evropian të veprimit, me një doktrinë që kërkon “mobilizimin e të gjitha burimeve fizike dhe shpirtërore të shtetit”.
Aftësia perëndimore për ta interpretuar Putinin dhe për të parashikuar lëvizjet e tij ka dështuar sistematikisht në të kaluarën: Bush nuk e kuptoi rëndësinë e luftës kundër Gjeorgjisë (2008), Obama bëri të njëjtin gabim me Krimenë (2014), Biden në shkurt 2022 u kujdes aq shumë të garantonte “asnjë përfshirje të drejtpërdrejtë të ShBA apo NATO-s”, saqë mesazhi i tij u interpretua si një “dritë jeshile”. Evropianët, me gjermanët në krye, vazhdonin (e disa vazhdojnë ende sot) të bënin biznes me Putinin dhe të financonin luftërat e tij. Lista e keqinterpretimeve perëndimore duhet të përfshijë Sirinë (ku Putin e talli Obamën); aftësinë e Moskës për t’i rezistuar regjimit të sanksioneve; apo iluzionin se Xi Jinping do të donte të luante rolin e paqebërësit.
Sot, kur do të kenë përballë një paqe të keqe në Ukrainë, çfarë do të bëjnë evropianët, përveçse të protestojnë për koncesionet ndaj Putinit? Gaub dhe Monaghan shohin rrezikun që Perëndimi të fiksohet te skenarët më të zakonshëm — pushtimi rus i shteteve baltike brenda 36–60 orësh, sulme masive me dronë — dhe të përjashtojë alternativat. “Ka një rrezik real që forcimi i konsensusit rreth ‘të ardhmes së njohur’ të një pushtimi rus të shteteve baltike të kthehet në ortodoksi që na bën të neglizhojmë të gjitha mundësitë e tjera”, shkruajnë ata. Ndërkohë doktrina ushtarake e Moskës përpunon hapur skenarë luftërash që shtrihen në të gjithë kontinentin (madje edhe zgjerime në Indo-Pafik, me konflikte Kinë–Tajvan).
Në Evropë — madje edhe në shtete me traditë ushtarake — tema e mbrojtjes shkakton refuzim, dyshim, panik. Pak ditë më parë gjenerali Fabien Mandon, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Tokësore Franceze, deklaroi para një kongresi kryetarësh bashkish: “Franca duhet të jetë gati të pranojë humbjen e bijve të saj, vuajtjen ekonomike, sepse mbrojtja këtë nënkupton.” Komandanti i ushtrisë kritikoi mungesën e “forcës shpirtërore për të qenë gati të sakrifikojmë për të mbrojtur atë që jemi”. Fjalët e tij shkaktuan një revoltë të tillë politike dhe mediatike, saqë zëdhënësja e qeverisë duhej të sqaronte: “Po fliste për ushtarët. Dhe fëmijët tanë nuk do të shkojnë të luftojnë e të vdesin në Ukrainë.”
Ndoshta nuk e prisnim një psikodramë të tillë në Republikën e Pestë, themeluar nga një gjeneral (Charles de Gaulle), krenare për force de frappe bërthamore të saj, dhe deri shumë kohë vonë e vendosur të luante rolin e xhandarit të Afrikës frankofone. Por edhe në Francë — si në shumë shtete evropiane — mbizotëron një kulturë çarmatimi, e rrënjosur në vitet pas Luftës së Ftohtë, që e ka kthyer konceptin e ushtrisë nga një mjet thelbësor parandalues në një “të keqe të domosdoshme” që duhet minimizuar. Gjenerali Mandon thjesht rikujtoi diçka të vetëkuptueshme për një vend të ekspozuar ndaj rrezikut të agresionit: mbrojtja nuk është vetëm buxhet — është edhe sakrificë njerëzore, mobilizim kolektiv. Por kjo është tabu në Evropë. E di mirë këtë, në anën tjetër të Rinit, kancelari Merz: ai po përballet me revoltën e partnerëve të tij socialdemokratë, sepse guxoi të propozonte rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Rasti francez nxjerr në pah dy probleme. Së pari, ndarja midis elitës ushtarake dhe opinionit publik: gjenerali e di që lufta është një mundësi reale — mjafton të lexosh doktrinat eksplicite të Rusisë dhe fjalimet e Putinit; shoqëria civile franceze nuk e beson dhe reagon me tronditje. Së dyti, vonesa në rindërtimin e industrisë së mbrojtjes dhe në mobilizimin politik. Është njerëzore që francezët të mos duan as ta marrin në konsideratë humbjen e fëmijëve të tyre — një mundësi tragjike, ndaj së cilës refuzimi është i kuptueshëm; por ata njëkohësisht janë gati të dalin në rrugë dhe të paralizojnë vendin pa afat që të mos dalin në pension pak vite më vonë… (ç’lidhje kanë pensionet? Kanë: shteti social tashmë duket i vetmi vlerë e shenjtë).
Rasti francez është një paralajmërim: Evropa ka të drejtë të kërkojë shmangien e luftës, por e vetmja mënyrë për të ndalur Rusinë është forcimi i gatishmërisë dhe i fuqisë parandaluese. Kjo nënkupton përgatitje, investime, mund.
Industria e dronëve ruse ofron një mësim të zbatueshëm për Perëndimin. Të gjithë kujtojmë se në fillim të pushtimit në shkurt 2022 ushtria ruse u poshtërua nga rezistenca ukrainase, gjeneralët e Putinit dhanë prova të paaftësisë dhe inkompetencës katastrofike. Por pas pothuajse katër vitesh, dhe pas shumë shkarkimeve, ata kanë bërë progres. Tim Lister dhe Kostya Gak të CNN-së kanë realizuar së fundmi një reportazh mbi Qendrën Rubicon për Teknologjitë e Avancuara të Sistemeve Pa Pilot, e krijuar në gusht 2024 me nismën e Ministrit rus të Mbrojtjes Andrei Belousov. Njëkohësisht një njësi luftarake, një start-up, një qendër kërkimi e zhvillimi. Ajo integron këmbësorët që operojnë dronët; mbështetjen logjistike; inovacionin industrial. Çfarë mund të mësojmë nga Rubicon? Integrimin e ngushtë mes kërkimit, industrisë dhe trupave: zinxhiri është shkurtuar; ajo që mendohet në laborator arrin shpejt në fushën e betejës. Roli proaktiv për të përshpejtuar automatizimin e konfliktit: rusët besojnë se “makina” (dronët, sistemet autonome, mbledhja e të dhënave) ul peshën e njeriut, por rrit ritmin e luftës.
Për Perëndimin rruga e daljes është një riarmatim “inteligjent”. Prodhim teknologjik, robotizim, sisteme inteligjente, sensorë, logjistikë 4.0. Duke qenë se burimet njerëzore mungojnë si për arsye demografike ashtu edhe kulturore, në vijën e parë njeriu duhet të jetë në plan të dytë, makina në të parin. Forcat perëndimore janë ende shumë të lidhura me modelet e Luftës së Ftohtë: shumë të shtrenjta, shumë komplekse, shumë të ngadalta. Nëse Rusia është e gatshme të përdorë forcën brenda pesë vjetësh, siç tregohet nga doktrinat e saj strategjike dhe përgatitjet e saj, pyetja e vërtetë nuk është nëse do të luftojmë — por nëse do ta bëjmë të përgatitur, me mjete të mjaftueshme, me strategji të besueshme dhe me vullnet politik të mjaftueshëm./ Corriere della Sera
Komente











